Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Mjetet: Foshnjet, vogëlushët dhe më lart

Foshnjet, vogëlushët dhe më lart

Mohim i përgjegjësisë: Këto mjete nuk garantojnë të funksionojnë çdo herë dhe asnjë prej tyre nuk është i duhuri për secilin prind dhe fëmijë. Mirëpo ato ju japin opsione — dhe cili prind nuk ka nevojë për më shumë për të zgjedhur nga çanta personale e marifeteve?

Mjeti: Mbulojini me dashuri

Mosha: Nga lindja në 12 muaj (dhe më tutje!)

Si funksionon: Është e lehtë të vrasësh mendjen nëse po dorëzohesh kur e merr foshnjen në krahë për të satën herë. A është koha të vendosen kufizime? Ende jo, thonë profesionistët. T’i përgjigjesh nevojave të foshnjes tuaj nuk do ta bëjnë atë me shumë kërkesa apo të "llastuar." "Është e pamundur të llastosh apo t’ia plotësosh tekat një foshnjeje," thotë Kathryn Kvols, eksperte që jep bën trajnime për prindësi mbi disiplinën dhe zhvillimin. Në fakt, e kundërta është e vërtetë: Duke i dhënë fëmijës tuaj sa më shumë dashuri dhe vëmendje që është e mundur tani, po e ndihmoni të përshtatet mirë dhe të bëhet e mirësjellshme.

Fëmija yt po zhvillon besimin tek prindërit e saj dhe këtë e arrin duke e ditur që do të jeni aty për t’ia plotësuar nevojat " thotë Kvols. Ky besim nënkupton se edhe për shumë kohë, fëmijaa juaj do të ndjehet më e sigurtë dhe do të ketë më pak ankth, duke e ditur se ju i merrni seriozisht dëshirat dhe nevojat e saj. Më vonë ajo do të ketë besim tek ju, kur të vijë koha që të caktoni kufijtë dhe rregullat dhe do ta kuptojë që ju e doni edhe kur e qortoni.

Zbatimi në jetë: Foshnja juaj 4-muajshe po qan, edhe pse ju e ushqyet gjysëm ore më parë. Vjehrra ju thotë ta lini të qajë. Gabim, thonë ekspertët: duke qarë, ajo po ju tregon se ka nevojë për diçka, edhe nëse ju nuk e dini se çfarë. Përpiquni të ecni me të, ta ushqeni sërish ose t’i këndoni. Ajo ka nevojë të dijë se jeni aty për të, edhe nëse krejt problemi i saj është që do ta mbani në krahë.

Mjeti: Largo dhe zëvendëso

Mosha: 6 deri 18 muaj

Si funksionon: Sikurse të gjithë ne të tjerët, fëmijët e vegjël mësojnë duke bërë — pra, kur fëmija juaj e hedh në tokë tasin me bizele nga tryeza, kjo ndodh sepse ai është kureshtar të shohë se çfarë do të ndodhë, jo ngaqë do t’ju mërzisë ose do t’ju bëjë të pastroni dyshemenë e kuzhinës. Pasi kemi thënë këtë, nuk duhet vetëm të rrini dhe ta lejoni fëmijën të bëjë diçka që nuk ju pëlqen. Dhe sigurisht që nuk duhet të rrini pa bërë gjë kur fëmija zgjatet të kapë diçka të rrezikshme. Merrjani objektin nga dora ose largojeni foshnjën prej aty. Pastaj, jepni një alternativë me më pak rrëmujë dhe më pak të rrezikshme. "Të zëvendësosh diçka me një tjetër shmang ulërimat" thotë Kvols. Sigurohuni që ia shpjegoni fëmijës atë që po bëni, edhe nëse është shumë i vogël për ta kuptuar. Po ia mësoni një mësim thelbësor të disiplinës— që disa sjellje janë të papranueshme dhe se ju do e udhëzoni sa herë të jetë nevoja.

Zbatimi në jetë: Foshnja juaj 8-muajshe vazhdimisht ua tërheq me forcë varësen tuaj të dashur dhe ia kafshon rruazat. Në vend që ta lejoni ose t’ia hiqni vazhdimisht nga duart, zbërthejeni varësen dhe lëreni diku tjetër, duke i shpjeguar me varëset nuk hahen. Pastaj jepini foshnjës një rreth për dhëmbë ose ndonjë lodër tjetër të kafshueshme dhe thuajini "Këtë mund ta kafshosh."

Mjeti: Rregulloji gabimet bashkë

Mosha: 12 deri 24 muaj

Si funksionon: Le të kthehemi tek shembulli i bizeleve — ka dallim mes fëmijës që duke luajtur hedh tasin me bizele në tokë dhe vogëlushit që e di që po krijon rrëmujë për mamin apo babin që ta pastrojë. Kjo pikë e kthesës ndodh kur fëmija juaj është në gjendje të dallojë që po bën diçka që nuk duhet ta bëjë, zaknisht kur mbush vitin. "Kur ju vështron me atë shkëlqimin në sy dhe pastaj i hedh bizelet, e dini që është koha për të vepruar " thotë ekspertja Madelyn Suift. Ajo që duhet të bëni, thotë Suift, është të filloni t’ia mësoni konceptin e marrjes së përgjegjësisë për veprimet e saj.

Zbatimi në jetë: Vogëlushja juaj ka bërë rrëmujë poshtë karriges. Pas përfundon së ngrëni, ngrijeni, uletni mbi dysheme dhe jepini disa nga bizelet që edhe ajo “t’ju ndihmojë” për pastrimin. Flisni me të për atë që po bëni: "Në rregull, tani që bëmë rrëmujë me bizelet, tani duhet t’i pastrojmë."

Mjeti: Theksoni pozitiven

Mosha: 12 muaj e lart

Si funksionon: Kjo është e lehtë: thuajini fëmijës kur ju pëlqen si po sillet dhe mos ngrini zërin vetëm atëherë kur bën diçka të gabuar. "Duhet pak praktikë që të fitosh zakonin e shpërblimit të sjelljes së mirë në vend se të dënosh të keqen, mirëpo është më efektive në fund" thotë Ruth Peters, psikologe klinike në Clearëater, Florida dhe autore e Mos ki frikë të vësh disiplinë dhe librave të tjerë.

Zbatimi në jetë: Është koha për gjumin e pasdites, një fushë beteje e mundshme me vogëlushen që reziston. Paraprijini betejës duke lavdëruar hapat e vegjël: "Sa mirë që nuk po luan më me kubat e tu pasi të thashë. Kjo do të thotë se kemi më shumë kohë për të lexuar një përrallë. Po të shtrihesh tani, do të kemi më shumë kohë dhe lexojmë dy." Lavdëroni vazhdimisht çdo përmirësim që ajo bën në rutinën e gjumit dhe shpërblejeni me përralla ose këngë.

Mjeti: Kërkoni ndihmën e fëmijës

Mosha: 12 muaj deri 8 vjeç

Si funksionon: Hulumtuesit dinë diçka që prindërit mund të mos e dinë: fëmijët vijnë në këtë botë të programuar për të dhënë ndihmë dhe për të qenë bashkëpunues. Ajo që duhet të bëjmë si prindër është të përfitojmë nga kjo tendencë natyrale. "Fëmijët janë ndërtuar të jenë bashkëpunues" thotë Kathryn Kvols. "Shpeshherë ne si prindër nuk e vëmë re këtë pasi nuk presim që fëmijët të ndihmojnë."

Një studim i vitit 2006 e përkrah këtë ide: hulumtuesit e Institutit Max Planck për Antropologji Evolucionare kanë zbuluar se vogëlushët edhe 18 muajsh kanë aftësi krejtësisht të zhvilluara të altruizmit dhe bashkëpunimit. Mënyra si e shfaqin këtë është e thjeshtë.

Një hulumtues bënte sikur “mundohej” për të varur një peshqir tek një varëse apo të rregullonte një grumbull librash. Kur ai e rrëzonte varësen ose i rrëzonte librat, vogëlushët vraponin për ta ngritur varësen dhe për t’ia dhënë atij, ose për t’i rregulluar librat. Mirëpo kur hulumtuesi bëri të njëjtat gabime pa u munduar — domethënë pa u dukur sikur kishte nevojë për ndihmë — vogëlushet nuk afroheshin. Ata e kuptonin se çdo të thotë të ndihmosh. Përfshijeni fëmijën tuaj në detyra të zakonshme çdo ditë që ajo të mësojë se të gjithë punojnë së bashku. "Rekomandoj që prindërit t’i gjejnë bashkë gjërat që mund të bëjnë fëmijët e tyre, qoftë të lajnë perimet, të ushqejnë qenin apo të ndajnë rrobat " thotë Kvols. "Kështu i mësoni fëmijës të ndihmojë, gjë që është një nga aftësitë më të rëndësishme në jetë. Kemi zbuluar kohë pas kohe se njerëzit që janë më të shëndetshëm mendërisht janë ata që kanë mësuar t’ju shërbejnë të tjerëve."

Edhe pse mund të mos duket si strategji për disiplinë, vetëm prisni: nëse i keni mësuar fëmijës të jetë bashkëpunues, mundd të mbështetni tek kjo cilësi kur të keni nevojë.

Për shembull, jepini vogëlushes të bëjë një "punë" për të qetësuar situatat e ngarkuara me lot. Kathryn Kvols e përdor këtë taktikë kur djali i saj Tajler refuzon të ulet në karrigen e makinës. Ajo e ka mësuar të “lidhet me rrip " — dhe të sigurohet që të gjithë janë lidhur para se të ecë makina. Kështu ka marrë fund beteja për karrigen.

Zbatimi në jetë: Të marrim shembull supermarketin, arenën e shumë shpërthimeve. Kur fëmija përdridhet që të dalë jashtë karrocës mund t’i tregosh një kuti me oriz dhe t’i thuash: "Më duhet të blej ushqime për të ngrënë dhe më duhet ndihma jote." Pastaj ia jepni kutinë dhe e lejoni ta vendosë në karrocë. Mund edhe t’i kërkoni t’ju ndihmojë të gjeni ushqimet më të dashura nëpër rafte.

Mjeti: Menaxhimi i zemërimit

Mosha: 12 deri 24 muaj

Si funksionon: Vogëlushët janë të prirur për ulërima sepse ende nuk janë në gjendje të kontrollojnë emocionet e tyre, thonë ekspertët. "Ulërimat nuk janë çështje disipline, kanë të bëjnë me menaxhimin e zemërimit" thotë Madelyn Suift. "Ulërimat ndodhin kur fëmijët nuk arrijnë atë që duan dhe tërbohen."

Hapi i parë në këtë situatë është ta lejoni fëmijën të qetësohet në mënyrën më të mirë që funksionon për të. Nëse të lejon, përqafojeni dhe përkundeni deri sa të urtësohet. Nëse po ta prekni ajo tërbohet sërish, jepini hapësirë për t’u qetësuar vetë. Mos u përpiqni të flisni me të për atë që ka ndodhur deri sa t’i kalojë shpërthimi emocional, thotë Suift. Mirëpo pasi të jetë qetësuar, mos lejoni që kjo t’ju pengojë të mos flisni për atë që ndodhi. Kthejeni shiritin mbrapsht dhe kthejeni atë në skenën e ngjarjes. Është koha teë ndreqen gabimet që u bënë.

Zbatimi në jetë: Vogëlushja juaj nuk donte të vishej dhe bëri skena, duke hedhur lodra nëpër dhomë. Pasi të qetësohet, çojeni tek lodrat e saj dhe me qetësi, por vendosmëri thuajini se është koha t’i mbledhë. Nëse është punë e rëndë për të, ndajeni së bashku. Tregoni me gisht një grumbull makinash dhe thoni "Ti mblidh këto, unë do të mbledh ato atje." Rrini me të deri sa të ketë përfunduar pjesën e saj të punës. Nëse refuzon dhe bën skena të tjera, cikli të përsëritet. Mirëpo prisni pak më gjatë deri sa të qetësohet këtë herë dhe sigurohuni që ajo ta dijë se e keni seriozisht. Pastaj tek makinat sërish.

Mjeti: Fol me gjuhë fëmijësh

Mosha: 12 deri 24 muaj

Si funksionon: Sekreti që ta detyrosh vogëlushin të bëjë atë që duhet — ose të ndalojë së bëri atë që nuk duhet — mund të jetë i thjeshtë si komunikimi me një gjuhë që ai vërtet e kupton. Pediatri Harvi Karp, autor i Vogëlushi më i lumtur i lagjes, iu thotë prindërve ta shohin vogëlushin si një " Neandertalas të vogël" dhe t’i flasin si i tillë. Me fjalë të tjera, zbrisni në nivelin e tij "primitiv" dhe flisni shumë, shumë thjesht. Karp e quan strategjinë e tij të komunikimit Rregulli i Ushqimit të Shpejtë, sepse në të vërtetë veproni si një arkëtar atje: përsërisni porosinë, pastaj përmendi çmimin. Përdorni fraza të shkurtra me shumë përsëritje, gjeste dhe emocione për t’i treguar fëmijës se e dini ‘kalon nëpër kokën e tij.

Zbatimi në jetë: Vogëlushi juaj ia rrëmben kamionin nga duart një shoku. Në vend që ta dënoni apo të përpiqeni t’i shpjegoni se ajo që bëri ishte e gabuar — të dyja këto strategji nënkuptojnë se fëmija është më i sofistikuar na sa është në të vërtetë — përdor disa minuta për të imituar atë që ai duket se mendon dhe ndjen: "Ti do kamionin." Duke vlerësuar ndjenjat e fëmijës tuaj ju e qetësoni dhe pasi të jetë qetësuar dhe t’ju dëgjojë, mund t’ia përcillni mesazhin disiplinues. Sërish, jepini versionin e thjeshtuar: "Mos rrëmbe, mos rrëmbe, është radha e Maksit." Vini re: mund të duket si marrëzi në fillim, por funksionon.

Mjeti: Dëgjoni "jo-në"

Mosha: 12 deri 36 muaj

Si funksionon: "Jo"-ja është një nga fjalët e para që shumë fëmijë mësojnë të thonë dhe pothuajse menjëherë bëhet fjala që thonë më shpesh. Sikurse prindërit e dinë, negativiteti dhe refuzimi i vazhdueshëm mund të bëhen të bezdisshme. Sado e çuditshme të duket, një mënyrë për të parandaluar "jo-të pa fund" është të përpiqeni që “jo”-në ta merrni seriozisht kur fëmija e thotë. Në fund të fundit, të gjithë kemi prirjen ta përsërisim veten edhe kur nuk mendojmë se të tjerët na dëgjojnë, apo jo?

Zbatimi në jetë: Vogëlushja juaj vrapon nëpër shtëpi me pelenën e papastër, mirëpo refuzon të ndalojë që ju ta ndërroni. "filloni duke e pyetur nëse ajo dëshiron t’ia ndërroni pelenën dhe nëse thotë jo, thuaji në rregull dhe lëre për pak" thotë Kvols. Prisni pesë minuta dhe pyeteni sërish dhe nëse ju përgjigjet sërish jo, prisni edhe pak.

Zakonisht, herën e tretë që do të pyesni, ajo nuk do të jetë rehat dhe do përgjigjet me po. Duke e ditur që ajo që thotë dëgjohet fëmija juaj nuk do të thotë jo automatikisht. "Sa më shumë të respektoni jo-në e tyre, aq më pak do e përdorin" thotë Kvols.

/komuniteti