Është e vështirë të imagjinohet një prind që nuk hedh qoftë edhe një shikim prej së largu tek fëmija i ndonjë miku të tij, apo tek një foshnjë të cilën ai e sheh në supermarket, duke u munduar ta krahasojë atë fëmijë me të tijin. Kur keni dëgjuar për ndonjë fëmijë që duket më i zhvilluar në një fushë apo në një tjetër, është e natyrshme për t'u shqetësuar – apo të paktën të pyesni veten tuaj – nëse fëmija juaj është "OK".
Kuptohet se ky lloj i të menduarit në fund të fundit nuk është shumë i dobishëm. Çdo fëmijë rritet dhe zhvillohet në ritmin e vet. Mbi të gjitha, rreth moshës gjashtë mujore, zhvillimi fizik dhe ai që lidhet me të folurin, mund të ndryshojë në mënyrë të konsiderueshme nga fëmija në fëmijë.
Nëse keni shqetësime lidhur me zhvillimin e fëmijës tuaj, është më mirë për ju që të mësoni më shumë në lidhje me afatet kohore normale të zhvillimit, se sa të përdorni si referencë foshnjat e tjera. Madje edhe atëherë, listat e arritjeve të zhvillimit, janë vetëm një udhëzues i përgjithshëm. Fëmija juaj mund të humbasë pak nga afati kohor për shkak se ai është përkohësisht duke u përqëndruar në një aftësi më shumë se në një tjetër, ose thjesht atij mund ti duhet edhe pak kohë shtesë. Ndihuni rehat duke ditur se vetëm pse fëmija duket të lëshohet në një fushë, nuk do të thotë domosdoshmërisht se ai ka një zhvillim të vonuar. Por besojini edhe instinktit tuaj – nëse jeni ende të shqetësuara, bisedoni me mjekun tuaj.