Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Streptokoku, grup mosha e fëmijëve më të rrezikuar

Streptokoku është shkaktari kryesor i sëmundjes së bajameve, skarlatinës, etheve reumatizmale, por dhe ndërlikimeve më serioze si sëmundje të veshkave, zemrës, etj. Streptokoku është një mikroorganizëm bakterial që shkakton sëmundje infektive tek njerëzit dhe kafshët.

Streptokoku është disa llojesh dhe në bazë të përbërjes strukturore dhe biokimike të qelizës ndahet në 4 grupe; A, B, C dhe D. Streptokoku i grupit A ndahet dhe ai në disa nëngrupe si dhe streptokoku B-hemolitik. Streptokoku B-hemolitik i grupit A shkakton sëmundje si: angina (bajamet), skarlatina (sëmundje infektive), ethet reumatizmale, etj. Streptokoku B-hemolitik prek më shumë fëmijët e grupmoshës 2-8 vjeç e sidomos grupmoshën 5-6 vjeç, ndërsa mbi moshën 12-15 vjeç është shumë i rrallë. Streptokoku B-hemolitik përhapet nëpërmjet spërklave të kollës (në rrugë ajrore), duarve të palara (kontaktit direkt me fëmijën e sëmurë) dhe është më shumë i përhapur në periudhën e dimrit dhe në kolektiva si në: shkolla, konvikte, kopshte etj.

Mbrojtja

Për t’u mbrojtur nga streptokoku duhet që në radhë të parë të mbahet një higjienë personale shumë e mirë. Larja e duarve ka rëndësi, për arsye se fëmija mund të ketë prekur duart e një fëmije që ka qenë i sëmurë, në këtë mënyrë infektohet dhe ai vetë.

Duhet që fëmijët që janë të sëmurë të mos shkojnë në shkollë apo në institucione të tjerë, ku ka grumbull fëmijësh se me spërklat që dalin gjatë kollitjes, mund të infektojnë dhe fëmijët e tjerë.

Fëmijët e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi (dhomë e pastër dhe e ajrosur) dhe në ditët e para të fillimit të mjekimit, është mirë të mos kontaktojnë me njerëz të tjerë, sepse janë burim infektimi për të tjerët. Me fillimin e mjekimit, temperatura mund të ulet që në 24 orët e para dhe rrezikshmëria për të infektuar të tjerët bie në maksimum.

Mjekimi

Mjekimi që përdoret kundra streptokokut B-hemolitik janë në radhë të parë antibiotikët e grupit ku futen: Bipenicillina, Amoksicillina, Amoksiklavi, Cephalosporinat (Ceporina), etj.

Në raste kur fëmijët kanë reaksion nga këto antibiotikë, efekte të mira kanë dhënë dhe: Erytromicina, Claritromicina, Azitromicina, etj. Mjekimi i streptokokut B-hemolitik bëhet me antibiotikë për 7-10 ditë.

Ka rëndësi të theksojmë nëse temperatura do të fillojë të bjerë që brenda 24-48 orëshit të parë nga fillimi i mjekimit, kjo do të thotë se antibiotiku po vepron me sukses dhe mjekimi duhet të vazhdojë deri dhe 7-8 ditë të tjera. Një antibiotik nuk duhet të vazhdojë më shumë se 7-10 ditë. Por nëse temperatura nuk fillon të bjerë brenda 24-48 orëshit të parë duhet t’i drejtohemi përsëri mjekut (që ju ka vizituar në fillim).

Sipas mjekëve, nuk duhet të vonohet për të rifilluar mjekimin me një tjetër antibiotik. Nëse ndërpritet mjekimi në mes, duke menduar se fëmija është mirë është njëlloj sikur të mos jesh mjekuar fare.

Riaktivizimi

Streptokoku i dobësuar mund të gjej forca dhe të riaktivizohet përsëri, duke shkaktuar po të njëjtën sëmundje, por më të vështirë për t’u mjekuar për arsye se fëmija është ende i lodhur (ka rënie të rezistencës), ndërsa streptokoku është më i fortë dhe më rezistues ndaj antibiotikut. Në këtë situatë mund të kalohet dhe në komplikacione.

Gjatë mjekimit fëmija duhet të qëndrojë në shtëpi si e thamë më sipër në një dhomë të pastër dhe të ajrosur dhe të marrë shumë lëngje për të evituar humbjet e lëngjeve nga temperatura. Duhet të evitohen lëngjet që kanë në përbërjen e tyre aciditet, sepse acarojnë shumë fytin si lëng limoni, rrushi, molle, por të përdoren supëra të ngrohta, çaj me sheqer, çokollatë e ngrohtë mund të lehtësojnë fëmijën e sëmurë.

Çfarë ndërlikimesh mund të shfaqen nga streptokoku

Prekje të muskulit të zemrës (Miokardite) në prekje të valvulave të zemrës (Endokardite) në prekje të veshkës (Glomerulonefrite) në sëmundje reumatizmale etj.

Mosmarrja e masave të duhura (kontrolli te mjeku) bën që këto sëmundje të mund të kronicizohen (pra fëmija t’i vuajë për gjithë jetën), që mos të themi që dhe mund të mbetet invalid apo të paraqesë rrezik dhe për jetën e fëmijës. Në të vërtetë, këto fenomene në kohët e sotme janë rralluar në mënyrë të dukshme për shumë arsye (antibiotikët) kultura dhe edukata shëndetësore, informacion i shumtë që merret, por fenomene të tilla mund të ndodhin në fëmijët e ushqyer jo mirë, apo që shfaqin sëmundje të tjera kronike.

Si vendoset diagnoza për praninë e streptokokut

Vërtetimi i diagnozës për praninë e streptokokut, bëhet nëpërmjet kulturës së fytit, por kjo nuk bëhet kur fëmija është i sëmurë, sepse përgjigja e rezultatit merret pas 2-3 ditësh. Në këtë situatë mjeku vlerëson shenjat e sëmundjes dhe nëse mendon për një infeksion nga streptokoku fillon mjekimin, pa kërkuar kulturën e fytit, sepse një fëmijë i sëmurë nga streptokoku, nuk mund të pritet përgjigja e analizës.

Shenjat

Nëse fëmija preket nga streptokoku brenda 3-4 ditëve do t’i shfaqen këto shenja:

Njolla të bardha dhe të kuqe në grykë

Vështirësi në gëlltitje

Gjëndra limfatike në qafë

Bajame të zmadhuara

Dhimbje koke

Dhimbje barku

Temperaturë e lartë

Humbje oreksi

Njolla të kuqe shumë të imta në lëkurën e fytyrës dhe të trupit (RASH)


/gazeta-albania

/komuniteti