Temperatura e lartë është pa dyshim njëra nga arsyet më të shpeshta për shkak të së cilës prindërit kërkojnë ndihmë ose këshillë mjekësore.
Prindërit janë shumë të brengosur kur fëmija ka temperaturë dhe kjo për shkak të mendimit të gabuar që temperatura është sëmundje dhe jo shenjë e sëmundjes.
Temperatura është njëra nga mënyrat mbrojtëse të trupit kundër sëmundjeve të ndryshme.
Ajo paraqet për femijët një mekanizëm mbrojtës sepse pengon shumimin e trupave të huaj apo mikrobeve, aktivizon sistemin imunitar me qëllim që organizmi të jetë i aftë t’i luftojë bakteriet dhe viruset. Kjo do të thotë që temperatura është një tregues objektiv i gjendjes fiziologjike të fëmijës. Gjithashtu është e rëndësishme sepse na ndihmon për vlerësimin e gjendjes së përgjithshme të fëmijës dhe efektin e mjekimit.
Te fëmijët temperatura e lartë e cila shfaqet në mënyrë akute në të shumtën e rasteve është me natyrë virale, siç janë: infeksionet virale të rrugëve të frymëmarrjes, infeksionet e veshit te mesëm etj.
Flasim për temperaturë të lartë nqs në mëngjes temperatura është mbi 37,5 oC e në mbrëmje mbi 37.8 oC. Kjo duhet dalluar nga e ashtuquajtura hiperpireksi, në të cilën gjendje temperaura është mbi 40 oC psh. gjatë infeksioneve të sistemit nervor qendror dhe në këto raste duhet kërkuar urgjentisht ndihmë mjekësore.
Gjatë kohës kur fëmija ka temperaturë humben lëngje me anë të djersitjes prandaj duhet të pijë sa më shumë. Te fëmijët nga mosha 6 muaj deri në moshën 6 vjeç gjatë temperatuës shfaqen edhe ngërçet, kjo sidomos nqs dikush në familje ka pasur ngërçe në fëmijëri. Pse disa fëmijë kanë ngërçe gjatë temperaurës e disa të tjerë nuk kanë nuk dihet, mendohet se ndoshta ka natyrë trashëguese.
Çfarë duhet bërë?
Fëmija ka nevojë të pijë lëngje shumë herë në ditë në sasi të pakta.
Duhet të jetë i veshur sa më hollë e të jetë i mbuluar vetëm me çarçafë.
Kur temperatura rritet deri në 38,5oC në fillim këshillohet të bëjë banjë me ujë të vakët ose të mbulohet me kompresa të lagura. Nëse temperatura është mbi këtë nivel (>38,5oC ) përdoren barna siç është paracetamoli në formë të sirupeve ose qirave (10-20 mg/kg). Bari duhet të përdoret në sasi të caktuar dhe çdo 4 deri në 6 orë që të jetë efikas. Dhënia e aspirinës deri në moshën 12 vjeç nuk lejohet për shkak të efekteve anësore toksike ose sindromit Rej (ang. Reye Syndrome).
Shumë rrallë temperatura deri në 38,5 oC lë pasoja te fëmijët, prandaj prindërit nuk duhet të jenë të shqetësuar. Kjo temperaturë vetëm sa i ndihmon trupit për ta përballuar infeksionin. Andaj, edhe njëherë temperatura ëshë shenjë e sëmundjes dhe JO sëmundje.
Dr. Med. Shpresa Pula
Specialiste - Pediatre