Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Striat

Shkaqet dhe shenjat e tyre

Striat e shtatzanisë prekin zakonisht barkun dhe gjoksin

Striat janë një gjendje relativisht e shpeshtë e lëkurës. Ato nuk përbëjnë një problem të rëndësishëm mjekësor, duke mbetur një problem me natyrë kryesisht kozmetike. Në mënyrë të ngjashme me shumë probleme të tjerë me natyrë kozmetike, personat e prekur prej striave i shohin ato si çështje relativisht stresante, pavarësisht nga fakti se ato rrallë kthehen në një problem të mirëfilltë shëndetësor. Nga ana anatomike, striat paraqesin vraga lineare në shtresën e lëkurës së quajtur dermë, e shoqëruar nga një atrofi e epidermës.

Striat prekin atë pjesë të lakurës lëkurës që i nënshtrohet shtrirjes së vazhdueshme dhe progresive. Indi lidhor i nënshtrohet një stresi gjithmonë e më të madh si rezultat i shtimit të volumit të pjesëve të ndryshme të trupit. Një shembull tipik është barku dhe gjoksi i grave shtatzana, shpatullat e personave që merren me ushtrime dhe trupi i personave të prekur nga mbipesha. Tendosja e lëkurës çon në degjenerim të qelizave të caktuara (mastocitet) me pasojë dëmtimin e fijeve të kolagjenit dhe elastinës. Një tjetër mekanizëm është përdorimi i zgjatur i kortikosteroidëve lokalë ose sistemikë. Edhe faktorët gjenetikë mund të luajnë rol në krijimin e strieve, por mënyra se si kjo ndodh është ende e paqartë.

Rreth 90% e grave shtatzana janë të prekur nga striat. Siç u theksua më lart, përgjithësisht, striat mbeten një problem thjesht kozmetik. Në raste tendosje ekstreme ato mund të ulçerohen. Femrat preken më shpesh në raport me meshkujt. Striat prekin kryesisht adoleshentët, gratë shtatzana dhe personat me aktivitet të shtuar të gjendrës mbiveshkore.

Striat në formën e tyre fillestare manifestohen si zona të sheshta lëkure të holluar që mund të shoqërohen me kruajtje të herë-pas-hershme. Gradualisht, ato rriten në gjatësi dhe gjerësi dhe marrin një ngjyrrë të kuqërremtë (striae rubra). Sipërfaqja e striave mund të ketë rrudha të vogla. Striat mature janë të bardha, kanë një depresion qendror, banda të çrregullta dhe një aks gjatësor i cili shkn paralel me zonën e tensionit të lëkurës (striae alba). Zakonisht janë disa centimetër të gjata dhe 1-10 mm të gjera. Me kalimin e kohës, një pjesë e strieve mund të reduktohen dhe të bëhen të padukshme. Ecuria normale e strieve është pak a shumë e ngjashme me formimin e vragave gjatë shërimit të plagëve.

Striat e shtatzanisë prekin zakonisht barkun dhe gjoksin.

Faktorët që shkaktojnë striat janë ende të paqartë, pasi mungon konsensusi i përgjithshëm i ekspertëve dhe kërkuesve. Një sugjerim është se striat shkaktohen nga prishja e lidhjeve të indit lidhor. Një tjetër hipotezë lidhet me mundësinë që striat të shfaqen në ato zona të lëkurës ku ka më tepër lidhje rigide të kolagjenit, në raport me lidhje elastike. Kjo e fundit është evidentë gjatë shtatzanisë, ushqyerjes me gji, ngritjes së peshave dhe aktiviteteve të tjera stresuese për lëkurën. Gjithsesi, ndryshimet në mjedisin qelizor dhe intraqelizor gjatë formimit të striave janë ende të pastudiuara.

Trajtimi i tyre

Në ditët tona, edhe me përparimet e mëdha në fushën e dermatologjisë, trajtimi përfundimtar i striave nuk është i mundur. Shmangia e rritjes dhe rënies së shpejtë nga pesha mbetet një mjet i mirë parandalues, veçanërisht te shtatzanat.

Fillimi i hershëm i trajtimit (në stadin e quajtur striae rubra) ka gjasa të shoqërohet me efikasitet më të lartë në raport me stadin e vonshëm të striae alba, ku qoftë mundësitë e trajtimit, qoftë efikasiteti i trajtimit reduktohet ndjeshëm.

Trajtimet e rekomanduara për dëmtimet e striave rubra përshijnë përdorimin e vitaminës C, acideve të frutave, retinolit dhe substancave të tjera farmakologjike. Edhe përdorimi lokal i tretinoin është raportuar efektiv, por ai duhet shmangur plotësisht gjatë shtatzanisë dhe ushqyerjes me gji për shkak të efektit nxitës të defekteve të lindura tek fëmijët. Edhe retinoidët e tjerë si adapalene dhe tazarotene janë raportuar efektiv.

Trajtimi me retinoidë lokalë është treguar efikas në rimodelimin e vragave hipertrofike dhe në përmirësimin e pamjes klinike të striave. Përmirësimi përfshin cilësinë e lëkurës, eliminimin e rrudhave të lehta dhe flashkësisë pas një terapie që zgjat nga 3 deri 6 muaj. Konkretisht, tretinoin i aplikuar lokalisht është një mundësi trajtimi. Mekanizmi i veprimit mendohet të jetë nëpërmjet stimulimit të fibroblasteve dhe efekti është maksimal në striet e hershme. Trajtimi konsiston në rritjen graduale të sasisë së aplikuar deri sa konstatohet shfaqja e skuqjeve dhe eksfoliacionit të lëkurës. Mund të shoqërohet me emolientë për të shmangur irritimin.

Trajtimi me lazer i striave

Trajtimi me lazer pulsues me energji të ulët është treguar efektiv në përmirësimin e pamjes së strieve. Trajtime të shumtë me interval katër deri gjashtë javë janë zakonisht të nevojshme për të patur efekt. Mendohet se trajtimi me lazer rrit sasinë e kolagjenit duke përmirësuar ecurinë e strieve rubra, ndërkohë që efekti mbi striet alba mbetet i dyshimtë. Një studim i kryer së fundi raporton se gati 90% e pacientëve të trajtuar pati përmirësim “të mirë” ose “shumë të mirë” dhe gati 60% patën përmirësim të sasisë së kolagjenit pas trajtimit. Në një tjetër studim, 55% e pacientëve dhe 40% e mjekëve raportuan rezultate të shkëlqyera të trajtimit. Efektet anësore të raportuara ishin minimale.

Trajtimi me IPL gjithashtu raportohet i suksesshëm në trajtimin e strieve. Ky trajtim ka efekte të pakta anësore dhe duket të veprojë në të njëjtën mënyrë duke përmirësuar prodhimin e kolagjenit dhe fibrave elastike të indit lidhor.

Në rastin e strieve alba, shumë pak trajtime tregohen efikase. Lazeri dhe burimet e dritës UVB arrijnë repigmentim të lëkurës që mbulon striet alba nëpërmjet rritjes së përmbajtjes se pigmentit melanin, hipertrofisë së melanociteve dhe rritjes së numrit të tyre.

Në një tjetër studim, përdorimi i lazerit fraksional demonstroi sukses në përmirësimin e pamjes së strieve alba 2 muaj pas trajtimit. Studimi tregoi rritje të trashësisë së epidermës dhe rritje të depozitave të indit kolagjen dhe elastik. Kjo metodë duket se përmirëson aspektin e strieve alba, sidomos pas trajtimeve të përsëritura.

/komuniteti