Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Aktivitete që mund të kryhen së bashku me fëmijët e vegjël për të nxitur ushqyerjen e shëndetshme

Lojëra

Albumi: fëmijët presin figura të ushqimeve të shëndetshme nga revista dhe i ngjisin në një fletë, duke formuar kështu një album me figura. Më tej diskutojnë rreth ushqimit në figurë.

Përshtatja: kërkojini fëmijëve të presin figura ushqimesh dhe t’i ngjisin në një fletë, duke përshtatur ushqimet që i përkasin të njëjtit grup ushqimor, për shembull të gjitha frutat, si mollët, dardhët, vendosen bashkë.

Kujtesa: vendosni në një tabaka disa ushqime dhe kërkojini fëmijëve të mbajnë mend emrat e tyre. Mbas dy minutave mbuloni tabakanë dhe u thoni fëmijëve të kujtojnë ushqimet që panë me parë.

Ndarja: Mblidhni pako boshe të prodhimeve ushqimore, figura nga ushqimet e përditshme dhe kërkojini fëmijëve që t’i ndajnë në: ushqime që u pëlqen t’i hanë tani dhe ushqime që u pëlqen t’i shtyjnë për më vonë. Diskutoni me ta për zgjedhjet që bëjnë.

Tematika ditore

Është një ide shumë e mirë që një herë në javë të organizoni në shtëpi ditë tematike. Merrni një lloj ushqimi që keni gatuar, ose zgjidhni një ngjyrë dhe organizoni si temën e ditës aktivitete për të mësuar rreth ushqimit e ushqyerjes. Për shembull: molla, buka, ngjyrat e ylberit, qumështi, dyqani, perimet etj.

Mbani mend se kur planifikoni aktivitete për ushqyerjen e shëndetshme, fëmijët e vegjël mësojnë duke u mbështetur mbi njohuritë dhe eksperiencat e kaluara. Studimet kanë treguar se fëmijët nën pesë vjeç mund të kuptojnë mire një informacion shumë të detajuar rreth ushqimeve të shëndetshme, nëqoftëse bazohet mbi atë që kanë mesuar deri tani.

Gatimi me fëmijët

Të ndihmonit nënën tuaj të gatuante, është ndoshta një nga kujtimet më të bukura që mbani mend gjatë viteve parashkollore. Kujtoni se ajo ishte mjaft e duruar! Fëmijët e vegjël shpesh duan të bëjnë atë që po bëni ju.

 

Përfshijeni fëmijën në përgatitjen e ushqimeve, bëjeni këtë zbavitëse dhe ju do të forconi zhvillimin e fëmijës duke i:

• dhënë mundësinë të fillojë të pranojë përgjegjësinë për zakonet e veta të ngrënit

• mësuar ndjenjën e mrekullueshme të arritjes së diçkaje, të suksesit, fitores.

 

Përgatitja dhe gatimi i ushqimit përfshin dhe zhvillon të gjitha llojet e aftësive të fëmijës:

• Aftësitë sociale: dëgjimi, shkëmbimi, respektimi i radhës, pavarësia, përgjegjësia për veten.

• Aftësitë fizike sipas moshës: në moshën 2 vjeç - kruarja, fërkimi, ushqyerja dhe në moshën 3 vjeç -përzierja, derdhja, ndarja.

 

Gatimi së bashku me fëmijët nuk është diçka që bëhet në moment. Ai kërkon një planifikim të vogël. Mendoni me parë rreth recetave, filloni thjesht me një vezë të rrahur, të skuqur, apo diçka që nuk ka nevojë të gatuhet, si për shembull një sallatë frutash.

 

© Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë

/komuniteti