Pas lindjes, do të ndjeheni çuditshëm, nga fakti që nuk e keni më barkun e fryer. Humbja në peshë, e shkaktuar nga dalja e foshnjes, placenta, dhe uji amniotik është e rëndësishme, dhe kur kësaj i shtojmë edhe humbjen e ujërave të mbledhura gjatë shtatzënisë me shtimin e urinimit dhe djersitjen, është pak e vështirë derisa të mësoheni me këto.
Mitra juaj mblidhet menjëherë pas lindjes, nga madhësia e cila para lindjes është për 25 herë më e madhe, në madhësinë e para shtatzënisë. Ky është proces i cili zgjat gjatë muajit të parë, në dy javët e para mitra është në gjysmën e madhësisë paraprake, ndërsa gjer në javën e katërt, kthehet në madhësinë e para shtatzënisë. Sa herë që jepni gji, do të ndjeni tkurrjen e mitrës, për shkak të refleksit të shkaktuar nga sekretimi i oksitocinës, i cili njëkohësisht shkakton ngërçe të muskujve të kanaleve të qumështit, dhe muskujve të mitrës.
Me lindjen e foshnjes, organet e mbrendshme (lukthi, zorra e hollë dhe e trashë, fshikëza) kthehen në vendin e tyre dhe mund të ndodh që, gjatë ditëve të para të mos mund ti kontrolloni gazrat dhe jashtëqitjen.
Ndikimin më intenziv në organizmin tuaj pas lindjes, e bën rënia e estrogjenit (niveli i estrogjenit bie për 90 % në raport me periudhën e para lindjes). Do të vëreni që gjatë muajve të parë bien flokët më shumë, gjoksi bëhet më i fortë dhe i ndjeshëm, me paraqitjen e kulloshtrës, qumështit të parë të pasur dukshëm me proteina dhe yndyrëra, mund të ndjeni ngritje dhe rënie emocionale (simptome të njohura si “baby blues”), meqenëse kjo gjendje do të duhej të qetësohet pas disa javësh. Nëse simptomet zgjasin edhe më tej, lajmërohuni tek mjeku, sepse mund të vie gjer tek depresioni postnatal.