Albani njihet si këngëtar shumë i dashur te të gjitha moshat. Karriera e tij muzikore është duke ecur shumë mirë dhe në drejtimin e duhur. Albani është njeri që flet me shumë kënaqësi e pasion për familjen, e sidomos për djalin e tij të sapolindur Lurnin. Në këtë intervistë do të mësoni më shumë rreth jetës së tij private, një Alban krejt ndryshe nga ai i skenës.
Bebaime.com: Alban së pari ju urojmë për lindjen e djalit dhe urojmë të ketë jetë të gjatë e të lumtur?
Alban Mehmeti: Ju faleminderit shume, dashtë Zoti të rriten të gjithë fëmijët me gjithë të mirat e Zotit.
Bebaime.com: Na flisni për ndjenjën e të qenit baba. Si është jeta juaj tani?
Alban Mehmeti: Gjithmonë kur kam pyetur ndonjë shokë që ishte bërë baba, se si ndjehej më thoshin se nuk mund ta përshkruaj dot me fjalë dhe se do ta kuptoja vetëm kur ta përjetoja vet. Dhe kështu më ndodhi edhe mua. Është ndjenje aq e mirë saqë nuk përshkruhet dot me fjalë.
Bebaime.com: Ndonëse jeni këngëtar mjaft i njohur, ju megjithatë keni vendosur që bashkëshortja juaj, Fjolla të lind në QKUK. Pse vendoset kështu?
Alban Mehmeti: Ne së bashku kemi mbledhur shumë arsye që është më e sigurt dhe më përshtatshëm të lindësh në QKUK. Stafi i të cilëve janë në gjendje të përballojnë çfarëdo lloj komplikimi deri në fund. E jo si të ndodh ndonjë kompilim me i ngrit krahët e me thëne nuk dimë çfarë të bëjmë, siç i dimë shumë raste.
Bebaime.com: Si ka shkuar lindja, çfarë përkujdes ka pasur në QKUK?
Alban Mehmeti: Ka qenë një kujdes mjaft i mirë, çdo gjë ka qenë e kënaqshme dhe si përfundim bashkëshortja ime dhe djali kaluan çdo gjë shëndosh e mirë.
Bebaime.com: Na flisni për emrin e djalit, për kuptimin e tij dhe pse vendoset ta pagëzoni kështu?
Alban Mehmeti: Kemi pas shume opsione, mirëpo ndër të gjitha opsionet tjera që i kishim ky ishte më i pa dëgjuari dhe asocon me "Liqejtë e Lurës", në Peshkopi të Shqipërisë dhe kur e kthen mashkullor behet Luran ose Lurn dhe ne kemi pas dëshirë të jetë Lurn.
Bebaime.com: Mund të na përshkruani momentin kur për herë të parë e keni mbajtur djalin tuaj në duar?
Alban Mehmeti: Te them të drejtën ditën e parë kam qenë shumë i hutuar dhe më dukej sikur një ëndërr, pasi që kishim kaluar një stres mjaft të madh derisa lindi Lurni, kurse nga dita e nesërme kam filluar te ndjej atë dashurinë e vërtetë.
Bebaime.com: Ju si prindër të rinj sa jeni interesuar për të gjetur informata, këshilla e materiale të ndryshme për lindjen dhe rritjen e fëmijës?
Alban Mehmeti: Më tepër është interesuar bashkëshortja dhe ka qenë pikërisht portali juaj ku ajo ka gjetur më së shumti informacione dhe gjithnjë na kanë hyrë në punë informacionet nga ju. Për këtë ju falënderoj nga zemra edhe juve për kontributin. Po ashtu ftoj të gjithë prindërit e rinj që të drejtohen te portali juaj, sepse aty mund të gjejnë zgjidhjen e të panjohurave të tyre.
Bebaime.com: Shumë prindër kanë frikë ta marrin në dorë fëmijën e tyre, sepse u duket i vogël. Ka ndodhur kjo gjë edhe me ju?
Alban Mehmeti: Është e vërtetë se ke frikë se e lëndon diçka pasi që është shumë i vogël, mirëpo pasi që nëna ime e lidhi në ato rrobat që lidhet bebja në fillim, atëherë e mora pa problem.
Bebaime.com: Sa jeni i gatshëm ti ndihmoni bashkëshortes në rritjen e djalit?
Alban Mehmeti: Natyrisht jam shume i gatshëm ta ndihmoj në rritjen e djalit, sepse ky është fryt i yni dhe edhe pse jam si tip mjaft dembel këtu nuk përtoj as edhe një minutë ta ndihmoj. Ju e dini që unë jam i angazhuar gjatë gjithë verës çdo ditë, dhe edhe pse vijë zakonisht rreth orës 4 të mëngjesit e gjej zgjuar bashkëshorten dhe qëndroj me ta derisa rehatohen dhe flenë të dy. Kjo madje është gjeja që më jep kënaqësinë më të madhe.
Bebaime.com: Cili është mesazhi juaj për fund, sidomos për prindërit e rinj?
Alban Mehmeti: Së pari lus Zotin që të mos e lë asnjë njeri, asnjë çift pa fëmijë të shëndoshë dhe nuk ka asnjë mesazh ose ndonjë këshillë speciale, thjeshte pritni të ndodh, sepse do të mësoheni vet dhe do të ndjeni kënaqësinë më të madhe që keni ndjerë ndonjëherë në jetën tuaj. Po ashtu ju falënderoj ju për kontributin që po jepni përmes portalit tuaj, ku të gjithë prindërit e rinj mund te gjejnë përgjigjët për nevojat e tyre.
Intervistoi: TEUTA SINANAJ