Si viti i dytë i jetës, ashtu dhe i treti, shpesh quhen nga prindërit edhe vitet e tmerrshme-nazet dhe kundërshtimet janë të përditshme, si për ushqimin ashtu edhe për situate të tjera. Në fakt në këtë mënyrë fëmija arrin të formojë personalitetin e tij, pra duhet të keni durim.
Mendoni se si ndihet një fëmijë në këtë moshë që ecën, vrapon vetë, në krahasim me kohën kur varej nga prindërit. Ai po shijon “fitoret” e tij dhe kjo i shton besimin në vetvete duke thënë: “tani eci vetë, shkoj ku të dua unë”. Po kështu ai kënaqet duke thënë “tani ha sa dua vetë dhe ha atë që dua”. Prandaj në këtë kohë duhet të përpiqemi ta mësojmë të ushqehet i lirë, pa e detyruar të hajë gjithmonë atë që i japim ne.
Shumë prindër janë të shqetësuar rreth ushqyerjes së fëmijës së tyre në këtë moshë. Fëmijët bëhen nazeli, duan vetëm disa ushqime, nxjerrin ushqimin etj. Duhet të kuptoni se kjo është normale dhe “do të kalojë”. Sigurisht nuk ka dy fëmijë njësoj dhe ka dallime midis fëmijëve, edhe në të njëjtën familje. Fëmija mund të ndryshojë sjellje në mënyrën e të ushqyerit, çdo 6 muaj. Po kështu, modelet e rritjes ndryshojnë shumë. Një fëmijë mund të rritet emocionalisht dhe fizikisht më shpejt se një tjetër.
Prandaj kini parasysh se këshillat që do të gjeni më poshtë për ushqyerjen, mund të mos t’i përshtaten plotësisht fëmijës suaj.
• Në këtë periudhë është përmirësuar shumë kontrolli i muskujve; fëmijët mund të përdorin me lehtësi një lugë dhe pirun; kontrollojnë mirë filxhanin, apo gotën, megjithëse ndonjëherë e derdhin.
• Shpesh kërkojnë dhe pëlqejnë të ëmblat.
• Në përgjithësi pëlqejnë perimet e gjalla, por mund të mos pranojnë të hanë sallatat.
• Perimet me ngjyrë jeshile i pëlqejnë më shumë të gatuara.
• Mund të bëjnë zgjedhje të thjeshta të llojeve të ushqimeve, për shembull “do një pjeshkë apo një dardhë?” Kanë pak oreks; kjo luhatet midis periudhave të rritjes; dreka është shpesh vakti i preferuar.
• Oreksi ndoshta është pak më i mirë se disa muaj më parë, por ende nuk është ajo që shumë prindër (ose gjyshet) mendojnë se duhet të jetë. Shprehja “Fëmija im nuk ha fare” është një ankesë e zakonshme kur fëmija shkon për vizitë kontrolli tek mjeku.
• Mund të kenë nevojë që midis vakteve të hanë diçka.
• Ndonjëherë i përshkruajnë si nazeli; shpesh ka gjëra që i pëlqejnë shumë apo nuk I pëlqejnë aspak (të cilat duhen respektuar); mund të pëlqejnë vetëm disa ushqime si reçeli, sanduiçet, makarona, djathi.
• I pëlqejnë ushqime të thjeshta që i “njeh”; nuk i pëlqejnë përzierjet; dëshiron ushqimet që i shërbehen në një mënyrë të njohur për të.
• Gjatë kohës që ushqehet, fëmija ndonjëherë kërkon më shumë vëmendjen e prindërve dhe ende në mjaft raste sorrollatet e luan me ushqimin!
• Kujdes! Mënjanoni arrat, karamelet e forta, kokrrat e rrushit, perimet e forta të gjalla. Kontrolloni ëmbëlsirat dhe mënjanoni ushqimet që nuk kanë asnjë vlerë ushqyese.