Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Kujdesi i nënës për veten në lidhje me ushqyerjen me gji

Mos u shqetësoni nëse barku juaj është i madh dhe këmbët të fryra. Për një kohë të shkurtër gjithçka do të kthehet si më parë. Edhe pse jeni të lodhura, të dërrmuara nga pagjumësia, përpiquni të gjeni kohë për t’u kujdesur për paraqitjen tuaj.

Kërkoni ndihmë nga bashkëshorti ose familjarë të tjerë, një shoqe, apo merrni një kujdestare, qoftë dhe një herë në javë dhe këtë kohë kushtojani vetëm vetes suaj. Kjo do t’ju ndihmojë t’ju ngrihet humori.

Edhe kur ushqen me gji fëmijën e vet nëna mundet:

• të hajë pothuaj gjithçka që i pëlqen

• mund të bëjë plazh dhe të marrë rreze me llambë ultravjollcë (të nxihet në solar)

• të lyejë dhe të trajtojë flokët.

Ushqyerja e nënës

Nëna që e ushqen fëmijën e vet jo vetëm mund të hajë çfarë i pëlqen, por edhe duhet të hajë pak më shumë gjatë gjithë kohës që ushqen me gji fëmijën e vet. Janë të gabuara zakonet popullore që i ndalojnë nënës ushqime të caktuara.

Sa më e larmishme dieta, aq më mirë është! Ajo mund të hajë djathë dhe të pijë qumësht sipas dëshirës. Disa prej ushqimeve që mund të shkaktojnë alergji si peshku, veza, arrat e lajthitë etj., thuhet se duhet të shmangen, por në fakt edhe po të mos merren, nuk arrijnë të parandalojnë alergjinë tek bebi.

Ndërkaq, nuk është e vërtetë se marrja e perimeve nga nëna shoqërohet me të dala jashtë me ngjyrë jeshile tek fëmija. Ky është thjesht një besim jo i vërtetë: a keni pare ndonjëherë që qumështi të ketë ngjyrë jeshile?! Përkundrazi, gruaja që sapo ka lindur duhet të hajë me shumicë fruta dhe perime, me qëllim që të luftohet kapsllëku.

Gjatë periudhës që ushqen me gji, nëna nuk duhet të bëjë dieta dobësuese: qumështi i nënës prodhohet duke konsumuar energjitë ushqimore të saj, prandaj edhe duhet të hajë kur i hahet, përndryshe mund të krijohen mungesa në ndonjë lëndë ushqimore të rëndësishme tek fëmija.

Po kur nëna është kaps?

I duhet të hajë fruta dhe perime të ziera ose të gjalla, duhet të marrë bukë të zezë dhe duhet të pijë shumë lëngje. Nuk duhet të marrë ilaçe nxitës të zorrëve (laksativë), sepse mund të kalojnë në qumësht dhe të japin diarre tek fëmija.

Nëna që ushqen me gji, duhet të çlodhet sa më shumë që të jetë e mundur

Edhe pse “rrëmuja” që shkakton bebi është e madhe, ajo duhet të gjejë momentet për t’u çlodhur vetë.

Nuk ka pse t’i bëhen analizat qumështit të gjirit

Është tashmë një gjë e harruar dhe e padobishme; nuk shkakton gjë tjetër vecse ankth, probleme dhe turbullim. Nga të gjithë pranohet se në qumështin e gjirit nuk mungon asgjë dhe nuk ka asgjë që të mund të bëjë dëm. Nëse mungon diçka, kjo i takon nënës (prandaj dieta e saj duhet të jetë e bollshme dhe e shumëllojshme). Për më tepër qumështi i nënës e ndryshon përmbajtjen e vet edhe nga një vakt në tjetrin, për t`iu përgjigjur kërkesave të fëmijës.

Miopia e …okulistit

Rënia e shikimit gjatë shtatzanisë nuk është thjesht një bestytni popullore, por një ndodhi reale. Por nga ana tjetër nuk është aspak e vërtetë se ushqyerja me gji e keqëson shikimin, prandaj është e padrejtë këshilla e shumë okulistëve për të mos lejuar nënën t`i japë gji fëmijës së vet, se ka një problem me sytë.

 

© Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë

/komuniteti

/tema e javës

Java: Komente: