Vizita vaginale e kryer me dorë nga mjeku gjinekolog, është vizita më intime që bëhet gjatë shtatzanisë. Jo të gjitha grate shtatzëna e lejojnë me dëshirë këtë ekzaminim, sidomos në fillim të saj.
Për këtë arsye një vizitë vaginale mund të kryhet vetëm pasi ju jeni informuar me hollësi nga mjeku për llojin e vizitës, pasi ju është marrë leje dhe ju është thënë një arsye bindëse për të bërë vizitën.
Ju duhet ta dini që kur mjeku e kërkon këtë lloj vizite, ka një arsye të mjaftueshme dhe se ai i di mirë rastet kur kjo vizitë dëmton shtatzaninë.
Në kontrollin e parë vizita vaginale bëhet për:
• Përcaktimin e diagnozës: shtatzani.
• Vlerësimin e moshës së shtatzanisë.
• Zbulimin e keqformimeve të aparatit gjenital të gruas.
• Vlerësimin e sekrecioneve vaginale.
• Vizitën e saktë të qafës së mitrës, e cila mund të sjellë probleme me rritjen e shtatzanisë.
• Mundësisht për marrjen e Paptestit.
Në kontrollet e tjera para lindjes vizita vaginale kryhet për të:
• përcaktuar gjendjen e rrezikut të abortit.
• përcaktuar rrezikun e lindjes para kohe.
• konfirmuar pamjaftueshmërinë e qafës së mitrës për të mbajtur shtatzaninë deri në fund.
• vlerësuar gjendjen e qafës së mitrës, para se të stimulohet artificialisht aktiviteti i lindjes në fund të shtatzanisë.
• vlerësuar pjesën paraqitëse të bebit, para se të fillojë aktiviteti i lindjes.
• vlerësuar rrugët e lindjes.
Vizita vaginale nuk këshillohet vetëm në rastet kur keni pasur hemorragji para lindjes në shtatzanitë e mëparshme dhe kur kanë plasur membranat dhe ka rrjedhje ujrash, para se të fillojë aktiviteti i lindjes.
© Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë