Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Herpesi gjenital

Çfarë është herpesi gjenital?

Herpesi bartet me kontakt direkt me personin e infektuar

Herpesi gjenital është sëmundje e shpeshtë seksuale që bartet, e cila paraqitet tek të dy gjinitë. Shkaku i paraqitjes është herpes simpleks virus (HSV) i tipit 2, i cili zakonisht paraqitet në gjenitale dhe bartet në trup përmes lëkurës apo sekretit.

Me faktin që kontakti seksual është mënyra kryesore e shpërndarjes së virusit, duhet patur kujdes në mbrojtjen e të dy partnerëve.

Cilët janë shkaktarët për paraqitjen e herpesit gjenital?

Egzistojnë dy lloje të herpes simpleks virusit të cilët mund të shkaktojnë herpesin gjenital:

* HSV tipi 1 – lajmërohet si puçrra të vogla të kuqe në buzë dhe mund të zgjerohet në gjenitale gjatë seksit oral.

* HSV tipi 2 – është shkaktari më i shpeshtë i herpesit gjenital, i cili bartet me kontaktin direkt me personin e infektuar. Edhe pse herpesi mund të dallohet lehtë në gjenitale, problemi është se virusi mund të bartet edhe kur nuk është aktiv.

Cilët janë simptomet më të shpeshtë të herpesit gjenital?

Simptomet dhe shenjat e herpesit gjenital shpesh nuk janë menjëherë të dukshme ose janë më pak të dukshme, prandaj shpesh personi për një kohë edhe nuk mund ta dijë nëse është i infektuar.

Me aktivizimin e virusit, pasojnë simptomet:

* Fryrje të vogla të skuqura, puçrra, të skuqura në gjenitale, ne anus apo diku afër

* Dhembje apo kruarje në zonën e gjenitaleve apo të të ndenjurave

Simptomi i parë që lajmërohet pas disa javësh nga kontakti me partnerin e infektuar është dhembja apo kruarja. Pas disa ditësh mund të lajmerohen puçrra të vogla të kuqe. Më pastaj puçrrat shpërthejnë, kullojnë gjak apo qelb, dhe krijohet plaga e vogël e cila zhduket me kalimin e kohës.

Poashtu, mund të lajmërohen simptome të ngjashme me gripin, kokëdhembja, dhembja në muskuj, ethe, gjëndrra të fryra limfatike…

Kur aktivizohet herpesi gjenital?

Herpesi gjenital manifestohet ndryshe tek personat. Shenjat dhe simptomet mund të rikthehen pas ca vitesh, ndërsa disa persona kanë disa epizode çdo vit.

Zakonisht, tek shumica e njerëzve me kalimin e kohës, lajmërohet më rrallë. Kur paraqitet herpesi për herë të parë, atëherë simptomet janë më të këqija, mund të zgjasë me javë të tëra, derisa të shpërthejnë puçrrat, të del qelbi dhe të shërohet. Secilën herë që lajmërohet, është më pak i dhembshëm, ndërsa plaga më shpejt shërohet.

Faktorë të ndryshëm mund të jenë “kyç” për aktivizim të herpesit, ndërsa më të shpeshtët janë stresi, sëmundja apo rënia e imunitetit, lodhja konstante, si dhe menstruacionet tek femrat.

Kur duhet vizituar mjekun?

Nëse dyshoni se keni herpes gjenital apo cilëndo sëmundje tjetër bartëse seksualisht, gjithsesi vizitoni mjekun tuaj, në mënyrë që, me anë të mjekimit, të parandalojë komplikimet eventuale (rrezikun e shtuar nga paraqitja e sëmundjeve tjera seksuale, problemet urinare, problemet me prostatë…).

Mjekun duhet ta informoni për simptomet që i ndjeni, por edhe për ilaçet, vitaminat apo suplementet të cilat jeni duke i përdorur.

Si diagnostifikohet herpesi gjenital?

Mjeku e përcakton diagnozën pas vizitës vizuele, e cila është më e thjeshta por më e sakta. Nëse mjeku nuk sheh ndonjë simptomë të dukshme, merr strishton nga pjesa e lëkurës ku mund të jetë e infektuar dhe e dërgon në laborator, në mënyrë që të zbulohet nëse virusi është i pranishëm në trup. Janë të mundura edhe testet e gjakut të cilat zakonisht i rekomandojnë mjekët kur dyshojnë edhe në ndonjë sëmundje seksualisht bartëse.

Si shërohet herpesi?

Egzistojnë preparate të ndryshme të cilat parandalojnë thyerjen e herpesit, e mbajnë nën kontrollë, lehtësojnë vuajtjet të cilat paraqiten shkaku i këtyre puçrrave dhe plagëve, dhe zvogëlojnë numrin e ditëve gjatë të cilave jeni të infektuar.

Duhet theksuar që gjithsesi, që duhet ti përmbaheni terapisë të cilën ua ka përshkruar mjeku, por megjithatë asnjë preparat nuk mund të zhduk virusin plotësisht nga organizmi.

Ilaçi më i mirë është preventiva, për këtë më së miri shmangni marrëdhënjet seksuale me persona të infektuar, zvogëloni numrin e partnerëve dhe përdorni kondomë.

A është herpesi gjenital i rrezikshëm për shtatzëna?

Shtatzëna gjithsesi duhet ta informojë gjinekologun e saj që ka herpes gjenital, në mënyrë që ai ti përshkruaj terapinë adekuate.

Nëse gruaja gjatë kohës së shtatzënisë e fiton herpesin dhe nëse nuk shërohet, virusi mund të bartet në foshnje. Poashtu, nëse puçrrat e herpesit janë të pranishme gjatë lindjes, si dhe në rastet me simptomet e para (të dhembjes dhe kruarjes) mjeku mund të ju ofrojë lindje me operim cezarian.

/komuniteti