Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Të ushqyerit para shtatzanisë

A duhet ta ndryshoj ushqimin para shtatzanisë?

Nëse keni vendosur të mbeteni shtatzënë, ndryshimi i shprehive në të ushqyer është një nga faktorët e rëndësishëm që ndikon në shëndetin e fëmijës tuaj. Keni parasysh që ushqimin të cilin e konsumoni mund të ndikojë në mundësinë për të mbetur shtatzënë – në mënyrë të mirë ose të keqe. I rëndësishëm është fakti që ushqimi ndikon edhe në shëndetin e foshnjes suaj. Ushqimi i shumëllojshëm i cili përmbanë përbërës ushqimorë në sasi adekuate është i domosdoshëm para shtatzanisë, gjatë shtatzanisë dhe gjatë gjidhënjes.

Kur duhet të filloj me ndryshimin e shprehive në të ushqyer?

Nuk ka periudhë të caktuar kohore si optimale për ndryshimin e shprehive. Sa më parë, aq më mirë! Nuk duhet të jetë në muajin e parë, as të hënën, as një vit, e as tre muaj para shtatzanisë. Nëse keni vendosur për konceptim, këshilloheni që të filloni menjëherë me ndryshimet (sidomos në të ushqyer). Planifikimi i shtatzanisë është një mundësi për ndryshim të shprehive tuaja, dhe secila ditë është një ditë e mirë për të filluar një jetë të shëndetshme. Keni parasysh që më të ndjeshme janë tre javët e para, kur shpesh edhe nuk jeni në dijeni që jeni shtatzënë, atëherë edhe zhvillimi i frytit është më i ndjeshëm. Bëni ndryshime “të shëndetshme” në frigoriferin dhe menunë tuaj.

Çfarë duhet të ndërmarrë para shtatzanisë?

Nëse nuk konsumoni mjaft vitamina dhe minerale, ushqeheni parregull (ushqim fast food), fleni pak, jeni nën stres të përditshëm…gjithsesi duhet të rregulloni të ushqyerit tuaj dhe jetën në përgjithësi. Planifikimi i një shtatzanie të shëndetshme me një stil të shëndetshëm të jetesës do të zvogëlojë rreziqet dhe komplikimet e shëndetit tuaj dhe të foshnjes.

Preferohet që para shtatzanisë të keni parasysh disa udhëzime:

- Konsumimi i ushqimit duhet të jetë i përshtatur me principet e ushqyerjes së drejtë;

- Në asnjë mënyrë nuk duhet ti shmangni shujtat apo të mbani ndonjë dietë me pak kalori;

- Gjithsesi keni kujdes në konsumim të vitaminave dhe mineraleve (sidomos hekurit, kalciumit, acidit folik);

- Alkoholin largojeni nga përdorimi si dhe limitoni konsumin e pijeve me kafeinë;

- Mirëmbani peshën trupore – me ushqyerje të shëndetshme do të siguroni rritjen dhe zhvillimin e drejtë të foshnjes suaj në mitër;

Cilat gjëra ushqimore ndikojnë pozitivisht në konceptim?

Më së miri është që të zgjedhni gjërat ushqimore të pasura me vitamin B kompleks, C, A dhe D (pemë dhe perime të freskëta, peshk, vezë) dhe minerale – sidomos kalcium dhe hekur (mishi i kuq, perimet me gjethe të gjelbëra, qumësht dhe prodhime qumështore, peshku i cili konsumohet me kocka).

Gjërat ushqimore të pasura me proteina: mish pa dhjamë, peshk (minimum tre herë në javë), vezë, qumësht dhe legume (fasule, bizele – kombinojini me drithëra që të përmirësojnë kualitetin e proteinave). Poashtu, keni kujdes në konsumim të bimëve me fije (drithërat e ziera, pemët dhe perimet e freskëta, thekrra).

Çfarë duhet shmangur?

Rekomandohet që menjëherë pas leximit të këtij udhëzimi të ndaloni:

- Përdorimin e ëmbëlsuesve artificial (për dëmet e kafeinës dhe alkoholit tashmë ju kemi folur) – zgjidhje më e “shëndetshme” janë mjalta apo sheqeri errët.

- Konsumimin e pijeve të gazuara – nuk kanë asnjë vlerë ushqyese për pregatitjen e organizmit tuaj për shtatzani (përmbajnë kafeinë, taninë,…) – më mirë konsumoni lëngje pemësh të freskëta.

- Nëse konsumoni duhan – ndaloni menjëherë, nëse përdorni drogë – lajmërohuni për ndihmë profesionale në luftën kundër sëmundjeve varëse.

A është i rëndësishëm konsumi i vitaminave dhe mineraleve para konceptimit?

Jashtëzakonisht i rëndësishëm! Nëse planifikoni shtatzani, filloni menjëherë me konsumim të vitaminave dhe mineraleve (por më parë konsultohuni me mjekun tuaj) me anë të preparateve apo me anë të ushqimit. Mbani në mend – preparatet asnjëherë nuk mund të jenë burim i vetëm i këtyre përbërësve nutritivë dhe nuk janë zëvendësim për ushqim!

I rëndësishëm është konsumimi i vitaminës B kompleks (peshku, frutat e detit, e verdha e vezës, qumështi, jogurti, djathi i fermentuar, soja, gruri, maja), acidi folik (maja dhe gruri – janë burimet më të pasura për vegjetarianët, perimet me gjethe të gjelbëra, portokajtë, pemë arre dhe fara), kalciumi (qumështi dhe prodhimet qumështore, sardelet, pemët me gjethe të gjelbëra, susami, soja (në fara), qumështi sojës dhe djathi tofu (i pasur me kalcium), bajamet,…) dhe hekuri (mishi i kuq, mëlçitë (lopës, pulës, viçit), fasulet, drithërat e pasura dhe kumbullat e thata, tuna, soja, kungulli, bizelet, maja, fiku, e verdha e vezës, rrushi i thatë,…).

A ndikon gjendja e të ushqyerit në konceptim?

Po! Pesha e vogël trupore në raport me atë që rekomandohet si dhe trashësia kanë ndikim të madh jo vetëm në konceptim, por edhe në vet ecurinë e shtatzanisë (mundësia e paraqitjes së diabetit, hipertensionit, infeksionit të traktit urinar, aborti, lindja e foshnjes me peshë të vogël/madhe trupore, retardimi,…).

Shpesh hasim edhe në frikën nga shtimi në peshë trupore gjatë shtatzanisë (një numër i caktuar i grave madje i shmangen shtatzanisë për këtë arsye) – nuk keni arsye për brengosje. Ndiqni udhëzimet në të ushqyer para dhe gjatë shtatzanisë dhe gëzohuni për lindjen e një jete të re!

A duhet të ndryshojë të ushqyerit edhe mashkulli para konceptimit?

Duhet. Para konceptimit nuk është e domosdoshme që vetëm gruaja të ndryshojë shprehitë e saj në të ushqyer. Kjo bazohet edhe në mashkullin poashtu:

- Të zvogëlojë sasitë e alkoholit dhe kafeinës

- Të ketë kujdes në konsumim të mineraleve, zinkut dhe selenit (të rëndësishëm për prodhimin e spermatozoideve) – zinkun mund ta gjeni në mish të lopës, bizele, mish qure dhe djath, ndërsa selenin në farat e grurit, krunde, qepë, domate, tuna dhe në brokoli.

- Ushqimi i shumëllojshëm dhe i drejtë poashtu ka ndikim të rëndësishëm në pjellshmëri.

/komuniteti