Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Gjashtë rregulla të sjelljes për të krijuar zakonet e shëndetshme të ushqyerjes

Bëni që çdo kafshatë të ketë vlerë

Gjithçka që ha fëmija duhet të jetë e ushqyeshme. Ky rregull fillon që kur fëmija është në barkun e nënës dhe më tej kur e ushqeni me gji, kur ai ha ushqimet e familjes dhe kur ushqehet vetë. Fëmijët mund të jenë nazeli dhe me oreks të lëkundshëm, kështu sigurohuni që gjithçka që ata hanë, të jetë me të vërtetë e mirë për ta. Lërini mënjanë ushqimet pa vlera, si karamelet, pastat, çokollatat, patatinat etj.

“Po dëshira dhe kënaqësia e fëmijës?” do të pyesni ju. Në stomakun e vogëlushit ka shumë pak vend për të mbajtur ushqime, prandaj mendoni me kujdes kur e mbushni atë. Shpesh më shumë kënaqen prindërit që shikojnë fëmijët të hidhen përpjetë nga gëzimi për një çokollatë, se sa vetë fëmijët.

Fëmija juaj mund të gëzohet dhe kënaqet me shumë mënyra dhe vende të tjera - dhe jo duke i dhënë ushqime të kota.

Fshijeni fjalën “ëmbëlsirë” nga fjalori i ushqimeve dhe përdorni me kujdes fjalën “gostitje”

Jepini fëmijës ëmbëlsira të shëndetshme, kështu gjëra të vogla të ëmbla, si frutat dhe kosi mund të bëhen pjesë e një vakti ushqimi dhe jo si shpërblim në fund të ngrënies për fëmijën që e mbaroi të gjithë pjatën. Përsëri është prindi që kënaqet kur i jep një “tortë”, ose “e gostit fëmijën me akullore”, se sa fëmija dy-tre vjeç, që nuk do të shqetësohet aq shumë në se nuk do të hajë një akullore.

Jini këmbëngulës, por jo me luftë

Një fëmije mund t’i duhet pak kohë sa të pëlqejë një ushqim të ri. Filloni ushqimin e ri me qetësi dhe ëmbëlsi dhe prisni deri sa fëmija ta provojë vetë. Mos kërkoni me çdo kusht që ata të provojnë diçka që nuk duan dhe asnjëherë mos i detyroni ta mbarojnë deri në fund pjatën e tyre. Koha e ngrënies nuk duhet të jetë kohë lufte. Ata do të hanë në se kanë nevojë për të ngrënë.

Nëse gjatë ngrënies ju do të filloni një betejë me fëmijën tuaj, të cilën nuk do ta fitoni asnjëherë, rrezikoni të ardhmen e fëmijës. Çështja është ta mësojmë të ushqehet në mënyrë të shëndetshme. Prandaj zhvillimi i zakoneve të shëndetshme të ngrënies është kaq i rëndësishëm.

Thyeni rregullat që na kanë mësuar prindërit tanë

Shumë nga ne mbajnë mend kohën e vegjëlisë, kur nëna na hidhte ushqimin në pjatën e mbushur plot dhe priste që ta hanim me çdo kusht, deri në lugën e fundit. Dhe nuk mund të kundërshtonim, sepse shpejt ne kuptonim se nëse nuk do të hanim atë që po na servirej, do të mbeteshim të uritur dhe do të dënoheshim, nuk do të na linin të luanim më vonë, apo do të shkonim për të fjetur herët në shtrat.

Kështu, ne fëmijët në darkë rrinim të ulur vetëm në tavolinë deri sa të mbaronim pjatën me bizele, e mësonim të hanim pa bërë as më të voglin kundërshtim.

Tani ne e dimë sa shkatërrimtare mund të jetë kjo. Shumë çrregullime të ngrënies tek të rriturit fillojnë që në fëmijëri dhe shumë persona që vuajnë nga këto probleme, mund t’i mbajnë mend këto çaste në tavolinën e ngrënies, kur ishin fëmijë.

Të respektosh faktin që humori dhe shijet e fëmijës tuaj mund të jenë të ndryshme nga ato tuajat, të burrit, të kushëririt etj, do të thotë të mësohesh të thyesh rregullat e rrepta dhe tradicionale të “ushqyerjes së familjes”.

Lëreni fëmijën tuaj të hajë një ushqim të shëndetshëm që i pëlqen, ndërsa pjesa tjetër e familjes tuaj po ha mishin me qepë (që sigurisht ju e keni gatuar shumë mirë).

Për aq kohë sa ushqimi që ai pëlqen është i shëndetshëm, lëreni fëmijën të zgjedhë ushqimet e tij dhe mos krijoni problemet që na krijonin prindërit tanë. Kjo do të forcojë më shumë respektin për ushqyerjen e shëndetshme.

Çdo njeri ka nevojë të hajë mëngjes

Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës për të gjithë, pra edhe për fëmijët. Mosngrënia e mëngjesit mund të ndikojë në gjallërinë e tyre për gjatë gjithë ditës dhe krijon një spirale pa fund, fëmija është shumë i lodhur që të hajë, shumë i uritur që të pushojë në drekë, e kështu më tej.

A do të donit ju të kishit një fëmijë të uritur dhe të lodhur në krahët tuaj?

Shumë studime dhe vetë prindërit kanë vënë re faktin se një mëngjes i ushqyeshëm e ndihmon më mire funksionimin e trurit tek një fëmijë.

Shumë shenja që flasin për dyvjeçarin “e tmerrshëm”, lidhen edhe me urinë. Mëngjesi duhet të përmbajë proteinat e duhura për energjinë, që parandalon këputjen e fëmijës në mesditë. Parandalimi është kyç, sepse një fëmijë i stërlodhur nuk do të hajë dhe ju nuk do ta arrini ta ushqeni.

Mësoni nga fëmija juaj

Fëmijët tanë dinë më shumë se sa besojmë ne. Disa fëmijë janë shumë të mirë, sepse i tregojnë prindërve të tyre se çfarë duan të hanë, dhe sa shumë duan të hanë.

Lërini fëmijët të mësohen si të dëgjojnë shenjat e trupit të tyre.

Fëmijët asnjëherë nuk duan të përshtaten me rregullat e një personi tjetër. Mësohuni herë pas here të ndiqni rregullat e fëmijëve tuaj … dhe ata mund t`ju habisin më tej me sjelljen e tyre.

 

© Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë

/komuniteti