Alketa Gashi është moderatore e programit të mëngjesit në RTK, por moderon edhe programe të tjera në këtë televizion. Ajo përpos moderimit, është edhe shkrimtare e suksesshme. Deri tani ka botuar katër libra, kurse në muajin janar të vitit 2015 do ta botojë librin e saj të pestë. Në këtë intervistë Alketa flet për familjen, fëmijët e saj dhe për shumë gjëra interesante.
Bebaime: Alketa, të gjithë ju njohin si moderatore e programit të mëngjesit në RTK, por pak dinë për familjen tuaj. Na tregoni me disa fjalë për familjen tuaj?
Alketa Gashi: Ju falenderoj që shprehët interesim të njiheni edhe me anën time më të çmuar, më të begatë dhe më të bukur, atë të qenit nënë e fëmijëve të mi të mrekullueshëm, por edhe bashkëshorte dhe shoqja më e ngushtë e burrit tim! Me tim shoq u bënë një dekadë bashkë, dhe me ndjenjë e pasion si në fillim fare. U bënë 6 vjet që kemi formuar një familje të vogël, por të bukur, ku sinqerisht mbizotëron dashuria dhe respekti i ndërsjellë!
Bebaime: Sa fëmijë i keni. Si i kanë emrat dhe çfarë moshe kanë?
Alketa Gashi: Ne kemi dy fëmijë, dy engjëj që na e kanë zbukuruar jetën, me shëndetin, rritën, edukatën dhe aftësitë e tyre deri tani. Molosia, është gëzimi ynë i parë që sapo ka mbushë gjashtë vjet dhe po vijon mësimin parashkollor në qendrën e gjuhës angleze dhe Folea që edhe pak ditë mbushë katër vjet dhe që jo çdo ditë dëshiron të shkoj në kopsht!
Bebaime: Na tregoni çfarë gëzimi pati në jetën tuaj kur për herë të parë u bëtë nënë. Si ishte ai moment?
Alketa Gashi: Ah... sa bukur ishte...në fakt isha shumë e re, 21 vjeçare kur kuptova se po prisja një bebe dhe se brenda meje po frymonte një zemër tjetër, prodhim i një ndjenje të pastër e të bekuar. Ardhja e Molit në jetë vazhdon të mbetet momenti më i çmuar. I lutesha Zotit për shëndetin e saj, e doja të bardhë me sy bojëqiell, me flokë kaçurrela, por erdhi edhe më e bukur për të pushtuar zemrat e të gjithë familjarëve tanë. E kujtoj me shumë kthjelltësi që në sekondin e parë kur e pash, i putha ballin e vogël dhe i thash: paç shëndet e fat, nanë! Ajo vazhdon të më kënaq çdo ditë!
Bebaime: Duket se jeni nënë e përkushtuar?
Alketa Gashi: Absulutisht shumë, bile me shumë siklet! Për mua, përkujdesja dhe përkushtimi ndaj fëmijëve të mi është parësore! nuk diskutohet. Dua ta kem nën kontroll çdo dimension të tyre, derisa ato të kuptojnë rrugën e duhur të jetës. Nuk bëjë gjë tjetër veçse mundohem t'ua përcjellë atë lloj edukate që nëna ime ka praktikuar te ne, edhe pse nuk thuhet kot "askush nanës nuk i del hak".
Bebaime: Me kë janë të lidhura më shumë fëmijët me ju, apo bashkëshorten tuaj?
Alketa Gashi: Me të dy, por Faiku natyrisht është më pak se unë në shtëpi dhe si rrjedhoj ne të tria jemi përherë bashkë. Dhe kur babi vjen, ne jemi ushqyer, jemi pastruar, i kemi bërë detyrat, dhe pastaj vetëm luajmë ose shikojmë televizor bashkë, por për të qenë reale, mëngjeset e viteve të fundit, babi Faiku i ka pasur përsipër pasi unë punoj në atë kohë.
Bebaime: Sa ju ndihmon bashkëshorti rreth fëmijëve?
Alketa Gashi: Për të mos thënë shumë, po them mjaftueshëm, (edhe pse do të doja më shumë)! Faiku është tërë ditën i zënë, por megjithë detyrat shtetërore që ka, jam shumë e kënaqur edhe me përkushtimin ndaj meje dhe fëmijëve. Është i ndjeshëm dhe i përkushtuar si natyrë!
Bebaime: Na flisni pak për karakteret e fëmijëve, ju kanë ngjarë juve apo bashkëshortit dhe cila është më ‘kokëforte’?
Alketa Gashi: Është interesant sa shumë ndryshojnë. I shoh përditë dhe rriten e ndryshojnë kaq shumë. Molosia duke qenë një bebe e vështirë, është transformuar në një vajzë me karakter, e qetë dhe shumë e pushtetshme. E Folea, nga një engjëll si bebe, e ka fazën e kokëfortësisë, k?mbënguljes, por gjithsesi janë shumë të arsyeshme të dyja.Njëra është unë, tjetra është Faik.
Bebaime: Sigurisht ju gatuani vazhdimisht fëmijëve, cilin ushqim e pëlqejnë më shumë fëmijët tuaj?
Alketa Gashi: Është e vërtetë se gatuaj, përditë dy lloje ushqimesh minimum. Dua që ato të hanë shëndetshëm, mirë dhe me vlera ushqyese. Ua pëzijë shijet me qëllim, fruta dhe perime kemi absulutisht çdo ditë në rregulloren e shtëpisë dhe e kemi zakon që ta përfundojmë pjatën çfardo që mami gatuan.Mish peshku, brumëra, perime, kombinime të ndryshme. Të gjithë ata që më njohin e dinë se kuzhinën e kam pasion dhe eksperimentoj shumë me ushqimet. Andaj edhe jam më e dobëta në shtëpi (hahahah).
Bebaime: Po bashkëshorti u gatuan ndonjëherë vajzave?
Alketa Gashi: Bashkëshorti di shumë mirë të hajë, por jo edhe të gatuaj. Edhe nëse e bënë ndonjëherë, me shumë rrëmujë! Përgjithsisht ua lë gati në mëngjes herët, që kur të zgjohen të tre bashkë, të hanë pa merak! Por, shumë shpesh edhe i ushqen, sepse ndryshe s'do të mundja dot, ngase jam goxha mirë e angazhuar edhe me të tjera punë pas punës së rregullt.
Bebaime: Cili është mesazhi juaj për prindërit e Kosovës. Si duhet ata ti ushqejnë, edukojnë fëmijët e tyre?
Alketa Gashi: Kam shumë dilema, për cilësinë e gjërave që blejmë, duke u nisë nga buka në furrë! Të gjithë prindërit duan dhe kërkojnë më të mirën për fëmijët e tyre, andaj fillimisht të kemi kujdesin paranatal (gjatë shtatëzanisë), me nëna që nuk pijnë duhan, që ushqehen mirë e më pas të kujdesemi shumë, dhe t'i kemi fëmijët prioritet dhe të mendojmë seriozisht për cilësinë e jetës së tyre.
Bebaime: Keni në plan në të ardhmen ta zgjeroni edhe më shumë familjen tuaj?
Alketa Gashi: Po, patjetër. Nëse kemi shëndet natyrisht. Faiku dhe unë kemi plane në punët dhe profesionet tona, por sigurisht një shtëpi me fëmijë është shtëpia më e bukur në botë!
Bebaime: Me pak fjalë si mund ta përshkruani fjalën nënë?
Alketa Gashi: Unë jam shkrimtare, përveç tjerash, por nuk mundem ta përshkruaj dot! Mbase hyjni ose vetë jeta ose vlera e gjithçkaje. Fakti që një qenie të mbanë në trupin e vet duke të dhënë gjakun e saj, frymën e saj vetëm natyra ka një përshkrim për nënën.
Bebaime: Sa ka peshë kjo fjalë te ju tani kur vetë jeni nënë?
Alketa Gashi: Unë kam qenë vet fëmijë problematik, dhe sinqerisht nuk kujtoj asnjë moment kur mami dhe babi edhe mund të më kenë qortuar. Kur, Molosia ishte e vogël ishte fëmijë goxha si unë, qaja dhe ngushëllohesha vetëm te prehri i mamit tim. I falem Zotit që e kam dhe që ia shoh fytyrën, ia prek dorën e butë, ia shijoj akoma këshillat me shumë adhurim, si mamin, ashtu edhe babin, ngase të dy kanë bërë të jashtëzakonshmen për mua. Sado e çkado që mund të arrijë në jetë, të qenit nënë është bekimi më i madh që Zoti më ka bërë.
INTERVISTOI: TEUTA SINANAJ