Saranda Bujupi-Rama është moderatore e emisionit “Familja ime”, në Klan Kosova. Ajo prej vitesh punon në këtë televizion dhe tani udhëheq njërin ndër emisionet më të shikuara në Kosovë. Krahas, kësaj ajo është nënë e përkushtuar, e djalit të saj Nilit. Në këtë intervistë do të mësoni më shumë për familjen e moderatores Saranda Bujupi-Rama.
Bebaime: Të gjithë ju njohin si gazetare dhe moderatore e “Klan Kosova”, por pak dinë për familjen tuaj. Mund të na thoni me disa fjalë nga kush përbëhet familja juaj?
Saranda Bujupi-Rama: Në kohën kur unë isha shtatzënë isha pjesë programit të mëngjesit “Ora 7”, dhe prej ditës së parë të kësaj periudhe e deri në ditën e fundit (3 orë pa lindur) kam qenë çdo mëngjes pranë shikuesve bashkë me gazetarët tjerë, kështu që në atë periudhë të gjithë vetëm e kishin kuptuar që po bëhesha nënë.
Por, për ata që nuk e dinë unë jam nënë e një djali të quajtur Nil dhe gruaja e gazetarit Fidan Rama, i cili punon në Radio Dukagjin.
Bebaime: Që disa muaj keni nisur një emision në “Klan Kosova”, me titull “Familja ime”. Na flisni pak për emisionin. Si lindi ideja për këtë emision dhe sipas jush sa ka plotësuar boshllëkun që ka pasur nëpër tv-të tona për emisionet e tilla?
Saranda Bujupi-Rama: Ideja për të krijuar një emision të kësaj fryme kishte lindur në fakt qysh në muajtë e shtatzënisë, kur unë pothuajse për çdo gjë kisha nevojë për të ditur më shumë për gjëra rreth shtatzënisë, bebes, shëndetit të foshnjës, shëndetit tim, ushqyeshmërisë e shumë çka tjetër, që unë si grua këto informata i kam marr shpesh nga portali juaj Bebaime. Ndërsa, sa i përket pyetjes “A ka plotësuar boshllëkun që ka pasur nëpër tv-të tona për emisione të tilla”, mendoj që po, madje më shumë së që kam pritur. E them këtë duke u bazuar në letrat që na vijnë në faqen zyrtare të emisionit në facebook “Familja Ime Klan Kosova”, klikimeve që na bëhen në youtube në kanalin tonë klankosovaofficial dhe telefonatave që marrim për trajtim e temave të shumta që madje shumë shpesh na propozojnë vetë shikuesit të cilët janë të shqetësuar për ndonjë gjë, dhe ne menjëherë e diskutojmë.
Portali Beba Ime mysafir në "Familja Ime", Klan Kosova
Bebaime: Për çka kryesisht flitet në emision?
Saranda Bujupi-Rama: Emisioni “Familja Ime” ka mision të trajtojë çdo temë e cila ka të bëjë me familjen, që nga planifikimi, krijimi dhe rritja e saj. Përmes emisionit ne përpiqemi të plotësojmë çdo pikëpyetje të secilit prind dhe fëmijë, të largojmë secilin shqetësim, të informojmë për secilin detaj që na ikën nga mungesa e informimit të duhur.
Bebaime: Të flasim më gjërësisht për familjen. Ju keni një djalë, na flisni më shumë për të?
Saranda Bujupi-Rama: Ai është vetë jeta për mua, beso që me këtë fjali të përbërë nga këto pak fjalë të thjeshta secila nënë do të kuptonte që ky është përshkrimi adekuat i fëmijës. Përndryshe djali im, Nili tani me 17 Prill i mbush tre vjet.
Bebaime: Shumë nëna kanë drojë që t’ia besojnë dikujt për t’ia lënë fëmijën e tyre në mbikëqyrje kur vjen koha rë rikthehen në punë. Ju e keni pasur vështirë?
SarandaBujupi-Rama: Shumë vështirë. Ka qenë vendim të cilin e kam peshuar gjatë, por që kam ardhur në përfundim që për ti siguruar atij jetë më të mirë nuk guxoj të lë punën time. E gjithë këtë dilemë, këtë vendim që më ka bërë të vuaj sa herë që e lija dhe shkoja në punë ma ka lehtësuar nëna ime, e cila lirisht mund të them që e ka rritur Nilin njësojë sa unë, ajo ishte si nënë e dytë për të.
Bebaime: A gatuan ndonjëherë bashkëshorti për djalin?
Saranda Bujupi-Rama: Tani po, por jo në kohën sa ishte foshnje e vogël, kur unë atij i zieja fruta dhe perime të kombinuara duke i anashkaluar komplet ushqimet e konservuara, në atë kohë Fidani kishte frikë se mos nuk e bënte kombinimin dhe bluarjen e duhur dhe kurrë nuk përzihej në këtë drejtim.
Bebaime: Sa ju ndihmon bashkëshorti rreth fëmijës?
Saranda Bujupi-Rama: Shumë. Unë në fakt nuk e konsiderojë ndihmë, gjesti i tij për të bashkëpunuar në rritjen e Nilit është thjesht dashuria që ka ai si prind dhe bashkëshort për familjen e tij. Kujdesi dhe përgjegjësia e tij me marrjen e djalit është thjesht pjesë e rolit si babë, dhe jo ndihmë. E bënë se e ndjenë ta bëjë, sikur unë që e ndjej, në fund fare ne bashkë e krijuam atë.
Bebaime: Si mund të na përshkruani momentet e ardhjes së fëmijës tuaj në shtëpi. Jeni frikësuar se mos nuk do t’ia dilni, kush ju ka ndihmuar në ditët e para?
Saranda Bujupi-Rama: Jam frikësuar shumë madje, edhe pse para lindjes mendoja që i kam mësuar të gjitha gjërat duke lexuar libra dhe portale për bebe dhe shtatzëna, megjithatë prekja dhe kujdesi ndaj një krijese të vogël të mrekullueshme që hap të gjitha dyert e lumturisë dhe dashurisë ishte përgjegjësi e madhe. Por, me ndihmën e nënës sime i kam kaluar të gjitha.
Bebaime: Nënat janë të lidhur emocionalisht me fëmijët e tyre. Ju ka ndodhur ndonjëherë që edhe ju të qani bashkë me djalin tuaj, në ndonjë rast të caktuar?
Saranda Bujupi-Rama: Uhuuu shumë herë madje, sidomos në tre mujorin e parë kur ai vuante nga shtrëngimet në bark (ngërçet), përkundër faktit që e dija se çfarë ka, nuk i ndalja lotët.
Bebaime: Keni menduar në të ardhmen ta zgjeroni familjen edhe me ndonjë fëmijë tjetër?
Saranda Bujupi-Rama: Po
Bebaime: Na përshkruaj pak se çfarë emocioni keni ndjerë në momentin kur keni kuptuar se do të bëheni nënë?
Saranda Bujupi-Rama: Ishte shtatzëni me plan, dhe e prisja, megjithatë kur lajmin ma kumtoi gjinekologia ime, ishte si lajmi më i mrekullueshëm që kisha dëgjuar gjatë gjithës jetës time. Ai moment vazhdon të më emocionojë sa herë që e kujtojë, madje edhe tani kur po ju përgjigjem juve jam rrënqethur.
Bebaime: Sa ka ndryshuar jeta juaj qe kur lindi djali juaj?
Saranda Bujupi-Rama: 360 shkallë, dhe secili ndryshim ka qenë më i mirë se tjetri. Para ardhjes së fëmijës në jetë, njerëzit jetojnë jetë formale, dhe thjesht mbushin egon e tyre për ëndrrat dhe dëshirat, ndërkohë fëmija është ajo që mbush çdo boshllëk, çdo ëndërr, çdo emocion.
Bebaime: Cila është këshilla juaj për nënat dhe gratë që janë shtatzëna?
Saranda Bujupi-Rama: Mos e konsideroni shtatzëninë si sëmundje, ajo nuk është e tillë. Shtatzënia është një thesar, e cila do ju pasurojë për gjithë jetën. Ndjejeni çdo sekondë të kësaj periudhe, flisni foshnjës edhe në kohën kur është në barkun tuaj, dhe këtë ritëm vazhdojeni edhe kur e/i vogli juaj lind. Flisni, flisni, flisni sa më shumë me të. Ky fakt do iu shpërblejë pas pak muajve të lindjes, kur beba juaj fillon t’ju shikon në sy dhe të mundohet të komunikojë me ju përmes belbëzimeve dhe tingujve që ai arrin ti krijojë me zërin e tij. Unë flas shumë me Nilin, dhe tani ne dy jemi shumë shokë të mirë, bëjmë muhabet, tregojmë njëri tjetrit për paraditet tona.
Intervistoi: TEUTA SINANAJ