Diola Dosti-Baftiu është nutriciste shumë e njohur. E lindur në Tiranë, por e martuar në Prishtinë ajo vazhdon punën e saj si nuriciste më shumë zell në Kosovë dhe Shqipëri. Ajo pothuajse çdo javë është mysafire në televizionet e Kosovës dhe Shqipërisë, ku flet për rëndësinë e ushqimeve. Po ashtu është edhe profesoreshë universtare në kolegjin “Fama”, Prishtinë.
Bebaime.com: Diola është emër shumë i njohur, sidomos te nënat. Me çka konkretisht merreni?
Diola Dosti-Baftiu: Në fakt, unë bëj disa punë, por të gjitha kanë një qëllim të përbashket : ‘ndërgjegjësimi I shoqërisë shqiptare mbi mënyrën e të ushqyerit’. Sot ushqimi është shndërruar në biznes për shumë kompani ushqimore, por edhe farmaceutike dhe unë të ju ndihmoj të tjerëve, që të jenë klientë të zgjuar, të mos mashtrohen nga reklamat, të zgjedhin ushqimet që përqafojnë më shumë natyrën. Që katër vjet jam mysafire e përjavshme në televizione të ndryshme, si Klan Kosova, Rtk, Rtv21, Top Channel etj. Aty vazhdimisht jap këshilla për një jetë larg kimikateve dhe ushqimet e shëndetshme. Ndërkohë, jam ligjëruese, profesoreshë në Universitet, në Shkencat e Mjekësisë, ‘Fama’, profilet Mami dhe Infermieri, ku ligjëroj profile të të ushqyerit. Një kontribut të madh e jap edhe në faqen time në facebook ‘Mësimet e Diolës’, ku mund të lexoni këshilla pafund mbi shëndetin dhe bukurinë. Gjithashtu jam anëtare e bordit të Akademise Italiane të Nutricionit, ku bëhet certifikimi i nutricistëve dhe dietologëve.
Bebaime.com: Puna që bëni ju është senzibilizimi dhe ndërgjegjësimi i shoqërisë shqiptare për mënyrë e jetës dhe ushqimin e shëndetshëm. Sa ia keni arritur qëllimit?
Diola Dosti-Baftiu: Mendoj që Mësimet e Diolës ka bërë një hap të madh drejt ndërgjegjësimit të individëve të ndryshëm mbi ushqimet. Këtë e shoh nga kërkesat që ata kanë mbi atë se si t’i njohin ushqimet e mira, e shoh kur më shkruajnë në faqe mbi dietat, e shoh sepse marr mesatarisht 200 mesazhe, e shoh nëpër markete që shohin tabelën e përbërësve të produktit që blejnë, e shoh te fotot që më çojnë çdo ditë mbi produktet që blejnë dhe më pyesin ‘bën kjo apo jo’ etj. Unë jam shumë e lumtur, por shumë kërkuese. Punoj shumë, por mendoj që duhet më shumë, sepse janë ta paktë ata persona që kanë këtë profil. Mbi të gjitha, nuk ka literaturë dhe unë shpenzoj shumë duke blerë literatura të huaja mbi ushqimin, për të dhënë jo koncepte që mund ti gjesh në internet nga njerëz çfarëdo, por nga profesionistë. Por e mira nuk ka fund!
Bebaime.com: Sipas përvojës tuaj a ushqehen mirë dhe shëndetshëm shqiparët?
Diola Dosti-Baftiu: Kemi ushqime tradicionale shumë të mira. Turshitë, tërhana, mishi pastërma për shembull, janë të ushqyeshëm. Por në momentin që dalin nga shtëpia, kanë një formulë ‘picë dhe coca cola’. Në fillim kur kam ardhur në Kosovë, ka qenë viti 2007 dhe kur kam parë se si ushqehen dhe më janë ofruar ushqime të tilla nga restauranti p.sh kur ishim me familjes, kam vënë duart në kokë dhe kam pësuar çrregullime në stomak, rrjedhimisht në lëkurë dhe flokë. Kurse sot, pas 9 vjetësh, unë shoh ndryshime, por jo aty ku dua unë. Që do të thotë, duhet ende punë të paktën nga ana ime. Mendoj që janë nënat ato që e kanë në dorë të ardhmen ushqimore të brezave të rinj. Edukimi ushqimor i tyre, është jashtëzakonisht shumë i çmuar!
Bebaime.com: Ju shohim shpesh nëpër televizione, duke dhënë këshilla të ndryshme rreth ushqimeve, sidomos për ato që janë të shëndetshme. Sa arrini që me këshillat tuaj ta ndërgjegjësoni shoqërinë tonë?
Diola Dosti-Baftiu: Unë vë re që me ndjekin shumë pasi sapo dal nga studio, viberi im dhe inboxi mbushet plot me mesazhe. Jo vetëm foto për të me dëshmuar që më kanë ndjekur, por edhe pyetje ekstra mbi atë temë që kam folur. Dhe kjo më jep një energji shumë të mirë. Unë i dua shumë ata dhe ato që duan të kujdesen për ushqimin e tyre, rrjedhimisht për të ardhmen e fëmijëve të tyre, që në mënyrë direkte, është e lidhur me ushqimin. 90% e sëmundjeve kronike në botë, vijnë si rezultat i malnutricionit apo kequshqyerjes. Këtë ata që ndjekin Mësimet e Diolës, tashmë e kanë kuptuar!
Bebaime.com: Ju po ashtu keni dhe shumë produkte tuaj që i shisni. Cilat janë ato produkte dhe kryesisht cilat mosha preferohen ti përdorin?
Diola Dosti-Baftiu: Realisht, më herët kam punuar edhe me produkte kozmetike, kremra antirrudhë, skrabe, shampo natyrale (të gjitha këto të ngrënshme) pasi kam qenë dhe qëndroj me parimin që mos t’i vendosim asgjë lëkurës sonë, nëse nuk mund ta konsumojmë atë. Por, kohët e fundit, duke qenë se e kam pasur vetë problem nënpeshën, jam fokusuar te produktet për shtim peshe. Është interesante pasi, mbas nxjerrjes së këtij produkti, shumë dyqane që shesin mjaltë, kanë futur në linjën e tyre mjaltë të tillë, duke mos e ditur realisht se nga çfarë elementesh ushqimore është i përbërë ky produkt. Madje madje shumë dyqane që shesin produkte natyrale, kanë shitur mjaltë me këtë qëllim, duke i gënjyer klientët se është produkti im. P
or, ky produkt, bëhet vetëm me porosi personale nga faqja ‘Mësimet e Diolës’ dhe numri kontaktues që gjendet aty. Tashmë i vetmi dyqan që ka ekskluzivitetin e këtij produkti, gjendet në Gjakovë, “Ihealthy organic shop”. Sepse, shumë njerëz abuzojnë nën emrin tim dhe në të gjitha rastet produktet e tjera që kanë mashtruar njerëzit e tjerë që kanë pasur shumë nevojë të shtojnë peshë, kanë dështuar. Dhe më kanë shkruar që këtë p.sh e kam marrë dhe më thanë që ti e përgatit. Por, unë si nutricioniste, e përgatis ushqimin vetëm dhe vetëm të freskët, me porosi.
Preferohet nga mosha 2 vjeç e sipër. Nuk lë efekte anësore pasi është ushqim. Kam kërkesa për dobësim, por unë punoj me energji që do të thotë, aty ku fokusohem, arrij sukses. Dhe tani për tani, jam fokusuar te individët që duan të shtojnë peshë, fëmijët dhe të rriturit, pa hatërmbetje për ata që kanë nevojë për dobësim. Në një të ardhme jo të largët, do të merrem edhe me individët e tjerë. Kjo mbase është edhe një formë që ata që duan Mësimet e Diolës, të kuptojnë se unë nuk e shoh punën time si biznes, por i bëj gjërat se i ndjej.
Bebaime.com: Të flasim pak për Diolën si nënë. Ju keni dy vajza na flisni pak për to, çfarë moshe kanë, si i kanë emrat dhe rreth karaktereve të tyre?
Diola Dosti-Baftiu: Po vajza e madhe quhet Bleza, ka lindur në Tiranë. Është 8 vjeç në klasën e tretë. Vajza e vogël quhet Enja, 4 vjeç, ka lindur në Prishtinë. Bleza është tip i qetë, mëson pianon, i pëlqen shumë natyra, është tip shumë i ndjeshëm dhe flet bukur gjuhën letrare shqipe. Thotë kur të rritem, do ndihmoj njerëzit si mami dhe babi. Enja është krejtësisht e kundërta. I pëlqen zhurma, lojërat shumë ekspresive dhe nuk është aspak e interesuar të flasë si unë. I duan librat të dyja. Enja nuk pranon të rritet.
Bebaime.com: Si është të jesh nuse e Kosovës?
Diola Dosti-Baftiu: Personalisht më kanë pritur shumë mirë. Ka disa tradita të lezetshme. Kam pasur një fat të mirë në familjen ku jam martuar unë, që janë të gjitha mjekë, intelektualë dhe më kanë kuptuar shumë mirë. Une jam një vajzë në familjen time dhe gjithmonë kam qenë më e llastuara. Edhe sot kur shkoj në Tiranë më përgatisin ushqimin dhe ma sjellin në shtrat. Dhe familja e bashkëshortit, e kanë kuptuar shumë mirë që unë nuk mund të përshtatem 100% këtu. Dhe më kanë trajtuar edhe këtu si princeshë. Kosova ka njerëz të mrekullueshëm. E vetmja gjë që nuk më pëlqen, është i ftohti pasi jam tip që kam shumë ftohtë. Njerëzit këtu janë shumë mirëpritës, me zemër të madhe, miq të mirë dhe jam shumë e nderuar që jetoj këtu. Të gjithë miqtë e mi më pyesin se si jetoj unë në Kosovë dhe e shohin gati të pamundur të jetojnë këtu. Por aty ku ka dashuri, aty është shtëpia dhe zemra ime. Mbi të gjitha, jam bashkëshortja e njeriut më të mrekullueshëm në botë.
Bebaime.com: Cila është këshilla apo sugjerimi juaj për gratë shtatzana dhe nënat e reja sa i përket ushqimeve?
Diola Dosti-Baftiu: Në radhë të parë për shtatzënat nuk vlen parimi që duhet të hanë për dy vetë. Fëmija i merr të gjitha vlerat ushqyese nëpërmjet nënës. Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të hajë, por thjesht të zgjedhë ushqimet më të mira, me antioksidantë, me minerale, acid folik, vitamina etj. Frutat dhe perimet sezonale. Ujë dhe lëngje natyrale. Ushtrime të lehta fizike dhe lëkurën ta lyejnë me vaj kokosi ose bajame për parandalim të stijave. Për nënat e reja, nga e cila varet e ardhmja e këtij vendi. T’i edukojnë fëmijët që të ushqehen mirë. Fëmija nuk do t’ja njohë ‘çokollatën’ nëse ti nuk ja prezanton. Nuk them që nuk duhet të hanë çokollata, por jo t’i afrojnë sa më shumë të munden.
Bebaime.com: Mendoni në të ardhmen ta zgjeroni edhe më shumë familjen?
Diola Dosti-Baftiu: Unë jam shumë e lumtur me gjithçka që kam, nuk më pengon fakti që kam vajza aspak dhe nuk i ndërroj as me 1000 djem në botë. Unë kam dashur gjithmonë vajza dhe Zoti mi fali, ngaqë s’kam pasur motra. Më nervozojnë shumë idetë e të pyeturit ‘kur do ta bësh një djalë për familjen?’. Aq shumë sa edhe nëse dua të bëj ende fëmijë, dua të bëj vetëm vajza. Lumturia e një familjeje nuk përcaktohet nga organet gjenitale të fëmijës. Më irriton jashtëzakonisht shumë kjo temë e të bërit edhe një djalë për familjen. Për mua, ata që mendojnë ende që duhet një djalë për t’u bërë një familje e kompletuar, janë njerëz që pa dashur t’i etiketoj për shkak të etikës time, thjesht janë njerëz pa ndjenja. Dëgjoj më qindra raste të aborteve për shkak të gjinisë, apo fjalët presinonuese kundrej nuseve për të bërë një djalë dhe është trishtuese. Një Kosovë me një zemër kaq të madhe, me njerëz kaq të mrekullueshëm dhe të ketë ende mentalitetet ‘vrasëse’ të qetësisë dhe harmonisë familjare, është dëshpëruese. Ose unë nuk do të jem në gjendje kurrë t’i kuptoj.
Intervistoi: Teuta SINANAJ