Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Udhëzuesi i disiplinës: Strategji të suksesshme për çdo moshë

Rregullat për një disiplinë të suksesshme

Të gjithë i kemi parë: vogëlushin jashtë kontrollit që hedh grushte dheu në park; 3-vjeçaren qaramane që lutet për ëmbëlsira në radhën e supermarketit; 7-vjeçaren mistrece që bërtet "nuk më detyron dot!" në restorant. Me vete i kemi kritikuar prindërit e tyre, duke siguruar veten se ne kurrë nuk do ta lëshonim veten ashtu nëse fëmija ynë do terrorizonte parkun e lojërave apo do prishte darkën e të gjithëve.

Mirëpo kjo ndodh: çarmatosja totale që të kap në befasi. Papritmas ju jeni ai prind — ai që nuk di çfarë të bëjë. E vërteta është, secili fëmijë shkakton sfida disipline në çdo moshë dhe është në dorën tonë të kuptojmë si t’i trajtojmë ato.

Përse është disiplina një dilemë kaq e madhe? Sepse duket si një akrobaci në litar. Nga njëra anë është rreziku i lejimit — askush nuk do të rrisë një të llastuar.

Nga ana tjetër është frika e kontrollit të tepruar— e kush do të jetë zemërguri që rrit fëmijë të trembur e të hidhëruar? Ajo që na nevojitet është mesi i artë për t’u siguruar që të vegjlit tanë rriten të respektueshëm, të dashur dhe me sjellje të mira.

Së pari, rregullat e pathyeshme

Për të krijuar terrenin për disiplinë të suksesshme, ja ku janë rregullat themelore për të cilat pajtohen shumë ekspertë:

1. Jemi të gjithë bashkë. Që nga fillimi, mësojini fëmijës tuaj se familja është sistem i përkrahjes së ndërsjelltë, që do të thotë se të gjithë japin kontribut. Edhe një foshnje mund të mësojë të "ndihmojë" ta ngresh në krahë, thotë Madelyn Swift, themeluese dhe drejtoreshë e Childright dhe autore e Disiplinë për Jetën, si ta bësh si duhet me fëmijët.

2. Respekti është i ndërsjellë. Një nga ankesat më të zakonshme të prindërve dhe fëmijëve për njëri-tjetrin është "Ti nuk dëgjon." Jepni një shembull të mirë që në fillim: kur fëmija përpiqet t’ju thotë diçka, ndërpriteni atë që po bëni, përqendrojeni vëmendjen dhe dëgjoni. Më vonë mund të kërkoni të njëjtën gjë prej saj.

3. Qëndrueshmëria është mbreti. Një mënyrë e mirë për të rritur fëmijë me fuqi emocionale? Bëhuni të qëndrueshëm dhe të palëkundur për rregulla dhe detyra, thotë profesori i Harvardit Dan Kindlon, autor i Pak si shumë gjëra të mira. Edhe nëse zgjidhni një detyrë për të ngulur këmbë, fëmija juaj do ta ketë më mirë, thotë Kindlon. "Të jesh i palëkundur dhe i qëndrueshëm i mëson fëmijës se ti e do aq sa të presësh sjellje të përgjegjshme prej tij."

4. Jeta s’është gjithnjë e drejtë. Kemi aq frikë se mos i zhgënjejmë apo shqetësojmë fëmijët tanë, ndoshta shumë frikë, do thonin profesionistët e disiplinës. "Nëse një fëmijë kurrë nuk provon dhimbjen e frustrimit— që të ndajë lodrën me dikë ose të presë në rend— ose nëse ata kurrë nuk janë të trishtuar ose të zhgënjyer, ata nuk do t’i zhvillojnë aftësitë psikologjike që janë kyçe për lumturinë e ardhshme të tyre," thotë Kindlon.

Kështu pra, nëse fëmija juaj është i shqetësuar, sepse motra ose vëllai më i vogël u dënua ndryshe përshembull, është në rregull të thuhet “e kuptoj që kjo të duket e padrejtë, më vjen keq që je mërzitur, mirëpo jeta nuk është gjithnjë e drejtë."

 

/komuniteti

/tema e javës

Java: Komente: