Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Zhvendosja në shtëpi tjetër

Bartja në shtëpi tjetër është e vështirë për fëmijët e vegjël

Bartja është e vështirë për të gjithë, sidomos për fëmijët e vegjël. Për vogëlushët, bartja është njëjtë sikur t’ua shkatërroni botën e tyre, e në fakt kështu po ndodh.

Së pari, sigurohuni se fëmija juaj e di që çdokush bartet, që të mos ndjehet sikur ajo do të shkojë vetëm ose do ta lënë pas. Para se të vijnë ndihmësit për bartjen e sendeve, nëse është e mundur, vizitojeni disa herë shtëpinë e re që ajo të mësohet me hapësirën e re dhe me idenë e lëvizjes nga një vend në tjetrin. Ajo mund të reagojë në dy mënyra: mundd të ngazëllehet për zbulimet e reja, ose do të shqetësohet pasi nuk njeh asgjë.

Pastaj, bëni foto të secilës dhomë në shtëpinë e saj të vjetër. Ka ndonjë qosh që asaj i pëlqen shumë të fshihet? Ia keni matur shtatin në mur? Dokumentoni gjithçka dhe fotot mblidhini në një album që ajo mund ta shfletojë sa herë të dojë. Nëse po barteni në një lagje (apo shtet) tjetër, mund të bëni foto edhe të shitores së vogël pranë apo të shitores së luleve në fund të rrugës. Nëse vogëlushja juaj është mësuar t’i shohë ndërsa kthehet në shtëpi nga parku apo kopshti, asaj do t’i mungojnë. Kur vjen koha për të paketuar, kërkojini vogëlushes t’ju ndihmojë të paketoni dhomën. Kjo do ta sigurojë atë se të gjitha lodrat dhe thesaret e saj udhëtojnë me të dhe do të ndjehet më mirë kur e di se ku i ka sendet. Emërtojini kutitë e saj qartë dhe vendosini me gjërat që do shpaketoni në fillim.

Nëse do të shkoni në shtëpinë e re para se t’ju vijnë sendet dhe mobiljet, mund të paketoni një kuti me gjërat më të rëndësishme të vogëlushes tuaj dhe ta merrni me vete në makinë. Sigurohuni se asgjë nuk humbet gjatë lëvizjes. Në ditën tuaj të fundit në shtëpinë e vjetër, shoqërojeni vogëlushen nëpër një shëtitje në çdo dhomë që ajo të thotë mirupafshim. Ky veprim mund të duket marrëzi dhe humbje për kohe për ju, por do të thotë shumë për vogëlushen që do ka nevojë për një ndryshim të lehtë. Dhe kush e di?

Këto lamtumira mund t’ju ndihmojnë edhe ju t’i vini kapakun nëse vendi që po lini pas ka qenë shtëpia juaj dhe e familjes tuaj për një kohë të gjatë. Fëmija juaj ka nevojë për vazhdimësi që të ndjehet i sigurtë, kështu që sapo të mbërrini në shtëpinë e re rregulloni së pari dhomën e saj — sado rrëmujë të jetë pjesa tjetër e shtëpisë ose sado qejf të keni të nxirrni argjendurinat.

Sigurohuni që ajo ka qasje në të githa gjërat që do dhe ka përdorur gjithë kohën, si pajisjet për vizatim apo librat më të dashur. Nëse e bëni këtë, atëherë ajo ka një vend të sigurtë për të shkuar kur të ndjehet e ngarkuar nga shpaketimet e kutive në pjesën tjetër të shtëpisë.

Pastaj rregulloni kuzhinën, që ajo ta dijë se mund të marrë ushqim ose lëng nga frigoriferi ose nëse kërkon diçka për të ngrënë sa herë do. Fëmijët janë mjaft të thjeshtë — ata duan strehë dhe ngrohtësi. Ata duan edhe që prindërit e tyre t’i marrin me të mirë gjatë kësaj periudhe ndryshimesh, ndaj në javët e para pas lëvizjes, përpiquni të jeni më pranë saj. Nëse punoni, merrni pak ditë pushim ose çohuni më herët në mëngjes që t’i kushtoni më shumë vëmendje për të cilën ajo ka nevojë tani. Ndoshta mund t’i shtyni planet për pushime, të paktën deri sa të mësohet. Çfarëdo ndryshimi tjetër tani, qoftë dhe një fare i vogël si udhëtim me familjen, mund ta bëjë atë të ndjehet edhe më e humbur apo e çoroditur nga sa ndjehet.


 

/komuniteti