Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Problemet e pas lindjes

Edhe pas lindjes kam dhembje shpine. A do të më kalojë kjo?

Dhembja e shpinës që paraqitet gjatë shtatzanisë, shpesh zhduket spontanisht disa javë pas lindjes. Megjithatë, mund të lajmërohet përsëri pas një kohe, e provokuar me bartje të rënda dhe me bartjen e foshnjes. Duke u rritur foshnja, rritet edhe dhembja.

Mundohuni që ti ndihmoni vetvetes: kur foshnja fle, ndani ca minuta që të bëni ushtrime të tendosjes. Foshnjen ngriteni me trup, dhe jo me duar të hapura. Nëse ngritni foshnjen nga podi, uluni në gjunjë, dhe jo në kuka. Nëse dhembjet janë të mëdha, dhe nuk zvogëlohet intenziteti fare, atëherë konsultohuni me mjekun.

A janë normale dhembjet në zonën e bishtit të kockave?

Gjatë lindjes natyrale, sidomos tek lindjet e fëmijëve më të mëdhenj në peshë, mund të ndodh çarja apo fraktura e ashtit të pjesës së pasme. Kjo shkakton dhembje të mëdha në pjesën e pasme, të cilat rriten gjatë qëndrimit në këmbë dhe ulur. Mundohuni që të shtriheni anash, dhe të uleni në jastëk të butë. Nëse gjatë pushimit dhembja nuk ndalon, atëherë duhet ti lajmëroheni mjekut të ju bëjë një inqizim apo të ju udhëzojë për tretmane të mëtejshme.

Jam mjaft e lodhur pas lindjes, a është kjo normale?

Po, natyrisht. Lindja është një ngjarje e lodhshme për organizmin e gruas, e cila hargjon një pjesë të madhe të energjisë. Nëse i shtojmë edhe humbjen e gjakut, zvogëlimin e sasisë së ushqimit, është më se e qartë se përse jeni të lodhur. Mundohuni që të pushoni, të fleni, kurdo që të ju mundësojë këtë foshnja. Ushqimi duhet ti përshtatet puerperiumit, gjegjësisht periudhës së paslindjes, me konsumim adekuat të lëngjeve.

Pas lindjes ende kam ënjtje këmbësh. A duhet ta zvogëloj konsumimin e ujit?

Jo, ënjtja e këmbëve nuk është e lidhur direkt me konsumim të ujit. Madje nëse e zvogëloni shumë konsumimin e ujit, mund të vie gjer tek dehidrimi dhe problemet tjera. Së pari matni tensionin e gjakut. Nëse është mbi 140/90 mm, duhet ti lajmëroheni mjekut.

Në rastet me tension normal të gjakut, mundohuni të zvogëloni konsumimin e kripës apo shmangni gjërat ushqimore të cilat përmbajnë nivel të lartë të kripës (prodhimet e mishit të terur, djathërat e fortë, picat…) apo ndaloni të kriposni intenzivisht ushqimin (patatet, sallatat) dhe konsumoni ujë natyral në vend të atij të gazuar. Gjatë pushimit ngritni këmbët mbi nivel të trupit, dhe në mbrëmje gjatë dushit, masazhoni këmbët me ujë të ftohtë apo të vakët.

Nëse ënjtja edhe më tej është prezente, lajmëroni mjekun. Gjithashtu, nëse ënjtja lajmërohet vetëm në një këmbë, e përcjellur me të skuqura dhe dhembje, duhet të konsultoheni me mjekun shkaku i rrezikut të paraqitjes së trombozës në vena.

A mund të jetë lodhja e paslindjes simptom, që kam probleme me gjëndrën tiroide?

Rreth 5 % e grave, pas lindjes kanë tireoiditis postpartal. Sistemi imunitar sulmon gjëndrën tiroide, duke shkaktuar së pari punën e rritur të saj (hipertireoidizmin), ndërsa pas disa muajsh, fuksionin e zvogëluar të saj (hipotireoidizmin). Paraqitet 4-12 muaj pas lindjes, kështu që nëse keni lindur para disa ditësh, kjo ndoshta është vetëm lodhje.

 

Shenjat e hipertireoidizmit:

• Ndjenja e nxehtësisë

• Humbja e peshës trupore gjatë apetitit të shtuar

• Rritmi i shpejtë i zemrës, me mbi 100 rrahje në minutë

• Ndjenja e rrahjes së zemrës

• Pagjumësia

• Dridhjet e duarve

 

Shenjat e hipotireoidizmit:

• Ndjenja e të ftohtit

• Apetit i zvogëluar

• Shtimi në peshë

• Lëkura e thatë

• Depresioni

• Lodhja

Kam vërejtur që po djersitem shumë, sidomos gjatë natës. A duhet të konsultohem me mjekun?

Djersitja e shtuar pas lindjes, më së shpeshti, është mënyra se si organizmi liron lëngjet e tepërta të mbledhura gjatë shtatzanisë. Përcjellet me urinim të shtuar dhe të shpeshtë. Kjo gjendje zgjat disa javë, megjithatë është vërejtur që zgjat më shumë tek nënat gjidhënëse.

Mos u brengosni dhe mos zvogëloni konsumimin e ujit, duke dashur të ndaloni djersitjen, përkundrazi preferohet të konsumoni sa më shumë lëngje ashtu që të arrini baraspeshën në organizëm.

/komuniteti