Modelja e mirënjohur Saranda Shala ka vite që është në skenën e modelimit kosovar. Por, pas kaq vitesh ajo e ka lënë këtë profesion për tu marrë me marketing. Ajo ka gjashtë vjet që punon në departamentin e marketingut në Telekomin e Kosovës, konkretisht në Vala. Në këtë intervistë Saranda nuk flet për modelimin, por për jetën e saj private dhe mbi të gjitha për djalin e saj dy muajsh.
Bebaime.com: Sarandën një kohë të gjatë nuk e shohim në skenë si modele. A do të thotë kjo se i keni dhënë fund modelizmit dhe me çka jeni duke u marrë aktualisht?
Saranda Shala: Po me modelizem pothuajse e kam shkëputur çdo kontakt dhe aktualisht ose thënë më shkurt që 6 vjet më së shumti jam e fokusuar në punën time në Telekomin e Kosovës (Vala) në departament të Marketingut.
Bebaime.com: Atë që dimë është se jeni e martuar, por jo më shumë. Na flisni disa fjalë për familjen tuaj?
Saranda Shala: Po në vitin e pestë të lidhjes sonë unë dhe Fatonin i kemi dhënë fund beqarisë. Fillimisht tre vjet lidhja jonë ka qenë në distancë, d.m.th jemi parë çdo muaj, sepse Fatoni ka jetuar 18 vjet në Zurich të Zvicrës, ku pastaj vendos të kthehet që të krijojmë familje në Prishtinë.
Bebaime.com: Përmendet që keni një djalë. Na flisni për të sa muajsh është si e keni pagëzuar?
Saranda Shala: Që gjashtë muaj jemi martuar, ndërsa që dy muaj jemi bërë prindër. Jetojmë të tre në qendër të Prishtinës dhe jemi shumë të lumtur dhe për këtë e falënderoj Zotin. Tashmë jam edhe nëna më e lumtur në botë e vogëlushit më të bukur në botë. Djalin e kam pagëzuar me emrin Atis dhe ai është dy muajsh tashmë.
Bebaime.com: Si nënë e re që jeni çfarë ndryshime kanë ndodhur në jetën tuaj me lindjen e djalit?
Saranda Shala: Si te çdo nënë edhe te unë patjetër që kanë ndodhur ndryshime, thënë shkurt përditshmëria është në tjetër shkallë. Gjithçka që kishte prioritet para lindjes, tashme është në rend të dytë.
Bebaime.com: Na përshkruani me disa fjalë si ka qenë ai moment kur keni lindur djalin tuaj. Si jeni ndjerë në ato momente?
Saranda Shala: Nuk di ta përshkruaj me fjalë atë ndjenjë dhe as atëherë nuk kam ditur ta përshkruaj me fjalë. Ndjenja më e bukur në botë, dashuri e pazëvendësueshme.
Bebaime.com: A keni qenë e përgatitur të ballafaqoheni me ardhjen e djalit, pra keni pasur ndonjë frikë për ushqim se si do t’i përgatitni dhe gjëra të këtilla?
Saranda Shala: Nuk kam qenë e përgatitur aspak, sepse gjatë tërë shtatzënisë unë jam përkujdesur vetëm për vete dhe asnjëherë nuk kam menduar se a do ta kem vështirë të përballem me të gjitha këto gjëra. Mirëpo fal vetëbesimit dhe dashurisë të madhe ndaj djalit, unë sot e konsideroj veten si një nënë tepër të kujdesshme dhe të informuar.
Bebaime.com: Kush u ka ndihmuar në ditët e para që keni ardhur në shtëpi me djalin?
Saranda Shala: Të them të drejtën Fatoni prej ditës së parë më ka ndihmuar shumë, dhe sot pothuajse asnjë ditë të vetme ose natë të vetme nuk ka rreshtur së ndihmuarit. Patjetër edhe prindërit e mi, vëllai im dhe nëna e Fatonit.
Bebaime.com: Si e keni kaluar shtatzëninë, keni pasur ndonjë problem gjatë shtatzënisë?
Saranda Shala: Shtatzëni si timen se besoj që ka pasur ndokush, të paktën ashtu po më thonë të gjithë. Format trupore nuk më kanë ndryshuar aspak, i kam shtuar vetëm tetë kilogram. Jam ushqyer shumë shëndetshëm dhe çdo gjë ka shkuar perfekt. Lindja ka qenë normale, gjë që jam shumë e lumtur që s’kam shkuar me prerje cezariane si shumica e femrave sot, dhe kam lindur brenda 15 minutave pa asnjë problem të vogël.
Bebaime.com: Me çka e ushqeni djalin, me gjithënie apo me qumësht artificial?
Saranda Shala: Djalin e ushqej edhe me gjidhënie edhe me formulë, dhe është mjaft i shëndoshe, faleminderit Zotit.
Bebaime.com: Cila është porosia juaj për gratë shtatzëna dhe nënat e reja?
Saranda Shala: Porosia ime për gratë shtatzëna është: kujdesuni vetëm për vete, ushqehuni shëndetshëm, largohuni prej stresit te paktën këto nëntë muaj. Kujdesuni për lëkuren e peshën tuaj dhe të bebes. Tek e fundit është kënaqësi për ta parë edhe veten bukur pas lindjes.
Intervistoi: Teuta SINANAJ