Sigurisht jeni pyetur se a mund t`ia pastroni foshnjes tuaj, veshët me shkopinjtë e pastrimit të cilat i përdorni dhe ju, dhe nëse jo, atëherë si t`ia pastroni?
Asnjëherë mos futni shkopinjë apo diç tjetër në kanalin e veshit të foshnjes. Shumë lehtë mund të dëmtoni cipën e timpanit të veshëve. Dylli është mbrojtja natyrale e kanalit të veshit dhe zakonisht nuk egziston nevoja që ta pastroni.
Nëse ju brengos sasia e madhe e dyllit në veshët e foshnjes, konsultohuni me mjekun. Nëse është mbledhur sasi aq e madhe sa që mjeku nuk mund ta sheh timpanin e veshit (gjë që duhet ta bëjë nëse është duke kontrolluar shkaku i ndonjë infeksioni) atëherë mjeku do t`ia largojë atë. Në të kundërtën, dylli do të largohet vetvetiu. Nëse i futni shkopinjë në vesh, vetëm do të futni dyllin më thellë në veshët e foshnjes.
Në vend të kësaj, thjeshtë pastroni pjesët e jashtme të veshëve të foshnjes, me vatë të lagur apo të kremosur lehtë.