Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

A duhen dhënë çokollatat, biskotat apo patatinat?

Fëmijët e moshave 1-3 vjeç i shikojnë këto ushqime që mund të jenë shumë të kripura apo të ëmbla, me yndyrë, të reklamuara nëpër dyqane, ose në televizor. Këto ushqime nuk kanë asnjë vlerë ushqyese, prandaj mund të jepen vetëm në raste të rralla festash, banketesh.

Për të mos pasur probleme me fëmijët tuaj, mos i mbani këto ushqime në shtëpi. Nëse fëmija do t’i shikojë dhe nuk do t’i hajë, mund të jetë me të vërtetë një problem për ju dhe atë.

Ju përsëri duhet të jeni një prind model dhe të ushqeheni me ushqime të shëndetshme në vaktet e ndërmjetme, si dhe të bleni vetëm me raste ushqime që nuk kanë asnjë vlerë ushqyese.

Shumë prindër kanë vënë re se fëmijët e tyre ndikohen shumë nga ajo që dëgjojnë apo shikojnë në televizor, radio etj.

Fëmijët e vegjël besojnë gjithçka që shikojnë në televizor. Ato nuk e kuptojnë reklamën, zbavitjen, tregtinë etj. dhe prindërit shpesh e kanë të vështirë të kundërshtojnë ngrënien e këtyre prodhimeve të reklamuara dhe dëshirën natyrale të fëmijës për të ëmbla, së bashku me kënaqësinë që ai ndjen nga ngrënia e tyre.

Një tjetër shqetësim në rritje i prindërve është shtimi i ushqimeve që quhen “ushqime të shpejta” si sufllaqe, hamburger, të cilat sot tregtohen në shumë dyqane ushqimore. Gjithnjë e më shumë fëmijët në këtë moshë lihen në duart e kujdestarëve të çerdhes, gjyshërve, kujdestarëve në shtëpi etj. Shumë prej tyre nuk e bëjnë detyrën e tyre për t’i dhënë fëmijës një ushqyerje të shëndetshme sepse nuk arrijnë ta bëjnë, apo nuk u intereson. Ju duhet të vëzhgoni së bashku me kujdestarët e fëmijës se me çfarë ushqehet fëmija, ashtu siç vëzhgoni rritjen dhe zhvillimin e tij.

Duke punuar së bashku, ju do të siguroheni që ushqimi i fëmijës është i përshtatshëm dhe po nxiten zakonet e ushqyerjes se shëndetshme.

 

© Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë

/komuniteti