Dikur si fëmijë kam admiruar punën e madhe të dy prindërve të mi për të siguruar familjen. Sakrifica sidomos e mamit, e cila në të njëjtën kohë ka punuar dhe ka rritur edhe 5 fëmijë më jep kurajë dhe forcë që të mos ndalem. Do të jap maksimumin tim për t’ju qëndruar pranë kur ata kanë nevojë për mua.
Bebaime.com: Zonjën Blerta Deliu e njohin të gjithë si një deputet mjaft aktive jo vetëm në Kuvendin e Kosovës, por edhe në aktivitetet të ndryshme, mirëpo pak e njohim znj. Blerta se kush është në jetën private? Nga kush përbehet familja juaj?
Blerta Deliu-Kodra: Jam fëmija i parë në familje dhe pas vetëm kam tre motrat dhe vëllain Taulantin. E rritur në Skenderaj, një qytet të vogël, por me shumë histori brenda dhe me shumë kujtime të mira. Babai profesor Matematike dhe mami pediatër me profesion mbesin udhërrëfyesit më të mirë të jetës sime. Jam nënën e dy fëmijëve, Tanës dhe Jonit dhe bashkë me bashkëshortin aktualisht jetojmë në Prishtinë.
Bebaime.com: Me çka merrej Blerta para se të hynte në politikë?
Blerta Deliu-Kodra: Kam përfunduar Fakultetin e Arteve, dhe po ashtu e kam mbaruar edhe masterin. Gjithashtu kam përfunduar edhe një master në Shkenca Politike. Tetë vjet kam punuar në RTK si gazetare dhe prezantuese.
Bebaime.com: Ju ndërlidhët politika me aktrimin dhe a ka pasur raste kur ia keni parë “hajrin”, profesionit tuaj të parë, aktrimit?
Blerta Deliu-Kodra: Politika është e bukur në vendet me demokraci të shëndoshë dhe barazi, politika mund të jetë edhe art me anë të së cilës arrihen qëllimet. Ndoshta fuqia e fjalës publike dhe e daljes para opinionit kanë qenë dy prej segmenteve kryesore për të cilat më ka ndihmuar profesioni.
Bebaime.com: Do të ktheheni pas politikës për tu marrë me aktrim, apo do të mbetet pjesë e karrierës suaj?
Blerta Deliu-Kodra: Do të jem në politikë për aq sa do të kem mbështetjen e qytetarit para të cilit ndjej përgjegjësi dhe obligim. Megjithëse nuk do të shkëputem nga profesioni im. Do t'i rikthehem skenës shumë shpejte me diçka të re.
Bebaime.com: Politikanët janë njerëz që jo pak herë u duhet të punojnë edhe 24 orë, për një femër, grua dhe nënë sa është e vështirë të jesh aktive në politikë dhe një nënë e përkushtuar?
Blerta Deliu-Kodra: Po sikurse shumë gra të tjera edhe unë kam obligimet karshi familjes. Mundohem që të gjej më shumë kohë që të jem me familjen. Ka raste kur nuk mund t’ju gjendem pranë, por gjithmonë koordinoj punët që t’ju gjendem pranë fëmijëve të cilët kanë obligime të shumta në shkollë dhe sikurse fëmijët e tjera kanë edhe kërkesat e tyre.
Bebaime.com: Nga ajo që thatë keni dy fëmijë, një djalë dhe vajzë. Na flisni pak për fëmijët, të çfarë moshe janë?
Blerta Deliu-Kodra: Joni 11 vjeçar dhe Tana 6 vjeçare. Të dy janë karaktere të ndryshme. Joni ngjanë shumë në bashkëshortin, i qetë dhe shumë i matur. Tana më e rrëmbyer dhe dinamike. Janë frymëzimi im dhe ata me gjithë telashet e vogla e plotësojnë ditën time.
Bebaime.com: Ndonëse kanë kaluar disa vite, por momentet e bukura nuk harrohen lehtë, na tregoni se si jeni ndjerë kur për herë të parë jeni bërë nënë?
Blerta Deliu-Kodra: Nënë për herë të parë jam bërë në vitin 2004, dhe është gjëja më e bukur që unë kam përjetuar deri më tani. Joni erdhi në jetë më 3 Mars të 2004 në kohën kur unë po përgatisja shfaqjen e diplomës. Lindja e Jonit më mësoj të dua më shumë, të qaj dhe të lëndohem më shumë, por gjithsesi edhe të jetoj jetën më shumë.
Bebaime.com: Dëshironi që ndonjëri nga fëmijët tuaj të zgjedh rrugën tuaj, atë të politikës?
Blerta Deliu-Kodra: Janë ende të vegjël dhe duhet të rriten e të përcaktohen vetë për të ardhmen e tyre. Mua dhe bashkëshortit si prind na mbetet obligim që të përpiqemi që rruga e tyre për në të ardhmen të jetë më e lehtë. Që të dy duhet të vendosin për vete.
Bebaime: A mendoni se edhe ne si shoqëri duhet ta planifikojmë familjen?
Blerta Deliu-Kodra: Mendoj se nuk ka asgjë të keqe nëse ne si shoqëri vendosim ta planifikojmë familjen.
Bebaime.com: Të qenurit nënë është gjë e jashtëzakonshme, që do shumë mund e sakrificë të bësh për fëmijët tuaj. Çka sipas jush duhet prindërit, të bëjnë që fëmijët të rriten ashtu si duhet?
Blerta Deliu-Kodra: Dikur si fëmijë kam admiruar punën e madhe të dy prindërve të mi për të siguruar familjen. Sakrifica sidomos e mamit, e cila në të njëjtën kohë ka punuar dhe ka rritur edhe 5 fëmijë më jep kurajë dhe forcë që të mos ndalem. Do të jap maksimumin tim për t’ju qëndruar pranë kur ata kanë nevojë për mua.
Bebaime.com: Cili është mesazhi juaj për nënat e reja?
Blerta Deliu-Kodra: Dhuroni shumë dashuri për familjen. Më shumë kohë bashkë dhe më shumë vëmendje për ti dëgjuar të vegjëlit, ata kanë për të thënë diçka edhe përderisa ne gatuajmë.
Bebaime.com: E keni në plan në të ardhmen ta zgjeroni ende familjen?
Blerta Deliu-Kodra: Besoj shumë. Jam rritur në familje me plot motra dhe një vëlla dhe i pëlqej familjet e mëdha, në të cilat ka shumë zhurmë e tollovi, por edhe shumë dashuri.
Intervistoi: TEUTA SINANAJ