Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Joga në shtatëzani

A preferohet joga për shtatëzënat?

Joga është një mënyrë e përkryer që gruaja të mbetet aktive dhe elastike edhe gjatë shtatëzanisë. Me vet faktin që gjatë jogës mësohet frymëmarrja në mënyrë të drejtë, kjo është shumë e dobishme për shtatëzënat. Joga përmirëson qarkullimin e gjakut, zvogëlon të përzierat e mëngjesit, lodhjen, jodisponimin, zvogëlon dhembjen e këmbëve,dhe rrit energjinë.

Ushtrimet e jogës para lindjes ndihmojnë që muskujt e mitrës të lirohen, gjë që ndihmon dhe lehtëson lindjen.

Nëse keni ndonjë dyshim në lidhje me ushtrimet, konsultohuni me gjinekologun tuaj apo instruktorin e jogës, sepse ata më së miri mund të ju këshillojnë dhe zgjedhin dilemat tuaja.

A është e sigurtë të ushtrohet joga gjatë shtatëzanisë?

Po, me disa përjashtime të disa ushtrimeve që nuk duhet bërë. Për këtë arsye është mirë që ushtrimet ti praktikoni në prani të instruktorit, sidomos nëse jeni fillestare. Nëse ushtroni një kohë më të gjatë, konsultohuni me instruktorin nëse keni ndonjë mëdyshje.

Poashtu mos bëni ushtrime të cilat nuk ju ndihmojnë apo nuk ju bëjnë të ndjeheni mirë derisa i bëni. Nëse ju vjen për të vjellë apo keni ndonjë dhembje gjatë apo pas jogës, ndërpreni ushtrimet dhe konsultohuni me mjekun.

A mund të ushtroj gjatë nëntë muajve të shtatëzanisë?

Ushtrimet joga për shtatëzënat janë kombinime të ushtrimeve për forcim të trupit. Në këtë mënyrë rritet fuqia dhe qëndrueshmëria, prandaj ky është një ushtrim i përkryer i cili ju pregatit për nevoja fizike, emotive dhe mentale të shtatëzanisë dhe lindjes. Pozitat gjatë ushtrimeve janë të modifikuara për të gjitha fazat e shtatëzanisë, prandaj mund ta praktikoni gjatë nëntë muajve të shtatëzanisë, por gjithsesi në prani të instruktorit.

Nuk duhet të bëni ushtrime të cilat i forcojnë ushtrimet e barkut (sepse barku duhet tërë kohën të jetë i lirë) dhe shtypin mitrën.

Nëse më parë nuk kam ushtruar joga, a mund të filloj gjatë shtatëzanisë?

Nëse kurrë më parë nuk keni ushtruar joga, në shtatëzani mund të filloni por gjithsesi nën mbikqyrje të instruktorit, i cili do të ju udhëzojë se çfarë ushtrimesh mund të bëni dhe si ti bëni në mënyrë të drejtë.

Mos bëni ushtrime me anë të manualeve apo videove të ndryshme për arsye se në atë mënyrë askush nuk mund të ju kontrollojë nëse jeni duke ushtruar në mënyrë të drejtë.

Çfarë paisjesh më duhen për të ushtruar joga?

Shumë me rëndësi është që të visheni komod, që të mund të bëni lëvizje shlirshëm. Pambuku dhe likra janë zgjedhja më e mirë. Përveç kësaj, duhet të keni me vete asurën për pod që të mos rëshqitni, që të parandaloni lëndimet. Nëse doni komoditet më të madh, atëherë mbi asurën mund të vendosni ndonjë peshqir më të trashë apo ndonjë batanije.

Në çfarë rastesh nuk preferohet joga?

Në disa raste nuk duhet praktikuar ushtrimet e jogës apo pozita të caktuara ushtrimesh. Si psh. në shtatëzanitë me binjakë apo me më shumë foshnja, në raste me tension të lartë, me ndonjë sëmundje serioze, nëse kanë patur lindje të parakohshme apo abort spontan (në tremujorin e dytë) apo kanë gjakderdhje vaginale nuk do të duhej të ushtronin joga.

Megjithëse, ushtrimet e frymëmarrjes, të lirimit dhe meditimit i preferohen të gjitha shtatëzënave pa limitime.

Cilat pozitat nuk duhet ushtruar?

• Rrotullimi, sidomos duhet shmangur ana e barkut

• Shmangni pozitat si qëndrimi në kokë, duar apo shpatulla

• Duhet shmangur pozitat të cilat forcojnë muskujt e barkut

• Qëndrimi shtrirë në bark nuk rekomandohet, sidomos pas tremujorit të parë, por poashtu edhe qëndrimi shtrirë në shpinë

• Gjatë pozitës ku nevojitet balansi, keni kujdes ta keni komfort dhe të mos ndjeni presion

Këshilla për ushtrime gjatë tremujorëve

Tremujori i parë:

Në tremujorin e parë duhet të keni shumë kujdes gjatë ushtrimeve, sa më shumë pushime në mes të ushtrimeve. Dëgjoni trupin tuaj dhe duhet të dini kur të ndaleni të pushoni.

Gjithashtu, tek ushtrimet e lirimit, në vend të shpinës shtrihuni anash, që të mos bëni shtypje në enën e gjakut e cila e kalon gjakun nga mitra në zemër. Poashtu, mos haroni të pini sasi të mjaftueshme të ujit, para, gjatë dhe pas ushtrimeve.

Tremujori i dytë:

Në tremujorin e dytë do ta ndjeni rikthimin e energjisë, pas rënjes së lehtë në tremujorin e parë. Megjithatë, gjatë pozitave të qëndrimit në këmbë duhet të mbaheni për mur apo për ndonjë karrige sepse mund të ndodh që të keni marramendje. Qëndrimi shtrirë në bark apo në shpinë nuk preferohet në këtë periudhë.

Tremujori i tretë:

Në tremujorin e tretë duhet ti kushtoni vëmendje të veçantë teknikave të frymëmarrjes. Mund të paraqet problem mbajtja e balansit, prandaj gjithmonë duhet të mbaheni për mur apo për ndonjë karrige. Të gjitha ushtrimet bëjini ngadalë dhe me kujdes, me pushime të gjata.

/komuniteti