Ardita Hoxha-Shala është ideatore e aktivitetit mjaft të qëlluar për nëna dhe beba “Mommy and Me”. Ky është një aktivitet shumë i nevojshëm për nënat e reja. “Mommy and Me”, është aktivitet ku nënat përmes ecjes, shëtitjes, ushtrimeve dhe bisedave me nënat tjera përfitojnë shumë benifite.
Bebaime.com: Fillimisht ta thoni disa fjalë për veten. Kush është Ardita Hoxha?
Ardita Hoxha: Ardita Hoxha Shala është master e shkencave sportive. Karrierën sportive e kam filluar qysh në moshën 10 vjeçare si atlete, hendbolliste, instruktore e aerobisë, mësimdhënëse në Kolegjin Universum dhe momentalisht jam e angazhuar si instruktore e ushtrimeve fizike në Ambasadën amerikane në Prishtinë.
Bebaime.com: Si ka filluar grupi juaj “Mommy and Me”, me çka kryesisht merret?
Ardita Hoxha: Të qenurit nënë të bën të mendosh ndryshe. Vet fakti që gjithmonë kam qenë në lëvizje tregon se sa e vështirë ka qen adaptimi në rolin e ri si nënë. Duke e parë se sa i nevojshëm është një lloj i aktivitetit të tillë në Kosovë, ku kujdesi për veten dhe beben të mos jetë i pamundur. Shumica e nënave pas lindjes mbyllen brenda në mungesë të aktiviteteve të ndryshme për ti nxjerr jashtë ato së bashku me bebet e tyre, si ne të gjitha vendet e zhvilluara. Duke e parë se sa i nevojshëm është një lloj i aktivitetit të tillë në Kosovë, ku kujdesi për veten dhe beben njëkohësisht ishte i pa mundur më lindi idea që një ditë të bëj diçka për nënat e reja. Shëtitja, ushtrimet dhe bisedat me nënat tjera janë shumë të domosdoshme dhe sjellin benefite si për nënën, ashtu edhe për fëmijën. Për ta realizuar ketë ide m’u deshtë të pres 3 vjet deri sa e takova Emillyn në Ambasadën amerikane në Prishtinë, me të cilën biseduam se në Kosovë nuk ka asnjë program për ti nxjerr gratë pas lindjes jashtë për shëtitje dhe ushtrime së bashku me bebet. Ajo më inkurajoj dhe unë për këtë kisha nevojë, se zakonisht me shoqëri dhe të afërt kur e bisedoja nuk ju dukej e realizueshme për faktin dhe mentalitetit tonë që gratë pas lindjes duhet të kujdesen vetëm për punët e shtëpisë dhe bebet e tyre. Qëllimi i këtij aktiviteti është që kurdo që nënat ndihen mirë dhe të gatshme e të shëndosha pas lindjes të dalin për shëtitje dhe ushtrime me bebet e tyre, përderi sa te ne ky aktivitet është risi, në vendet tjera të zhvilluara nuk është aspak risi. Tani këtë gjë në Kosovë e ofron “Mommy and Me”, me ecje, vrapim, tonifikim të muskujve, joga duke mos u ndarë për asnjë çast nga bebet e juaj.
Bebaime.com: Si arrijnë ti dobësoni gratë, sidomos ato që pas lindjes e kanë problem ti heqin kilogramët e tepërta. Cilat janë metodat që ju i përdorini?
Ardita Hoxha: Trupi i një gruaje fillon të ndryshojë në momentin që brenda saj fillon një jetë. Fillimi i një rutine të ushtrimeve që në javët e para të shtatëzanisë është një ide shumë e mirë. Ushtrimet fizike si ecja, noti dhe joga e lehtë ju ndihmon që ta kontrolloni peshën që do ta fitoni për 9 muaj dhe e bëjnë më të lehtë rikthimin tuaj pas lindjes. Gjatë shtatëzanisë bëhet hapja e muskujve të barkut, të cilëve ju duhet 4-5 muaj për t’u afruar dhe nuk guxon të fillosh me ushtrime të barkut pa e testuar mbylljen e këtyre muskujve. Testi i quajtur "rectus abdominis", pas shtatëzanisë 0-9 muaj duhet pasur kujdes me zgjedhjen dhe ngarkesën e ushtrimeve. Gjatë kësaj periudhe ushtrimet të cilat bëhen rutinë janë ecje, ushtimet e Kegelit, ushtrimet për pjesën e pelvikut, zhvillimi i forcës statike të muskujve (tonifikim) dhe streching me kombinim yoga, ndërsa për nënat që tash me fëmijët i kanë 10muaj -1 vit programi i ushtrimeve bazohet në zhvillimin e aftësive tevizore (forcë, shpejtësi, qëndrueshmëri, koordinim i lëvizjeve, ekujliber, sreching) dhe aftësive funksionale (qëndrueshmëri aerobe dhe anaerobe). Metodat të cilat i aplikoj për realizimin e procesit stërvitor janë: Metoda verbale, metoda e demonstrimit, metoda analitike si dhe puna në grup.
Bebaime.com: Për të pasur një trup të mirë, pa dyshim se krahas ushtrimeve duhet personit të ketë edhe një lloj pozitiviteti në vete. Si arrini ti motivoni nënat?
Ardita Hoxha: Nëse je një nënë e dashuruar dhe e ke krijuar familjen tënde me dashuri e gjen motivin për t’u rikthyer në formë dhe për të qenë një nënë e shëndetshme dhe të kesh një familje të shëndetshme.
Bebaime.com: Për një nënë siç jeni ju a duhet shumë angazhim për t’u marrë me këtë aktivitet, që duket se ka mjaft punë?
Ardita Hoxha: Organizimi i një aktiviteti të tillë kërkon mjaft angazhim, përgjegjësi të madhe për faktin që ka të bëj me bebe, qenien më të mrekullueshme në botë dhe me nënat, të cilat po kalojnë në faza të vështira të jetës. por mua më pëlqejnë sfidat dhe për këtë edhe e kam zgjedhur një aktivitet të tillë.
Bebaime.com: Përpos Prishtinës keni menduar të zgjeroheni edhe në ndonjë vend tjetër të Kosovës?
Ardita Hoxha: Nuk e kam menduar, por do të isha e lumtur edhe po ta mendonte edhe ta realizonte dikush tjetër në qytetet përkatëse
Bebaime.com: Të flasim tani për familjen. Ju jeni nënë e dy fëmijëve, Gentit 4 vjeçar dhe Unikut, 1 vit e gjysmë. Na flisni disa fjalë për fëmijët?
Ardita Hoxha: Unë dhe bashkëshorti im jemi të dashuruar që në gjimnaz dhe ndihemi të bekuar me dy engjëjt tanë, ku çdo natë e falënderojmë Zotin që na ka dhuruar. Familja ime përbëhet prej 4 antarëve, unë, bashkëshorti dhe dy fëmijët tanë. Ne ndihemi të bekuar dhe falënderues ndaj Zotit që i kemi Gentin dhe Unikun, të cilët i kanë dhënë edhe më shumë kuptim dhe dashuri jetës tanë.
Bebaime.com: Si ka qenë momenti i parë kur për herë te parë keni mbajtur fëmijën në duar. Si mund ti përshkruani ato momente?
Ardita Hoxha: Emocion i pa përshkueshëm, do të doja që të mos mbet kush pa e përjetuar atë ndjenjë. Kur e kam mbajtur për herë të parë Gentin në duar e kam parë se krejt bota është ai, dhe m’u ka dukur se kam humb kohë kot që s’kam krijuar familje më herët.
Bebaime.com: Sa ka ndryshuar jeta juaj që nga lindja e fëmijëve?
Ardita Hoxha: Ka ndryshuar pjesërisht për mirë. Tani kemi dashuri më shumë në shtëpi, kemi 1000 arsye më shumë për t’u zgjuar të motivuar për jetë.
Bebaime.com: Cili është mesazhi juaj për nënat dhe gratë shtatzëna?
Ardita Hoxha: Mesazhi im për nënat e reja është se kurdo që ndiheni mirë, të gatshme dhe të shëndosha pas lindje mos rrini mbyllur, ejani tek aktiviteti “Mommy and”, me tre herë në javë nga 1 orë kushtojani vetes dhe fëmijës tënd shëtitje në ajër të pastër në parkun e Gërmisë të mbush energji pozitive. Ndërsa, mesazhi im për shtatzënat është ushqehuni mirë, flini rehat, mendoni pozitivisht, merruni me aktivitet fizik ecje në natyrë në ajër të pastër, përgatituni për të qenë një nënë e shëndetshme, jo kot thuhet se një grua e shëndetshme është një familje e shëndetshme.
Intervistoi: Teuta Sinanaj