Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Higjena e gojës

Si të kujdesemi për dhëmbët dhe mishin e dhëmbëve?

Fëmijëve duhet ti mësohet higjena e mirë e gojës sa më herët që të jetë e mundur

Larja e dhëmbëve rregullisht dhe përdorimi i fillit dentar ndihmon në shëndetin e dhëmbëve dhe mishit të dhëmbëve, dhe parandalon kariesin dentar dhe sëmundjet e mishit të dhëmbëve.

Pse është higjiena e gojës e rëndesishme?

Higjiena e gojës parandalon problemet dentare – kryesisht formimin e pllakës dentare dhe gurëzave, të cilat janë faktorët kryesore në krijimin e problemeve të mishit të dhëmbëve si dhe kariesit (prishja e dhëmbëve).

Pllaka dentare është një depozitim i bardhë dhe i butë i cili krijohet në sipërfaqet e dhëmbëve. Formohet kur bakteriet (sporet) bashkohen me pështymën dhe ushqimin. Pllaka përmban rreth 400 lloje bakteriesh. Ju mund të hiqni atë duke mbajtur një higjenë të mirë të gojës.

Kalkulus, ose ndryshe gurëzat, është pllakë e kalcifikuar dhe e forcuar. Ngjitet fort pas dhëmbëve. Në përgjithësi largohet nga dentisti me instrumenta të veçantë.

Kariesi (prishja e dhëmbëve) janë vrimat të cilat krijohen në smaltin (enamel) e dhëmbëve. Një ndër shkaqet kryesore të kariesit është mbledhja e pllakës. Bakteriet në pllakë formojnë acid pas reaksionit të tyre me sheqerin dhe nishesten që ndodhet në ushqime. Acidet mbahen në kontakt me dhëmbët me ndihmën e pllakës dhe me kalimin e kohës shkatërrojnë smaltin dhe dentinën.

Paradontozat (Sëmundjet e mishit të dhëmbëve) janë infeksioni dhe inflamimi i indeve që rrethojnë dhëmbët. Pllaka dentare është shkaku kryesor për formimin e këtyre sëmundjeve. Pllaka përmban disa lloje bakteriesh të cilat shtohen me zhvillimin e sëmundjeve periodontale. Sëmundjet periodontale ndahen në dy lloje sipas shkallës së zhvillimit të sëmundjes.

Gingivitis është inflamimi i mishit të dhëmbëve. Ka shumë lloje por në shumicën e rasteve janë të shkaktuara nga pllaka dentare.

Periodontitis ndodh në qoftë se gingivitisi keqësohet dhe progreson drejt indeve mbështetes të dhëmbit si membrana periodontale dhe procesi alveolar (kocka rreth dhëmbit).

Sëmundjet e mishit të dhëmbëve janë shkaktarët kryesore në humbjen e dhëmbëve në moshat e vjetra. Është gjithashtu shkaktari kryesor i erës së keqe të gojës (halitosis). Megjithatë sëmundjet e mishrave të dhëmbëve në shumicën e rasteve janë të shërueshme.

Higjena rutinë e gojës

Është e rëndësishme që të bëhet zakon pasja e një higjene të mirë të gojës duke përdorur furçën dhe fillin dentar çdo ditë.

Larja e dhëmbëve

Dhëmbët duhet të lahen të paktën dy herë në ditë. Përdorni furçë me fije të buta. Koka e furçës duhet të jetë aq e vogël sa të futet në të gjithë pjesët e gojës. Furça si rregull duhet të ndërrohet çdo 3-4 muaj. Shume veta mendojnë se një furçë elektronike kryen një pastrim më të mirë prandaj ato janë bërë kaq shumë popullore kohët e fundit. Është e këshillueshme që të përdoret një pastë dhëmbësh që të përmbajë fluorid. (fluoride ndihmon në parandalimin e kariesit)

Filli dentar

Filli dentar duhet të përdoret të paktën një herë në ditë pasi të lahen dhëmbët. E preferueshme është dy herë në ditë. (Shumë njerëz të cilët nuk e kanë përdorur me parë habiten se sa shumë copëra mund të hiqet duke përdorur fillin dentar si suplement i furçës)

Ditët e para kur fillon përdorimi i fillit dentar nga mishi i dhëmbëve mund të dalë pak gjak. Duhet të ndalojë brënda disa ditësh. Nëqoftë se dalja e gjakut vazhdon kontaktoni dentistin tuaj sepse gjaku nga mishi i dhëmbëve është tregues i fillimit të sëmundjeve të mishit të dhëmbëve.

Çfarë mund të bëni tjetër?

Zakonisht masat e mësipërme janë të mjaftueshme, por:

- Shumë njerëz përdorin gjithashtu gargara antiseptike çdo ditë për të parandaluar sëmundjet. - -- Për individët që nuk janë të aftë të përdorin furçën e dhëmbëve gargarat antiseptike luajnë një rol të rëndësishëm në pastrimin e dhëmbëve.
- Gjuha mund të pastrohet pasi të lani dhëmbët. Ky veprim mund të kryhet me anë të furçës së dhëmbëve ose me anë të disa furçave të veçanta për gjuhën.
- Nëqoftë se jeni duhanpirës duhet të keni si qëllim lënjen e duhanit. Pirja e duhanit është faktor rreziku për sëmundjet e mishrave të dhëmbëve.
- Ushqehuni me një diete të shëndetshme. Evitoni ushqimet dhe lëngjet që kanë përmbajtje të madhe sheqeri. Sheqernat janë ushqim për bakteriet i cili me vonë kthehet në acid nga këto të fundit duke shkaktuar karies.
- Nëqoftë se do i jepni ilaçe fëmijëve, sipas mundësive përdorni ilaçe që nuk përmbajnë sheqer.
- Përdorimi i çimçakezave pa sheqer pas ushqimit rrit rrjedhjen e pështymës e cila luan një rol të rëndësishem në pastrimin e gojës.

Disa pika të tjera të rëndësishme

- Fëmijëve duhet ti mësohet higjena e mirë e gojës sa më herët që të jetë e mundur.
- Bëni kontroll dentar sipas intervaleve të rekomanduara nga dentisti juaj, të paktën një herë në vit.
- Për ndihmë dhe këshilla të mëtejshme kontaktoni dentistin tuaj.

 

Përshtatur nga Mjeke Stomatologe,

Renata Pulja

Nëntor 2013

/komuniteti