Për Dudën nuk ka çka të flitet. Ai është ndër reperët më të mirë në trojet shiptare. Duda ka sjellë dhjetëra hite deri tani dhe është duke punuar në disa këngë të reja. Kësaj radhe Duda nuk flet për muzikë, por për familjen e tij. Në intervistën dhënë portalit bebaime.com ai shpalos anën tjetër, atë të të qenurit baba.
Bebaime.com: Duda është ndër reperët më të mirë shqiptarë, që sa herë sjellë këngë pëlqehen tej mase. Çka jeni duke punuar aktualisht?
Duda: Së pari ju falenderoj për komplimentin. Për momentin jam duke punuar një mixtape të re me titull "Hip Hopit ja shtim flakën", dhe gjithashtu jam i angazhuar në realizimin e disa videoklipeve te reja të cilat do të publikohen së shpejti.
Bebaime.com: Ju jetoni në Liverpool prej vitesh, si arrini apo më mirë të themi si ia dilni që të mbeteni në skenë dhe të jeni afër simpatizantëve të muzikës tuaj, kur dihet se Liverpool dhe Prishtina janë larg njëra-tjetrës?
Duda: Është mjaft vështirë, mirëpo kur bëhet fjalë për muzikën nuk paraqet problem distanca. Muzika është pikërisht ai elementi që na bashkon gjithmonë.
Bebaime.com: Të flasim për familjen. Dimë që jeni i martuar dhe keni tre fëmijë. Mund të na tregoni disa fjalë rreth familjes?
Duda: Familjen e konsideroj si gjënë më të shtrenjtë në jetën time. Për fat të mirë kam një familje të mrekullueshme dhe të shëndoshë, gjithmonë duke iu falenderuar Allahut. Me bashkëshorten time Fjollën i kemi tre fëmijë, një vajzë dhe dy djem, Ninën 7 vjeçe, Genin 7 vjet dhe Gianin 6 vjet, të cilët gjithmonë i quaj superstars.
Bebaime.com: Keni një vajzë dhe një djalë binjak, si dhe një djalë më të vogël në moshë. Si është për një prind të ketë binjak. Kërkon më shumë mund, si ia keni dal a ka pasur më shumë mund?
Duda: Unë dhe Fjolla binjakët i konsiderojmë si një dhuratë tejet të çmuar. Ardhja e tyre në jetë sa ka qenë e këndshme dhe ngazëlluese aq më tepër ka pas mund, mirëpo të gjitha i kemi kaluar pa ndonjë problem të madh. Kemi qenë tejet me fat besoj.
Bebaime.com: Sa u kanë ngjarë djemtë juve, kanë shpirt reperi dhe ata?
Duda: Djemtë janë gjakui im që nënkupton se i kanë trashëguar shumë gjëra nga unë. Ajo çka na lidh edhe më tepër është fakti që ata të dy e konsiderojnë veten si pjesë e grupit tim muzikor “Double-G”, që nga tash dhe janë shpirtërisht të lidhur me muzikën time.
Bebaime.com: Si ka qenë ai moment kur për herë të parë jeni bërë baba, si jeni ndjerë?
Duda: Kjo mbetet një nga dëshirat e mia të pa realizuara për arsye se nuk kam pasur mundësi të jem afër Fjollës në kohën kur ka lindur binjakët, por emocionet që i kam përjetuar në atë kohë pas marrjes së lajmit se jam bërë baba për herë të parë kanë qenë dhe janë të pa përshkrueshme. Fatmirësisht kur ka ardhur në jetë djali jonë i vogël Giani, kam qenë prezent gjatë gjithë procedures së lindjes dhe ato momente mbeten definitivisht një nga kujtimet më të mira të jetës time.
Bebaime.com: Përpos djemve ju keni edhe një vajzë, që e ka kompletuar familjen tuaj. Na flisni disa fjalë për të?
Duda: Vajza ime e vetme Nina është "Paqja e shpirtit tim". Definitivisht vajza është ajo që na kompleton si familje. Jam i bekuar prej Zotit për vajzën që ma ka dhuruar. Nina është një në një milion.
Bebaime.com: Na flisni për karakteret e fëmijëve. Sa ngjajnë dhe dallojnë njëri me tjetrin?
Duda: Edhe pse u kemi dhënë të njejtën eduaktë dhe të njëjtin trajtim, fëmijët kanë karaktere plotsisht të ndryshme nga njëri tjetri, prandaj më gëzon fakti që të tre janë të veçantë. Nëse flas për secilin në veçanti atëherë do t’i përshkruaja kështu:
Geni (djali i madh), është tejet energjik dhe shumë i zgjuar. Është i dalluar në lëndën e Matematikës dhe ka vesh të jashtzakonshëm për muzikë në krahasim me vëllain dhe motrën e tij.
Nina është fëmijë shembullor si në shkollë ashtu edhe në shtëpi. Është shumë më e pjekur dhe më e kujdesshme se dy vëllezërit e saj, por kjo ndoshta edhe për faktin se është vajzë, pra është natyrë shumë më e butë dhe më e kuptueshme. Nina është shumë e talentuar për sa i përket artit. Vizaton shumë bukur, mirëpo edhe punimet tjera që lidhen me artin i realizon në mënyrë të shkëlqyer.
Giani (djali i vogël), apo siç i themi ndryshe bebi jonë është fëmija më i dashur që ekziston. Giani po ashtu është i shkëlqyer në shkollë dhe na bënë të lumturçdo ditë me dashurinë që na e dhuron.
Bebaime.com: E keni në plan në të ardhmen ta zgjeroni edhe më shumë familjen apo kështu jeni të kompletuar?
Duda: Në fakt jemi shumë në rregull dhe të them të drejtën, edhe pse tingëllon e pabesueshme, ashtu siç kemi planifikuar edhe jemi, duke ju falenderuar gjithmonë Zotit, mirëpo kam dëgjuar që thonë se po e bëre edhe një për pleqëri është edhe më mirë (qeshët).
Bebaime.com: Cili është mesazhi juaj për prindërit e rinj?
Duda: Mesazhi im për prindërit e rinj është të gjejnë kohë aq sa të munden për fëmijët e tyre dhe të punojnë sa më shumë me ta. E gjithë kjo punë dhe ky mund një ditë patjetër që do t’ju shpërblehet, sepse nuk ka ndjenjë më të bukur se sa të të bëjnë krenar fëmijët.
Intervistoi: Teuta SINANAJ