Ka disa shenja, që e bëjnë gruan të dyshojë për fillimin e shtatzënisë.
Enjtja e gjinjve. Për shkak të ndryshimeve hormonale që shkakton ngjizja/fertilizimi, gjinjtë bëhen të ndjeshëm, të dhëmbshëm dhe të fryrë. Kjo mund të jetë shenja e parë që ndjen gruaja, në fillimin e shtatzënisë.
Lodhja, gjumësia. Lodhja dhe gjumësia, janë shoqëruese në fillimet e shtatzënisë. Kjo gjendje mund të jetë shkak i rritjes së progesteronit, si pasojë edhe e fertilizimit.
Gjakrrjedhja me sasi të vogël. Përafërsisht në kohën kur priten që të vijnë menstruacionet e rradhës, vërehet gjakrrjedhje vaginale në sasi të vogël dhe ndonjëherë edhe në sasi të mëdha. Shkaku i gjakrrjedhjes, mendohet se vjen nga implantimi i vezës në muret e mitrës. Sasia e vogël me kohëzgjatje deri në 2 ditë, nuk duhet ta shqetësojnë gruan sepse edhe kjo mund të konsiderohet si shenjë e fillimit të shtatzënisë. Kur gjakrrjedhja shoqërohet me dhëmbje, në shumicën e rasteve është konstatuar se shtatzënia është implantuar jashtë mitre. Prandaj, në rastet e gjakrrjedhjes, sidomos kur ekziston mendimi për fillimin e shtatzënisë, është i rëndësishëm kontrolli mjeksor.
Rritje e ndjeshmërisë ndaj aromave, apo ndjenja e të vjellit. Rritja e ndjeshmërisë ndaj aromave apo ndjenja e të vjellit, shfaqet më shpesh në shtatzëninë e parë. Nuk përjashtohen edhe rastet, që këto ndjeshmëri të shfaqen edhe në shtatzënitë e tjera të rradhës.
Ndjenja e fryrjes së barkut. Edhe ndjenja e fryrjes së barkut, vjen si shkak i ndryshimeve hormonale në shtatzëni. Megjithëse është pothuaj e njëjta ndjenjë me ndjenjën para ardhjes së menstruacioneve, e shoqëruar me shenjat e tjera, mund të jetë pasojë e fillimit të shtatzënisë.
Urinimi i shpeshtë. Gjatë shtatzënisë, rritet sasia e lëngjeve në organizmin e gruas. Lëngjet e tepërta si dhe presioni që shkakton mitra në fshigzën e urinës, është një nga arsyet e kërkesës për shkarkim e ujrave të tepërt.
Mosardhja e menstruacioneve në kohën e pritshme. Në rastet kur shtatzënia është e dëshiruar, me vonesën më të parë të mosardhjes së menstruacioneve, gratë bëjnë testin e shtatzënisë për ta konfirmuar atë. Kjo është e vërtetë, mosardhja e menstruacioneve të rradhës në kohën e pritshme, është një nga shenjat më domethënëse të fillimit të shtatzënisë.
Rritja e temperaturës së trupit. Midis shenjave të mësipërme, rrit dyshimin mbi fillimin e shtatzënisë edhe rritja e temperaturës së trupit për një periudhë prej rreth 20 ditë pas fertilizimit. Duhet konsideruar e rëndësishme, kur temperatura qëndron vazhdimisht në nivele konstante relativisht të larta.
Testi pozitiv i shtatzënisë. Prania e gjitha shenjave të mësipërme, nuk janë tregues i mjaftueshëm për të saktësuar fillimin e shtatzënisë. Testi i shtatzënisë i kryer rreth 1 javë pas ditës kur pritej ardhja e menstruacioneve të radhës, është shumë i besueshëm për të verifikuar atë. Pavarësisht nga rezultati i testit të shtatzënisë, gruaja duhet të kontaktoj mjekun gjinekolog për të vlerësuar gjendjen e saj shëndetsore.