Enkelejda Shatri është stiliste e dëshmuar. Ajo ndër vite ka punuar si stiliste dhe tash e 10 vjet ka Akademinë e saj, Evolucion, e cila rrugëton suksesshëm në nxjerrjen e dizajnerëve të rinj. Krahas punës së përditshme, Enkejelda është nënë e tre fëmijëve dhe shumë e përkushtuar ndaj fëmijëve të saj. Enkelejda flet për portalin tonë për familjen, punën dhe për atë se si e bëri dashuria ta “braktisë”, Tiranën për Prishtinën.
Bebaime: Të gjithë ju njohim si një stiliste të njohur që falë punës së palodhshme jeni bërë kaq shumë e kërkuar. Sa është e vështirë të realizohet ashtu si duhet profesioni juaj në Kosovë?
Enkelejda Shatri: Nuk e di sa mund të flitet për vështirësi në një profesion që e do. Por, dizajni i modës ka filluar tek unë si një pasion dhe hobi dhe është shndëruar në një profesion. Profesioni i dizajnerit të modës është përveçse teknike dhe art, në shumë raste njerëzit që e punojnë në radhë të parë duhet të jenë të talentuar dhe ta dashurojnë atë si në çdo fushë tjetër të artit. Kur, punohet një punë me pasion i kalon çdo barrierë që të del përpara. Në ditët e zotme nuk është e vështirë që të punosh këtë profesion. Por, mua më kujtohet viti i parë i punës si stiliste këtu në Prishtinë. Ka qenë e vështirë të edukojë klientelen me termin stiliste dhe ta bindje në të njëjtën kohë se çfarë pune bënin stilistet. Por, unë jam një njeri optimist që e shoh "gotën gjysmë të mbushur", dhe kam punuar dhe luftuar shumë që ta realizoj një nga ëndrrat e mia. Ndërsa, sot është më e lehtë. Arsyet janë të shumta, po një ndër më të rëndësishmet është se është bërë një numër i madh i stlisteve të shkolluar, të cilët në tregun tonë, por edhe jashtë saj punojnë dhe funksionojnë shumë mirë.
Bebaime: Ju keni edhe një Akademi që është e vetmja në Kosovë që lidhet me profesionin tuaj. Sa ka të interesuar që të mësojnë profesionin e stilistit dhe a ka Kosovë njerëz të talentuar në këtë profesion?
Enkelejda Shatri: Në fakt Akademia Evolucion ka hyrë në vitin jubilar të saj, pra në 10 vjetorin e saj dhe ajo nuk ju jep dije vetëm të rinjve që duan të diplomohen dhe të punojnë si dizajnerë të modës, por edhe në drejtimet të tjera siç janë: dizajn i enterierit, dizajn i komunikimit dhe arte mediale. Pra, nuk është Akademi vetëm e Dizajnit të modës, por e Dizajnit dhe Artit në përgjithësi. Ndoshta pse njihet më shumë në Dizajn të modës, është drejtimi i parë që ne e kemi hapur në këtë Akademi dhe njëherish jemi Akademia me numrin më të madh të studentëve në këtë fushë në rajon dhe më gjerë. Përsa i përket të interesuarve në Dizajn të modës, numri është shumë i madh, por duke u bazuar në faktin se Akademia Evolucion gjithmonë ka operuar bazuar në kërkesën e tregut për profesionet e caktuara, pra numri i studentëve që regjistrohen çdo vit është i kufizuar, meqë dëshirojmë ta ruajmë dhe ta rrisim kuotën aktuale të studentëve aktiv të punësuar në profesionin e tyre, e që aktualish është mbi 90%. Interesimi është shumë i madh, mbase për faktin që janë drejtime që i lidhin shumë shpejt me profesionin, dhe mund të them, sipas statistikave dhe hulumtimeve brenda drejtimit studentët e suksesshëm janë një numër shumë të madh. Kjo, ndodh, sepse tashmë studentët kanë shembull të mirë dizajnerët e modës të cilët kanë dalë nga Akademia Evolucion dhe suksesi i tyre është në rritje.
Bebaime: Të flasim për familjen. Për ju dimë mjaft se jeni stiliste me zë, por pak dimë për familjen tuaj. Mund të na tregoni me disa fjalë se me kë është e martuar Enkelejda, ku jeton etj?
Enkelejda Shatri: Enkelejda Shatri është një vajzë nga Shqipëria që përpara 20 vjetëve u njoh dhe u dashurua me një djalë nga Istogu, Faik Shatrin. Pas 8 vjetëve jetese në Tiranë vendosëm të jetojmë në Prishtinë. Burrit im është kardiolog dhe siç po shihet profesionet tona janë shumë larg njëra-tjetrës, por kuptimi i jetës sonë është i njëjtë. Të jetojmë bashkë, ta duam dhe ta respektojmë njëri-tjetrin, të përkrahim njëri-tjetrin në iniciativat dhe ndërrmarësitë tona dhe të kemi një jetë të begatë me plot hare dhe energji pozitive në familje bashkë me fëmijët tanë.
Bebaime: Sa fëmijë keni, çfarë emrash kanë, sa vjeç janë?
Enkelejda Shatri: Ne i kemi tre fëmijë. Adean, e cila edhe një muaj i mbush 15 vjet dhe binjakët Marin dhe Dior të cilët janë 4 vjeçar.
Bebaime: Na flisni veç e veç për secilin fëmijë, për karakterin, kuptimin e emrit, kush vendosi ti pagëzojë në emrat që kanë, shkojnë në kopësht apo shkollë?
Enkelejda Shatri: Fëmija i parë i ynë është Adea. Emrin e saj kemi vendosur bashkë me burrin. Kishim dëshirë të vendosim një emër shqip dhe që s’ka nevojë të shkurtohet, prandaj vendosëm emrin e një perëndie të antikitetit ilir, i cili tingëllon bukur dhe nuk ka nevojë të shkurtohet. Adea tashmë është duke ërfunduar klasën e 9-të dhe në qoftë se deri tani e kam konsideruar si shoqe, tashmë është bërë me të vërtet një shoqe shumë e mirë e imja. Me të flas dhe diskutoj çdo gjë. Nga përvoja ime mund të them që fëmija i parë përkundër shumë këshillave që merr nga familjarët dhe miqtë e tuaj, është një eksperiment për mënyrën e rritjes dhe sjelljes ndaj tij. Por, mund të them që nuk kam dështuar deri tani në rritje dhe edukimin e saj. Ndoshta, sepse karakteri dhe personaliteti i saj i ndërtuar në vite ka qenë i tillë që nuk ka pranuar tjetër qasje veç trajtimin si shoqe. Ajo ka një karakter të vendosur, është shumë e drejtë në gjykimet e saj dhe kërkon drejtësi në shumë situata që shpeshherë e bëjnë më luftarake në funksionimin e përditshmërisë së saj. Si shumica e adolëshentëve që nuk dinë se çfarë profesioni do të ndjekin në jetë edhe ajo deri tani i ka ndërruar nja 10 të tillë. Herë do të merret me art dhe herë me drejtësi ose më mirë të themi do të merret me çështjet e të drejtave të njeriut. Shpresoj që tre vitet e ardhshme do të jenë më të qarta për Adean se çfarë do të bëhet në jetë. Por, çfarëdo profesioni dhe çfarëdo rrjedhe do të marrë jeta e fëmijëve të mi, kuptohet që do të kenë mbështetjen time në vendimet e tyre. Ndërsa, përsa i përket binjakëve ata kanë karaktere dhe preferencë të ndryshme. Emrat e tyre janë Marin dhe Dior. Emrat e tyre kanë qenë propozimi im, por kuptohet që edhe burrit i kanë pëlqyer. Marin është emëri i historianit, i cili na ka lënë një thesar të pa çmuar "Historinë e Skënderbeut",pra Marin Barleti, ndërsa Diori ka ardhur si ide dhe dëshirë e imja për ti vënë si emër, mbiemrin e dizajnerit të famshëm Kristian Dior. Ndoshta, sepse Kristian Dior ka qenë një nga dizajnerët më të famshëm që më ka inspiruar mua në atë kohë, që fillova të kuptoj se çfarë është dizajni. Marini ka shpirt artisti, ndërsa Diori është më ekzakt në gjërat që bën dhe konceptet e tij. Marini i do dhe i ndjen shumë ngjyrat, i pëlqen të pikturojë ose të ngjyrosë sipas stilit të tij. Ndërsa, Diori edhe në qoftë se e bën të njëjtën gjë mund të harxhojë më shumë kohë, por do ta bëj ekzakt, ashu siç është. Janë të dy në fazën e shumë pyetjeve që duan shume përgjigje, dhe mund ta merrni me mend që një pyetje mund të bëhet dy herë dhe i kthehet përgjigja dy herë. Pra, dy karaktere të ndryshme kërkojnë sjellje të ndryshme në të njëjtën kohë.
Bebaime: Si keni reaguar në momentin e parë kur keni kuptuar se jeni shtatzënë?
Enkelejda Shatri: Unë jam gëzuar shumë kur e kam marrë vesh për shtatzëninë e parë, edhe pse nuk e kam marrë me çfarë obligimesh dhe përgjegjësish ka një nënë ndaj fëmijës së saj. Por, mund të them të njëjtën ndjenjë e kam pasur kur e kam marrë vesh për binjakët. Por, në këtë rast gëzimi ishte i përzier me shumë ndjenja të tjera. Frikësohesha që a do t’ia dilja mbanë, dy bebeve në të njëjtën kohë dhe nga përvoja që kisha me Adean, që në atë kohë ishte 10 vjeçe kisha ndjenjën më të madhe të përgjegjësisë dhe ndoshta kjo më frikësonte pak.
Bebaime: Si ju kanë kaluar shtatzënitë?
Enkelejda Shatri: Fatkeqsisht jo mirë, sidomos me binjakët. Më është dashur të qëndroj gati 5 muaj në spital në monitorim të stafit mjekësor. Ka qenë një kohë shumë e vështirë për mua. Por, është ndjenja, dëshira dhe vullneti i nënës, i cili më ka shoqëruar në 7 muajt e shtatzënisë time dhe që sot i kam në shtëpi binjakët e mi të mrekullueshëm. Dua ti falënderoj pa masë mjekët dhe infermierët e klinikës së Gjinekologjisë, sidomos ata të repartit të Patologjisë këtu në Prishtinë dhe Klinikën e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë "Koço Glozheni", në Tiranë.
Bebaime: Sa ka ndryshuar jeta juaj që nga lindja e fëmijëve?
Enkelejda Shatri: Çdo gjë ndryshon nga linda e fëmijës së parë. Tashmë unë nuk mendoj dhe nuk funksionoj si çift, por si familje. Koha ime nuk është më vetëm e imja. Por, një pjesë e madhe është e fëmijëve, një pjesë e partnerit dhe një pjesë e vogël mbetet për mua. Prindërit tanë na kane mësuar një gjë shumë të shtrenjtë. Të bëhemi prindër të mirë dhe ne po mundohemi ta zbatojmë atë. Pra, investimi që prindërit tanë e kanë bërë te ne, po ua kthejnë fëmijëve tanë.
Bebaime: Po momenti kur për herë të parë u bëtë nënë si ka qenë?
Enkelejda Shatri: Mendoj që ndjenja kur bëhesh nënë si për herë të parë dhe për herë të tjera, është e njëjtë e pa përshkrueshme. Është një miks ndjenjash, dashuri, dhembshuri, kënaqësi, përgjegjësi e ndoshta shumë të tjera.
Bebaime: Te fëmija e parë të gjithë prindërit janë të themi të papërgatitur dhe gjithmonë u duhet ndihma e dikujt në rritjen e fëmijës. Juve u ka ndihmuar dikush te fëmija i parë?
Enkelejda Shatri: Jo vetëm te i pari, por te të tre fëmijët kam pasur ndihmën e pa lodhur të prindërve të mi, të nënës sime, sidomos, por edhe të familjarëve të tjerë të familjes së burrit. Nëna ime ka dhënë mundin dhe kujdesin e madh për fëmijët e mi, njësoj si gjyshja ime e mrekullueshme për mua dhe motrat e mia. Dhe, ndoshta dhe unë do të bëhem një gjyshe e mirë dhe e kujdesshme për nipat dhe mbesat e mia, sikurse gjyshja dhe nëna ime.
Bebaime: Na tregoni momentet e parë kur keni pasur në dorë fëmijën tuaj të parë. Cilët kanë qenë fjalët tua të para?
Enkelejda Shatri: Për Adean kanë qenë fjalët "sa e bukur qenke, të lutem mos qaj", sepse në atë moment po qante. Fjalë të shoqëruara me lot gëzimi dhe frikë në të njëjtën kohë.
Bebaime: Si ia arrini që të kujdeseni për fëmijët dhe të merreni me gjithë punët e shumta që keni?
Enkelejda Shatri: Më ndodh shpesh të ma bëjnë këtë pyetje, sidomos nënat e reja. Mund të them që çdo gjë arrihet në jetë me vullnet të madh. Tashmë jam mësuar që të planifikoj dhe të ndaj kohën në mënyrë sa më produktive në punë dhe në shtëpi. Ndonjëherë ngelet diçka pa bërë, por ajo nuk i përket në asnjë mënyrë fëmijëve, familjes. Ndonjëherë pak punës dhe shpeshherë personit tim. Jam e kënaqur me jetën që bëj, edhe pse asnjë jetë nuk është perfekte, por rëndësinë më të madhe në jetë e kanë fëmijët dhe jeta bashkëshortore.
Bebaime: Keni menduar në të ardhmen ta zgjeroni familjen edhe me ndonjë fëmijë tjetër?
Enkelejda Shatri: Unë i dua shumë fëmijët, ata janë lumturia e çdo familjeje. Për mua janë engjëj të dërguar nga Zoti në tokë dhe duhen trajtuar ashtu. Por, duhet të kemi kujdes në numrin e tyre, të sjellim në jetë aq fëmijë sa mundemi për t’u krijuar mirëqenie të nevojshme. Dhe unë mendoj që një familje me tre fëmije për mua është e kompletuar. Por, nuk jam kundër numrit më të madh ose më të vogël. Une e kam realizuar ëndrrën time. Gjithmonë më kanë pëlqyer familjet me tre fëmijë dhe ato që i kanë pasur pikërisht dy djem dhe një vajzë.
Bebaime: Cila është këshilla juaj për nënat dhe gratë që janë shtatzëna?
Enkelejda Shatri: Përkundër gjithë atyre vështirësive dhe detyrave që i dalin çdo nëne dhe që unë i përmenda më lart: Mendoni që një ditë do të keni në krahët tuaj një foshnje që do të ketë aromën e parajsës, që të parit person që do ti dhurojë buzëqeshjen je ti, nëna e tij ose e saj. Fjalën e parë që do të thotë në jetë është mami ose nënë, që hapat e para do ti hedh drejt teje, që vjershën e parë do të ta recitoje ty, edhe pse me fjalët e cunguara po që vetëm ti e merrë vesh atë gjuhë. Që peshën e parë që do të marrë në shkollë do të ta tregojë ty të parës, që simpatinë e parë do të ta tregoj ty të parës dhe që çdo brengë tënden do të ta kuptoj i pari, edhe pse ti do të mundohesh ta fshehësh atë. Edhe pse kur të rritet do të udhëtojë në ëndërimet e veta dhe në botë dhe ti do të merakosesh shumë për të: Mos harro ti do te jesh gjithmonë qendra e botës për të, zbukuroja, pra botën fëmijës tënd.
Intervistoi: TEUTA SINANAJ