Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Problemet e vogla të shtatëzanisë

Problemet e vogla të shtatëzanisë

Gjatë shtatëzanisë ndodhin shumë ndryshime, të cilat janë të lidhura me të. Është detyrë e personelit mjekësor që merret me kujdesin para lindjes, që t’ju sqarojë për këto ndryshime të pritshme të organizmit tuaj. Tanimë organizmi juaj vihet edhe në dispozicion të fëmijës.

Konstipacioni (kapsllëku)

Rritja e nivelit të progesteronit, i cili është hormoni kryesor i shtatzanisë, ul lëvizshmërinë e zorrëve, gjë e cila favorizon kapsllëkun gjatë shtatzanisë. Me avancimin e shtatzanisë rritet mitra dhe kjo pastaj shtyp zorrët dhe e shton më shumë kapsllëkun. Ai mund të rritet edhe nga disa trajtime gjatë shtatzanisë, si për shembull nga marrja e hekurit për trajtimin e anemisë.

Këshillat më të mira në këtë rast do të ishin ato për dietën. Dieta e këshilluar duhet të jetë e pasur me perime të gjelbra, e pasur me lëngje dhe komposto me kumbulla.

Nuk rekomandohen ilaçet e farmacisë. Ju duhet të shtoni ecjet në këmbë, pasi ecja vë në lëvizje muskulturën e zorrëve.

Edemat (fryrjet) e gjymtyrëve

Me rritjen e moshës së shtatzanisë, rritet edhe mitra dhe kësisoj shtyp enët e mëdha të gjakut të cilat kalojnë nëpërmjet barkut, duke vështirësuar qarkullimin e tij. Kjo shkakton fryrje sidomos tek këmbët, të cilat shfaqen kryesisht në fund të ditës, apo kur qëndroni për një kohë të gjatë në këmbë.

Për këtë arsye këshillohet që 3-4 herë gjatë ditës të qëndroni shtrirë ose ulur, por me këmbët në nivelin e gjoksit për 15-20 minuta, të kufizoni qendrimet për një kohë të gjatë në këmbë, dhe të mos përdorni veshje të shtrënguara, të cilat pengojnë qarkullimin e gjakut.

Gjithashtu këshillohet që gjatë shtatzanisë të flini në krahun e majtë, për të liruar mëlçinë dhe enët e mëdha të gjakut, nga shtypja që ushtron mitra gjatë ditës.

Në kundërshtim me atë që është thënë deri tani, nuk rekomandohet kufizim i marrjes së lëngjeve dhe kripërave, ato duhen marrë në sasinë e duhur.

Urthi

Është pasojë e kthimit të ushqimit nga stomaku në ezofag. Urthi që shumë gra e perceptojnë si djegje ose dhimbje stomaku, vjen si pasojë e shtypjes së stomakut nga mitra shtatzënë.

Ai shfaqet në rreth 50% të grave shtatzëna dhe shtohet me rritjen e moshës së shtatzanisë, kur edhe volumi i mitrës rritet. Dhimbjet janë më të shpeshta gjate natës, kur jeni shtrirë dhe gjatë ditës kur përkuleni përpara.

Këshilla më e mirë në këtë rast është që të hani shpesh dhe sasi të vogla ushqimi, të shtoni në dietë qumështin dhe të pini ujë gjatë ngrënies, sepse uji ul aciditetin e stomakut. Për ju nuk këshillohen ushqime të thata dhe pikante dhe duhet të pakësoni lëngjet e agrumeve (portokalle/limona), salcat e ndryshme, lëngun e domates dhe të mos pini duhan.

Këshillohet gjithashtu të përdorni jastëk pak të lartë për të fjetur.

Hemorroidet (majasëlli)

Ndodhin si pasojë e vështirësisë së kthimit të gjakut. Ju duhet të përdorni pomada antihemorroidale, të kufizoni qëndrimet e zgjatura në këmbë dhe ecjet e gjata, dhe të mos përdorni ushqime pikante, sepse ky lloj ushqimi i favorizon hemorroidet.

Ngërçet muskulare të këmbëve. Janë të shpeshta gjatë shtatzanisë. Vijnë si pasojë e mungesës së kalciumit dhe fosforit dhe si pasojë e shtypjes së nervave të fundit të kurrizit. Ju duhet të shtoni përdorimin e ushqimeve që përmbajnë më shumë kalcium dhe fosfor dhe në pamundësi të merrni tablet kalciumi, nga një në ditë, që i plotësojnë nevojat tuaja ditore për kalcium.

Marrja e tabletave të kalciumit parandalon edhe prishjen e dhëmbëve gjatë shtatzanisë.

Dhimbjet e kokës

Shtatzania shoqërohet me ndryshime në qarkullimin e gjakut, gjë e cila ndonjëherë shkakton dhimbje koke. Kur nuk ka shkak tjetër për dhimbjen e kokës, këshillohet qëndrimi shtrirë, veçanërisht në krah të majtë.

Nëse dhimbja e kokës ka origjinë tjetër si sinusiti (infeksion i një hapësirë të kockat e kokës, që është tamam mbi kockën e hundës) etj, trajtohet shkaku sipas rastit.

Sido që të jetë, në rastin kur keni dhimbje koke, duhet të matet menjëherë presioni i gjakut, mbasi kjo mund të jetë shenja e parë e tensionit të lartë të shtatzanisë.

Në rast se kjo përjashtohet, mund të merrni pa frikë një kokërr paracetamol.

Sekrecionet vaginale

Gjatë shtatzanisë niveli i lartë i hormoneve, favorizon ndryshimin në aciditetin vaginal dhe shtimin e sekrecioneve vaginale.

Duhet të theksojmë se shtatzania favorizon shfaqjen e kolpiteve (infeksion i qafës së mitrës) mykotike, gjë e cila kërkon trajtim specifik.

Në disa raste sekrecionet vaginale mund të jenë të shtuara, por të bardha, pa ngjyrë, nuk kanë erë të keqe dhe nuk shkaktojnë kruarje. Por ka raste të tjera kur të gjitha shenjat që përmendëm më sipër janë të pranishme, dhe në këto raste rekomandohet mbjellja e sekrecioneve dhe bëhet mjekimi sipas shkaktarit dhe antibiotikut që e lufton atë.

Dhimbjet e mesit

Dhimbjet e mesit janë të zakonshme gjatë shtatzanisë. Shtimi në peshë shkakton një tërheqje shtesë mbi kurrizin tuaj.

Me zmadhimin e mitrës ndryshon qendra e rëndesës se trupit, gjë e cila ju detyron të kontraktoni muskujt e shpinës për të përballuar peshën e shtuar. Qëndrimet normale, pa sforcime, i pakësojnë dhimbjet e shpinës. Ju duhet të bëni ushtrime për muskujt e shpinës, që t’i çkontraktoni ato si dhe të kufizoni qëndrimet e gjata në këmbë.

Duhet të kujtojmë që ndonjëherë dhimbjet e shpinës fshehin një infeksion urinar apo një rrezik për abort, prandaj nuk duhen nënvlerësuar. Kur ato vazhdojnë, duhet t’i drejtoheni mjekut specialist gjinekolog.

Të përzierat dhe të vjellat

Të përzierat dhe të vjellat gjatë shtatzanisë nuk dihet mirë përse shkaktohen, por mendohet se janë pasojë e mungesës së vitamins B në gjak, ndryshimeve hormonale apo ndryshimit të presionit të gjakut.

Ndodhin më shpesh në shtatzaninë e parë (kjo nuk do të thotë që nuk shfaqen në shtatzanitë e tjera) dhe në tremujorin e parë të saj. Fillojnë herët në mëngjes, kur stomaku është bosh, por mund të shfaqen edhe në orë të tjera të ditës. Zakonisht zhduken mbas muajit të tretë të shtatzanisë.

Nëqoftëse të vjellat do të vazhdojnë mbas muajit të tretë të shtatzanisë, duhet kërkuar për një sëmundje tjetër, si për shembull në stomak, apo fillimin e pre-eklampsisë (sëmundja e tensionit të lartë të shtatzanisë).

Ndonjëherë të vjellat janë aq të shpeshta saqë mund të dobësoheni tej mase dhe të humbni lëngje, dhe në këtë rast duhet të drejtoheni tek mjeku specialist gjinekolog.

Këshillohet ndryshim i dietës, ushqyerje e shpeshtë dhe në sasi të pakta, përdorimi i bukës së thekur, kufizimi i ushqimeve me shumë yndyrë.

Kruarjet e lëkurës

Kruarjet e lëkurës gjatë shtatzanisë, pa shenja të tjera, vijnë si pasojë e ndryshimeve që ndodhin në mëlçi dhe tëmth. Ato zhduken menjëherë mbas lindjes.

Ju duhet të përdorni kremra neutrale për të qetësuar kruarjen, të shtoni në dietën ditore kalcium dhe vitamina dhe të pakësoni marrjen e yndyrnave dhe dhjamrave.

Urinimi i shpeshtë

Urinimi i shpeshtë gjatë shtatzanisë mund të shfaqet që në fillim të saj dhe është një ankesë jo e rrallë e grave shtatzëna. Vjen si pasojë e dobësimit të musculatures së rrugëve urinare, në gjysmën e parë të shtatzanisë, dhe pasojë e shtypjes që bën mitra shtatzënë mbi fshikëzën urinare, gjatë gjysmës së dytë të saj.

Megjithatë duhet pasur parasysh që urinimi i shpeshtë mund të jetë edhe shenjë e infeksionit urinar, i cili ndodh shpesh gjatë shtatzanisë.

Kur vërtetohet infeksioni urinar, nëpërmjet analizave të urinës, ai duhet mjekuar menjëherë, sepse është një ndër shkaqet kryesore të fillimit para kohe të aktivitetit të lindjes dhe plasjes para kohe të membranave.

Tensioni i ulët

Tensioni i ulët gjatë shtatzanisë është më i shpeshtë gjatë tremujorit të tretë të saj, si pasojë e shtypjes që mitra i bën enëve të mëdha të gjakut në bark. Ju duhet të qëndroni shtrirë në krahun e majtë për të shmangur shtypjen dhe si pasojë uljen e tensionit.

Vështirësia në frymëmarrje

Vështirësia në frymëmarrje gjatë shtatzanisë fillon në tremujorin e parë, si pasojë e veprimit të progesteronit në qendrën e frymëmarrjes dhe në fund të shtatzanisë vjen si pasojë e zvogëlimit të hapësirës së kafazit të kraharorit, nga shtyrja lart e diafragmës prej mitrës shtatzënë.

Lodhja dhe pagjumësia

Lodhja dhe pagjumësia gjatë shtatzanisë janë të zakonshme për tremujorin e tretë të saj. Lodhja është pasojë e zmadhimit të mitrës me zhvillimin e shtatzanisë, që nuk ju lejon të bëni gjumë të rehatshëm.

Lëvizjet e shpeshta të fëmijës gjatë natës mund t’ju zgjojnë nga gjumi, po kështu edhe urinimet e shpeshta dhe ankthi për lindjen janë faktorë të tjerë që ju prishin gjumin dhe ju shtojnë lodhjen. Ju duhet ta dini që këto probleme janë normale gjatë shtatzanisë dhe nuk kanë nevojë për trajtim.

Nuk rekomandohet përdorimi i ilaçeve për gjumë, por një gotë çaj ose qumësht i nxehtë para gjumit bëjnë mjaft mirë. Për të shmangur urinimin e shpeshtë gjatë natës, rekomandohet të mos përdoren lëngje me shumicë para gjumit.

Ju duhet të vazhdoni aktivitetin tuaj normal ditor dhe të përdorni disa jastëkë për të fjetur, të cilët ndihmojnë për të gjetur një pozicion më të rehatshëm.

Venat varikoze (varicet)

Venat varikoze (varicet) janë zgjerim i venave, që haset më shpesh te gratë shtatzëna, si pasojë e vështirësisë së kthimit të gjakut në zemër. Variçet prekin më shpesh këmbët dhe vulvën (pjesën e jashtme të organeve genitale).

Ju nuk duhet të qëndroni gjatë në këmbë dhe duhet të ruani peshën gjatë shtatzanisë, mbasi pesha është një ndër faktorët që ndikon në shfaqjen e variceve, dhe të qëndroni me këmbët në nivelin e kokës.

Variçet mund të pakësohen nga përdorimi i “çorapeve” special (të rekomanduara nga mjeku specialist i enëve të gjakut) dhe nga gjimnastika.

 

© Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë

Valbona Cocaj (9 vite më parë)
Mirdita deshta te ju pys aju ka ndodh dhe juve jam ne mujin e pest po kam dhimbje vetem ne anen e djatht te barkut kam shum therrje jam shum e stresuar ju lutem me tregoni
Valbona Cocaj (9 vite më parë)
Aaaass
S.H. (12 vite më parë)
Pershendetje per gjithe Vertet nje artikull i dobishem dhe shume informues mirepo nese keni mundesi qe artikulli i rradhes te jete rreth problemeve te medha te shtatezanise dhe cilat jane me pak te rrezikshme dhe cilat me shume. Ju falemnderit per mirkuptim dhe ju deshirojme pune te mbare dhe te palodhshme.

/komuniteti

/tema e javës

Java: Komente: