Gjatë lindjes, mund të vie gjer tek këputja e perineumit (pjesa e indeve në mes të vaginës dhe anusit) të shkallëve të ndryshme. Këputja e shkallës së parë paraqet vetëm dëmtimin e mukozës së vaginës dhe/apo lëkurës perineale dhe me qepjen e vendosur drejtë ajo shpejt shërohet duke mos shkaktuar dhembje të mëdha. Këputja e shkallës së dytë, ku niveli i dëmtimit është sikurse tek epiziotomia, paraqet këputjen e indeve të buta nën lëkurë si dhe tek pjesa e muskujve të bazës së legenit. Shërimi zgjat më shumë, por dhembja zvogëlohet që në ditët e para.
Këputja e shkallës së tretë apo katërt, është më e rrezikshme, sepse vie gjer tek dëmtimi i muskujve që kontrollojnë jashtëqitjen, ku simptomë mund të jetë pamundësia për të mbajtur jashtëqitjen dhe shërimi i këso lloj plagësh kërkon disa javë, me trajtim adekuat regjimi dhe higjiene. Nëse qepja bëhet në mënyrë të drejtë, funksionimi i muskulit anal unazor kthehet plotësisht. Varësisht prej shkallës së dëmtimit të indit, varet edhe niveli i dhembjes.
Mos qëndroni ulur, ngrihuni nga pozita shtrirë, duke u kthyer së pari anash, dhe më pas në këmbë. Gjithsesi rregulloni jashtëqitjen me produkte për zbutjen e saj, shmangni klizmat apo supozitorët, mirëmbani higjienën anale dhe perineale, si dhe mund të merrni ilaçe kundër dhembjeve duke u informuar së pari nëse mund të ndikojnë në gjidhënje. Nëse dhembja zgjat më shumë dhe është më e fortë, kontaktoni mjekun sa më parë.