Modelja e njohur Dhurata Lipovica në një intervistë dhënë për portalin bebaime.com shpalos shumë detaje interesante nga jeta e saj. Ajo jep shumë këshilla me vend, ndër to u bën thirrje nënave që të mos caktojnë datë të lindjes, por të lindin normal, pa operacion. Thotë se nga gjidhënia është vetë shëndeti i fëmijës.
Bebaime.com: Fillimisht na tregoni është ende aktive Dhurata në modelizëm apo tani bën ndonjë punë tjetër?
Dhurata Lipovica: Se pari faleminderit për intervistën. Dhurata punon në një organizatë jo qeveritare që ka të bëjë me mirëqenien shëndetësore. Gjithashtu është aktive në modelizëm aq sa i lejon koha dhe i ofrohet mundësia.
Bebaime.com: Meqë në këtë intervistë flitet për familjen, fillimisht na tregoni nga kush përbëhet familja juaj?
Dhurata Lipovica: Familja jone përbehet nga babi Fisi, mami Dhurata dhe dy vogëlushet, Blini dhe Liri.
Bebaime.com: Na përshkruaj pak se çfarë emocioni keni ndjerë në momentin kur keni kuptuar se do të bëheni nënë?
Dhurata Lipovica: Ka qenë natë e ftohtë dimri me borë gjithandej. 29 janar i vitit 2010, dhe momentin kur mjeku më dha lajmin se do të bëhesha nënë fillova të qeshja dhe të dridhesha në të njëjtën kohë. Unë i adhuroj fëmijët dhe mbaj mend që gjithnjë kam pasur dëshirë të kem fëmijë dhe në ato momente nuk besoj se e kam kuptuar edhe aq mirë rëndësinë e të bërit nënë, ishte thjesht një ëndërr që do të realizohej shumë shpejt, dhe do te më mbushte jetën plot dashuri, sfida e gëzime.
Bebaime.com: Ju keni dy djem, na flisni për ta, çfarë moshe kanë, emrat etj?
Dhurata Lipovica: Ne kemi Blinin 4.5 vjet dhe Lirin, i cili sapo ka mbushur 1 vit. Blini është ai “vëllai i madh”, që i pëlqen shumë të kujdeset për vëllain e tij të vogël. Gjithmonë vjen duke vrapuar e thirrur për të treguar për sherret apo bëmat e Lirit. Ndërsa, Liri është ai që nuk bëzanë, por që nuk lenë asnjë gjë në vendin e vet, nuk lë dollap pa hulumtuar, asnjë këpucë pa rrezuar etj. Sherri i familjes është ai, Liri.
Bebaime.com: Sa ka ndryshuar jeta juaj që nga lindja e djemve?
Dhurata Lipovica: Jeta ka ndryshuar thuajse plotësisht. Thuajse për të gjithë është bëjë një jetë intensive, dinamike, por që falë djemve nuk duket aspak rutinore, sepse gjithmonë ka diçka të re, diçka fasionuese, diçka të ëmbël.
Bebaime.com: Çdo nënë te fëmija i para has në shumë vështirës, kjo natyrshëm ndodh, sepse nuk ka përvojë me fëmijë. Ju keni pasur këtë problem dhe kush u është gjendur pranë në ato çaste?
Dhurata Lipovica: Patjetër që kam pasur vështirësi. Por, që instinkti që e kishte femra dhe po u shfaqte në momentin e të bërit nënë po të bënte që ato vështirësi të ktheheshin në sfida shumë lehtë të përballueshme. Thuajse e gjithë familja e ngushtë më kanë qëndruar pranë në ditët e para pas lindjes, por ato dyja që kanë qëndruar më së shumti përveç bashkëshortit kanë qenë nënat tona (nëna ime dhe nëna e Fisit).
Bebaime.com: Çfarë ndjesi ka qenë kontakti i parë me të, si mund të na përshkruani ato çaste?
Dhurata Lipovica: Kjo pyetje nuk është fare e lehte të përshkruhet. Mund të them që ka qenë momenti që s’do ta harroj kurrë në jetë, momenti më i lumtur në jetën time. Ndërsa, sa përket pjesës së dytë të pyetjes, mund të them që fëmijët janë qenia më perfekt në botë dhe për çdo nënë fëmija i saj është i mirë, më perfekti.
Bebaime.com: Cilat tipare i dallojnë dy djemtë, çfarë pikash kanë të përbashkët?
Dhurata Lipovica: Janë tipa të ndryshëm, por shumë të dashur. Blini është shumë i qeshur, shumë i shoqëruar, dhe shumë inteligjent. Liri është shumë kureshtar dhe eksplorues i vogël. Të qeshurat e tyre janë pa fund, u pëlqen të shikojnë tv së bashku, por edhe kanë mosmarrëveshje të ndarja e lodrave të përbashkëta. Ju pëlqen shumë natyra dhe muzika.
Bebaime.com: Sa u ka ndihmuar bashkëshorti në rritjen e djemve?
Dhurata Lipovica: Fisi është një baba shumë i mirë, dhe e falënderoj shumë për këtë. Nuk do të doja tjetër baba për fëmijët e mi dhe se unë jam me fat që kam një burri si ai, ndërsa fëmijët janë fatlum për një babi si Fisi. Më ndihmon jashtëzakonisht shumë, është shume i kujdesshëm dhe u ofron shumë, por shumë dashuri.
Bebaime.com: Keni menduar që në një të ardhme ta zgjeroni edhe më shumë familjen?
Dhurata Lipovica: Shpresoj që mamin Dhurata mos ta lëmë pa një vajzë.
Bebaime.com: Cila është këshilla juaj për nënat dhe gratë që janë shtatzëna?
Dhurata Lipovica: Të ndihen mirë me veten e tyre, me ndryshimet që sjellë shtatzënia dhe të mos kompleksohen nga ndryshimet hormonale, se në fund është sakrifica më e madhe, më hyjnore që vetëm femra/nëna mund të bëjë në këtë jetë, për qenien më perfekt, fëmijën.
Bebaime.com: Viteve të fundit në Kosovë është shtuar lindja me operacion (prerje cezariane). Mund të arsyetohen gratë që kanë nevojë për të lindur në këtë mënyrë, por çfarë këshille për ato që mund të lindin normal, por zgjedhin për të lindur me operacion?
Dhurata Lipovica: Unë personalisht kam pasur të dyja lindjet normale dhe pa komplikime. Femrat që lindin me operacion mund të arsyetohen vetëm nëse këshillohen nga mjeku për arsye të dyshimit, apo edhe vetë komplikimeve gjatë lindjes, mirëpo femrat që “caktojnë datën”, për të lindur me operacion për mua nuk arsyetohen assesi. Mendoj që natyra e ka përcaktuar shumë mirë mënyrën e lindjes, dhe përderisa me mijëra vite janë bërë me miliona lindje në mënyrë natyrale dhe kane shkuar shumë mirë, atëherë për femrat që kanë mundësi për lindje natyrale dhe zgjedhin lindjen me operacion unë u them: mëso të duash vetën, më shumë, më shumë se që nuk e do dhimbjen.
Bebaime.com: Po ashtu edhe problematike te nënat e reja shihet ushqimi me qumësht artificial, pra pak preferojnë gjidhënien. Ju si nënë e re, çfarë këshillash keni për ato nëna që sapo u lind fëmija u japin qumësht artificial dhe natyrisht se sa ndikon kjo te shëndeti i fëmijës?
Dhurata Lipovica: Unë si nëne e re (pas lindjes së parë) jam dorëzuar shumë shpejt nga gjidhënia, kjo sepse kam pasur shumë pak njohuri për beneficionet e qumështit të gjiut dhe fëmija i parë është rritur me qumësht artificial. Ndërsa, me kohë unë kam mësuar dhe jam bindur që gjidhënia është elementi kyç për të rritur një fëmijë të shëndetshëm dhe kam insistuar dhe ende vazhdoj të ushqej fëmijën e dyte me qumësht gjiu. Mund të them që Liri për vitin e parë të jetës nuk është sëmurë asnjëherë në krahasim me Blinin që ka qenë me antibiotikë ende pa mbushur 1 vit. Dhe mos të flasë për lehtësinë e të ushqyerit që është një plus i madh për nënën që nuk ka nevojë të merret me pastrimin e shisheve, sterilizimin e tyre dhe përgatitjen e qumështit. Po të kisha mundësinë të ktheja kohën mbrapa, do të luftoja për mbajtur në gji edhe fëmijën e parë, ashtu siç kam bërë me të dytin.
Intervistoi: TEUTA SINANAJ