Lindjet me operacion apo në mënyrë çezariane janë rritur së tepërmi gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Por, specialistët e Shëndetësisë theksojnë se lindjet me operacion shpeshherë janë të rrezikshme dhe lënë jo pak pasoja te nëna dhe fëmija. Maternitetet në shifrat e tyre, shënojnë mesatarisht 30 për qind të lindjeve me operacion.
E thënë ndryshe, nga 4 mijë lindje në një maternitet, mbi 1 mijë prej tyre kryhen në sallën e operacionit. Këto shifra konsiderohen të larta duke pasur parasysh disa faktorë që i çojnë nënat drejt operacionit. Specialistët sqarojnë se nëse lindja vjen ashtu siç nuk ishte parashikuar, atëherë ndërhyrja me operacion në këtë rast është e nevojshme.
Në të shkuarën, kjo praktikë, ndryshe nga sot, që është bërë më e shpeshtë, është përdorur vetëm në raste emergjente, kur lindjet natyrale shfaqnin rrezik për jetën e nënës dhe të fëmijës. Shkaqet e lindjes me operacion ndodhin vetëm në rastet kur lindja natyrale bëhet e pamundur.
Të tilla raste janë kur fundi i barkut të nënës është tepër i ngushtë dhe nuk mundëson daljen e foshnjës, apo kur fëmija është i shëndoshë dhe nuk mund të kalojë normalisht për të dalë jashtë. Raste të tjera varen dhe nga pozicioni i fëmijës, siç ndodh kur rezulton se fëmija në momentin e lindjes është në një pozicion të papërshtatshëm për të lindur në mënyrë natyrale.
Në raste të tjera ndodh ndonjë pengesë që ndalon daljen e fëmijës, për shembull, kordoni ombelikal, një cist në trupin e nënës, një malformim i placentës etj. Në disa raste duhet të ndërpresë shtatzëninë për shkak të disa komplikimeve gjatë periudhës së shtatzënisë. Nevoja për të ndërprerë shtatzëninë përpara përfundimit të saj me anë të operacionit ndodh për arsye shëndetësore të fëmijës apo të nënës.
Të tilla raste mund të jenë kur specialistët vënë re sëmundje të fëmijës (diabet, tosiemi ose vonesa në rritjen e tij), kur nëna ka hemorragji, kur ka lindje binjakësh me probleme, apo kur nëna vuan nga ndonjë sëmundje etj.