Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Qendra e fertilitetit dhe e shëndetit të gruas në Spitalin Amerikan ekografia obstetrikale morfologjike

Ekografia morfologjike është ekzaminimi që realizohet nëpërmjet ultratingujve. Ky shërbim ofrohet nga aparaturat më të avancuara dhe stafi i specializuar i mjekëve obstetër gjinekologë të Spitalit Amerikan. Kjo ekografi realizohet në javët e 18-22 të shtatzënisë. Ekografia morfologjike shërben për vlerësimin e anatomisë normale, zbulimin e anomalive dhe mirëqenien e fetusit. 

Kontrolli anatomik fetal në javët e 18-22 

• Kontrolli juaj në javët e 18-22

• A duhet të bëj kontroll kur jam 18-22 javëshe?

• Çfarë do të mund të shoh?

• Çfarë ekzaminohet në kontrollin e javëve 18-22?

• Çfarë hollësish të tjera mund të kontrollohen?

• Çfarë matet në kontrollin e javëve 18-22

• Çfarë anomalish mund të shihen gjatë kontrollit të javës 18-22?

• Çfarë janë markerat ekografikë?

• Cilat janë shenjat e një anomalie?

• A e tregon kontrolli seksin e fëmijës?

• A mund të marr një foto?

 

Kontrolli juaj në javët 18-22

Shumë grave iu bëhet një kontroll ekografik obstetrikal rreth javëve 18-22 të shtatzënisë. Qëllimi i kontrollit në këto javë është që të kontrollohet nëse fëmija ka zhvillim normal. Zakonisht, ky quhet kontrolli ekografik i morfologjisë fetale ose kontrolli i anomalive fetale. Ky kontroll kyhet me qëllim që të shihet nëse ka anomali të rritjes dhe zhvillimit strukturor të fëmijës, si spina bifida (shtylla e hapur kurrizore) ose anomali të zemrës si dhe për të kontrolluar pozicionin e placentës. Të shihni fëmijën tuaj në ekran është moment mjaft entuziazmues dhe emocional. Partneri juaj dhe fëmijët e tjerë që keni janë të mirëpritur për të ndarë këtë përvojë me ju. Shumë çifte duan të dinë seksin e fëmijës së tyre dhe të marrin disa foto. është me rëndësi, sidoqoftë, të mbani parasysh se qëllimi kryesor i këtij kontrolli është të shihet nëse ka anomali.

A duhet të kryej një kontroll në javët 18-22?

Asnjë kontroll obstetrikal nuk është i detyrueshëm gjatë shtatzënisë. Jeni gjithnjë ju që zgjidhni. Flisni me mjekun tuaj lidhur me arsyet për të cilat mund të doni të kryeni kontrollin, si edhe për të pyetur për çdo shqetësim që keni. 

Çfarë do të mund të shoh?

Nëse nuk keni kryer ende ndonjë ekografi gjatë kësaj shtatzënie, mjeku obstetër do të shoh nëse keni vetëm një fëmijë dhe do t'ju konfirmojë datën kur do të lindni. Ai do t'ju tregojë rrahjet e zemrës dhe pjesë të fëmijës, si fytyra dhe duart, përpara se ta shohë fëmijën tuaj me hollësi. Në këtë pikë, disa mjekë e kthejnë ekranin nga ana tjetër për pjesën e mbetur të kontrollit të ekografisë dhe ju tregojnë sërish pamje në fund të këtij kontrolli. Ekografia zgjatë rreth 15-20 minuta. 

Çfarë ekzaminohet në kontrollin e javëve 18-22?

Organet e brendshme të fëmijës tuaj ekzaminohen nëpërmjet seksioneve tërthore/longitudinale/oblike, të cilat janë të vështira për t'u kuptuar nga ju. Në eko, kockat duken të bardha, lëngu i zi dhe indet e buta duken në ngjyrë gri dhe me njolla. 

KOKA ekzaminohet e para, zakonisht për të parë formën dhe strukturat e brendshme. Disa probleme të rënda të trurit janë të dukshme në këtë fazë. Mjeku obstetër kontrollon fytyrën e fëmijës, për të parë nëse ka ndonjë çarje në buzë, por çarjet e qiellzës brenda gojës së bebes janë më të vështira për t'u parë dhe shpesh nuk kapen nga kontrollet ekografike.

SHTYLLA KURRIZORE kontrollohet me pamje gjatësore dhe tërthore, për t'u siguruar që të gjitha vertebrat të jenë të puthitura me njëra tjetrën dhe që shtylla kurrizore mbulohet nga lëkura në pjesën e pasme. Pareti abdominal i bebes kontrollohet gjithashtu për t'u siguruar që mbulon të gjitha organet e brendshme në pjesën e përparme.

ZEMRA kontrollohet për të parë madhësinë dhe formën. Dy dhomat e sipërme ose “veshoret” dhe dy dhomat e poshtme ose “barkushet” duhet të jenë me përmasa të barabarta dhe valvulat duhet të hapen e të mbyllen për secilën rrahje të zemrës. Spitali Amerikan ofron edhe një kontroll më të hollësishëm për të parë më në detaje zemrën dhe enët e mëdha të gjakut (ekokardiografia fetale). Ky nivel kontrolli është i mundur në sajë të aparaturave moderne ekografike që disponon Spitali Amerikan dhe nga stafi i specializuar në këtë drejtim, në Francë, Rumani, Itali dhe Turqi.

STOMAKU duhet të jetë i dukshëm poshtë zemrës. Foshnja juaj gëlltit një pjesë të likidit amniotik në të cilin pluskon. Kjo bën që stomaku të shihet si flluskë e zezë.

VESHKAT. Mjeku ekograf kontrollon nëse fëmija ka dy veshka dhe nëse urina rrjedh lirisht në fshikëz. Nëse fshikëza është e zbrazur, ajo duhet të mbushet gjatë kontrollit të ekos dhe do të jetë më lehtë për t'u parë. Fëmija juaj ka filluar që prej disa muajsh, të urinojë çdo gjysmë ore!

DUART DHE KËMBËT ekzaminohen dhe shikohen gishtat e duarve dhe të këmbëve.

PLACENTA, KORDONI OMBILIKAL DHE LIKIDI AMNIOTIK kontrollohen të gjitha. Placenta mund të jetë në murin e përparmë apo të pasmë të mitrës suaj, zakonisht sipër (ose fundus), ndaj mund të përshkruhet si “ fundike” në raportin tuaj të ekos. Shumë placenta përshkruhen si “previa”, pasi arrijnë deri poshtë apo mbulojnë qafën e mitrës (cerviksin). Nëse placenta juaj është previa, një ekografi tjetër do të programohet për tremujorin e tretë, kohë për të cilën një pjesë e mirë e placentave largohen nga cerviksi. Mund të numërohen tri enët e gjakut në kordonin e kërthizës. Duhet të ketë sasi të mjaftueshme të lëngut amniotik që rrethon beben dhe e lejon të lëvizë lirisht në këtë fazë.

 Ç'hollësi të tjera mund të kontrollohen?

Nëse keni një historik dhimbjesh lindjeje të parakohshme apo një abort në fazë të vonë, mund të kryhet një kontroll për matjen e qafës së mitrës, edhe pse ky do të ishte më i saktë nëpërmjet ekos vaginale.

Çfarë matet gjatë kontrollit të javëve 18-22?

Kryhen matjet e perimetrit të kokës (HC) dhe diametrit biparietal (BPD), së bashku me perimetrin abdominal (AC) dhe gjatësinë e femurit apo kockën e kofshës (FL) për t'u siguruar për zhvillimin normal të fëmijës dhe që përmasat janë në përputhje më moshën e shtatzënisë.

Cilat anomali mund të shihen nga ekografia në javët 18-22?

Rreth gjysma e të gjitha anomalive madhore do të shihet gjatë kontrollit në eko, ndërsa gjysma tjetër jo. Ndaj, edhe nëse kontrolli rezulton normal, ka një mundësi të vogël që bebja juaj ende të ketë një problem. Disa probleme, si defektet në zemër dhe bllokimet e zorrëve mund të mos jenë të dukshme deri në fund të shtatzënisë suaj. 

E tregon ekografia seksin e fëmijës tim?

Pas 14 javësh, seksi i fëmijës është shpësh i qartë. 

Mund të marr një foto?

Është mjaft e zakontë që pas kontrollit të ekografisë, të vihet në dispozicion një video ose DVD, madje shpesh edhe një foto.

/komuniteti