Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Çfarë të marrim me vete në maternitet dhe çfarë të bëjmë gati në shtëpi?

Çfarë të marrim me vete në maternitet?

Duhet përgatitur një çantë me gjëra që duhet për të veshur fëmijën që sapo ka lindur: panolina, bluzat, çorapet, kapuçi prej pambuku, këpuckat etj.

Ka maternitete që nuk lejojnë veshjet personale, qoftë për nënën, qoftë dhe për fëmijën. Gjithsesi, interesohuni qysh më parë. Zakonisht në të gjitha maternitetet lejohen tashmë rrobat personale. Ndonjëherë mund të merren në spital edhe çarçafë të vjetër, veçanërisht kur keni merak për pastërtinë.

Normalisht do t`ju duhen 2-3 çarçafë për vete dhe të paktën 2 çarçafë të vegjël për fëmijën tuaj. Gjithashtu do t’ju nevojitet një veshje, për çastin kur do të dilni nga materniteti.

Çfarë të bëjmë gati në shtëpi?

Këndi i ndërrimit të fëmijës. Përgatitni një cep të shtëpisë për të vendosur tryezën e ndërrimit të fëmijës. Nuk është e thënë që patjetër ta bleni, sepse mund edhe ta sajoni. Sidoqoftë në treg ka të gatshme, të formave dhe përmasave të ndryshme. Kini parasysh që afër kësaj tavoline ose në sirtarët që vetë tryeza e gatshme mund të ketë, ju duhet të mbani teshat që ju nevojiten për ndërrimin e fëmijës, mjetet e tualetit dhe të pastrimit të fëmijës. Nëse keni gjetur ose blerë një peshore për peshimin e fëmijës, gjejini një vend aty afër, sepse fëmijën duhet ta peshoni të zhveshur, prandaj ju vjen për mbarë ta keni afër.

Vendi ku do t`i jepni gji fëmijës. Fëmijën mund ta vini në gji ku të doni. Por për të krijuar një atmosphere më të këndshme, zgjidhni një kënd të shtëpisë që ju pëlqen më shumë. Është shumë e rëndësishme kur ushqeni me gji, që në radhë të parë ju të rehatoheni (pra zgjidhni një kolltuk, ose poltronë të rehatshme, për ta rregulluar në pjesën e shtëpisë që e keni përzgjedhur për të ushqyer fëmijën). Ky vend duhet të jetë larg telefonit dhe televizorit, që të mos ju shqetësojnë.

 

© Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë

/komuniteti