Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Pregatitja për lindje

Lindja përbën kulmin e periudhës së shtatzanisë, është kurorëzimi i gjithë kujdesit të treguar për nëntë muaj me radhë dhe është momenti kur ju do të shihni fëmijën tuaj, të cilën e keni pritur me padurim. Ky moment nuk matet me sekonda, por me orë, nga 6 derinë 12 orë. Nëse ju jeni të përgatitura, këto orë nuk do t’i përjetoni me shumë ankth. Si ta kuptoni se akti i lindjes po afron? Përvoja e çdo gruaje është e ndryshme, por ato që presin të bëhen nëna për herë të parë janë të shqetësuara nëse do të dinë t’i njohin shenjat e para të aktivitetit të lindjes në kohën e duhur.

Shenjat që tregojnë se lindja është pranë

Gratë shtatzëna shpesh herë tremben kur dallojnë një si “tapë” të trashë, të perzier edhe me copëza gjaku t’u dalë nga vagina, pa bërë ndonjë sforcim dhe mund të jetë ditën ose natën. Kjo nuk ka përse t’ju trembë, por tregon se për 24 ose 48 orë do fillojë aktiviteti i vërtetë i lindjes dhe quhet “tapa mukoide”. Përveç kësaj tape, grate shtatzëna, në ditët e fundit para lindjes kanë një ndjenjë rëndimi në fund të barkut, ndiejnë shpesh nevojën të shkojnë në tualet, urinojnë shpesh dhe në sasi të pakët, dhe ndodh të bëjnë gjumë të çrregullt.

Është shumë e rëndësishme që nëna në këtë fazë të numërojë lëvizjet e bebit të saj gjatë kohës që ajo është zgjuar. Nëse këto lëvizje numërohen më pak se 12 për kohën që u përmend më sipër, kjo përbën shenjë alarmi dhe ju duhet t’i drejtoheni menjëherë mjekut apo mamisë që keni më pranë.

Plasja e ujrave

Fëmija juaj rrethohet nga një cipë brenda mitrës, e cila përmban ujë, i domosdoshëm për rritjen normale të bebit. Në momentin që afrohet aktiviteti i lindjes, ky xhep ujrash çahet dhe gruaja ka rrjedhje uji nga organet seksuale, pa ndjerë kurrfarë dhimbje, madje mund të jetë në gjumë. Ky nuk është moment për t’u alarmuar, por sidoqoftë duhet të vihet në dijeni mjeku (kjo shprehje ka vend kur bëhet fjalë për fundin e shtatzanisë).

Një grua mund të qëndrojë edhe 24 orë, me ujra të plasura, pa pasur kontraksione, dhe pa ndonjë rrezik, nëse përdor peceta sterile. I vetmi rrezik është mundësia e infeksionit nga poshtë-lart, gjë që mund të ndodhë në rastet kur mungon higjena vetjake.

Pra mund të pritet deri në 24 orë, pa pasur nevojë të shtroheni ne spital, por gjithmonë kur ka mundësi të kontaktoni me një personel shendetësor. Nëse kalojnë këto 24 orë dhe nuk fi llojne kontraksionet, duhet të drejtoheni menjëherë në spital dhe të kërkoni ndihmë të kualifikuar.

Kontraksionet

Do t’i quajmë kontraksione dhe jo dhimbje, për t`ju dhënë idenë e mirë që këto nuk përjetohen vetëm me dhimbje. Kontraksionet mund të fillojnë si një forcim i barkut, i shoqëruar me ndjenjë rëndimi në fund të tij, apo edhe me shtrëngime të mesit. Ato perceptohen mjaft të durueshme nga gruaja dhe kanë karakteristikë që mbarojnë për disa sekonda dhe ripërsëriten çdo 20 apo 30 minuta. Ju mund ta matni vetë kohëzgjatjen e tyre dhe sa është intervali ndërmjet tyre. Në këto momente partneri apo një njeri i afërt i familjes mund t‘ju japë një ndihmë të mrekullueshme duke ju fërkuar mesin, nëse kjo gjë ju lehtëson.

Mënyra e frymëmarrjes gjithashtu mund t‘ju ndihmojë mjaft. Në fillim të kontraksionit filloni të merrni frymë thellë, rrallë, duke marrë frymë me gojë dhe duke e nxjerrë po me gojë, ose të njëjtën gjë mund ta bëni me hundë, ka të njëjtin efekt. Kjo lloj frymëmarrjeje ndihmon në kalimin më të lehtë të kontraksionit, sepse e kalon dominancën e trurit në tjetër qendër, dhe në të njëjtën kohë i jep më shumë oksigjen bebit, i cili në momentin e kontraksionit ka më shumë nevojë për të se në çdo moment tjeter.

Me kalimin e kohës kontraksionet afrohen me njëra tjetrën, zgjasin më shumë deri në 60 sekonda (maksimumi), muskujt e barkut forcohen më shumë, dhe perceptohen më të dhimbshme nga gruaja. Këto kontraksione bëjnë të mundur hapjen e qafës së mitrës, gjë që ndodh shumë gradualisht (norma është 1cm hapje në orë) dhe janë të pavullnetshme.

Sado mirë të jeni përgatitur për lindjen, ndjenja se trupi juaj është përfshirë në një proces që ju nuk e kontrolloni dot vetë, mund t`ju bëjë të ndjeni frikë dhe pasiguri. Ky është moment kur prania e partnerit ju ndihmon mjaft dhe ju bën të ndiheni më mirë. Edhe frymëmarrja e bërë në mënyrën si u përshkrua me sipër, ju ndihmon në kalimin më lehtë të kontraksionit dhe sidomos nëse edhe partneri bën të njëjtën frymëmarrje me ju.

Pozicioni që mund të mbani

Jeni të lira të zgjidhni pozicionin në të cilin e ndjeni veten më komode dhe ndjeni më pak dhimbje. Në fillim të kontraksioneve mund të qëndroni ulur “në bisht”, ulur në karrike, në këmbë, apo shtrirë anash. Mundeni edhe të vendosni gjunjët në krevat dhe kokën në një pirg jastëqesh. Mund të qëndroni të mbështetur te partneri dhe ai t`ju fërkojë mesin apo shpatullat. Pra çdo pozicion që ju bën të ndiheni mirë, është i favorshëm.

Në fazën kur kontraksionet bëhen më të afërta (deri çdo një minutë), nëse ndjeni nevojën për të urinuar është mirë të shkoni në tualet, se boshatisja e fshikëzës së urines ndihmon daljen e bebit (ose nuk e pengon atë). Ndërkohë nëse lëvizni në këmbë gjatë intervalit, kjo bën mirë për të shtyrë poshtë kokën e bebit. Gjatë kësaj faze gratë mund të jenë më të shqetësuara, të kenë ndjenjën e të vjellit dhe humor të keq. E përsëris që prania e partnerit e lehtëson gjendjen dhe duhet të dini që kjo fazë zgjat 30 minuta ose pak më shumë. Nëse në këtë moment ndjeni nevojën për të shtyrë poshtë, mos e bëni pa marrë mendimin e mjekut. Është ai që do të vendosë kur është momenti që duhet shtyrë. Po u bë më parë se duhet, aktiviteti i lindjes mund të zgjasë më shumë.

Faza e dytë e lindjes

Kjo fazë fillon kur hapja e qafës të mitrës ka arritur 10 cm, ose ajo që quhet hapje e plotë. Gruaja këtë fazë e ka më të lehtë edhe pse kontraksionet janë çdo 1 minutë dhe zgjasin 60 sekonda, sepse ajo ka një ndjenjë të fortë të të shtyrit poshtë, gjë e cila shumë gra i lehtëson. E gjithë periudha është 30 minuta deri në një orë (tek gratë të cilat lindin për here të parë). Nga ana tjetër kjo është një fazë kur gruaja e ndjen veten të nevojshme sepse duhet edhe ndihma e saj e vullnetshme gjatë çdo kontraksioni për të shtyrë poshtë, duke përdorur muskulaturën e barkut.

Pozicioni që mund të merrni është ai që ju krijon mundësinë të shtyni më mirë, i cili mund të jetë në kurriz, anash apo ndenjur. Po të gjeni pozicionin e duhur dhe me ndihmën e partnerit, çdo gjë do t´ju duket më e lehtë.

a. qafa e mitrës është holluar, por ende nuk është hapur.

b. qafa e mitrës është hapur plotësisht dhe koka e bebit ka filluar të shtyjë në kanalin e lindjes (vaginën).

c. Duket maja e kokës.

d. Koka, pjesa më e gjerë e bebit, ka dalë jashtë. Pjesa tjetër e lindjes do të vazhdojë qetësisht.

Momenti i shumëpritur tani është shumë pranë dhe ju shpejt do të keni mundësinë të shihni fëmijën tuaj dhe ta mbani në gji. Në këtë moment provoni një ndjenjë çlirimi fizik dhe psikologjik të veçantë, ku gëzimi përzihet edhe me lotët. Por lindja nuk quhet e përfunduar derisa nuk ka dalë ende placenta, e cila del disa minuta (deri në 30) mbas lindjes. Gjatë kësaj kohe ju humbisni një sasi gjaku, e cila vlerësohet nga personeli mjekësor deri kur do të quhet normale.

Për të realizuar daljen e placentas do t´ju duhet të shtyni përsëri, këtë herë pa dhimbje, vetëm për të ndihmuar daljen e saj. Më pas, mbasi mjeku sigurohet që placenta ka dale e plotë, lindja mund të konsiderohet e kryer dhe ju mund t’i gëzoheni tërësisht fëmjës suaj, duke e vënë menjëherë në gji, në mënyrë që ai të ndiejë afërsinë e nënës deri në lëkurë.

 

© Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë

/komuniteti