Me binjakë, ju do të kaloni nëpër të gjitha fazat dhe problemet e shtatëzanisë, por simptomet mund të jenë më evidente dhe të paraqiten më herët se sa në shtatëzanitë me një foshnje.
- Të përzierat e mëngjesit janë më intensive tek shtatëzania me binjakë dhe mund të zgjasin më shumë se sa tremujori i parë.
- Pagjaksia është e zakonshme tek shtatëzanitë me binjakë sepse organizmit i nevojitet më shumë hekur. Mjeku juaj, në bazë të analizave laboratorike, do të ju përshkruaj hekur dhe acid folik.
- Dhembja e barkut dhe mungesa e ajrit paraqiten sepse mitra bën shtypje në diafragmë, ndërsa zemra pompon me fuqishëm gjakun në organizëm. Këto simptome janë më evidente tek këto shtatëzani prandaj ju duhet më shumë pushim. Mos qëndroni gjatë ulur në një pozitë sepse mund të ju shkaktojë dhembje në bark. Mundohuni që të hani më shpesh por sasi më të vogla ushqimi që të tejkaloni dhembjet e barkut.
- Dhembja e shpinës është më e theksuar tek këto shtatëzani nga pesha e foshnjave.
- Zgjerimi i venave dhe kapilarëve paraqitet shpesh tek shtatëzënat me binjakë. Mos qëndroni në këmbë për kohë të gjatë, ushtroni rregullisht por vetëm ushtrime të lehta dhe mbani veshur çorape për shtatëzëna.