Aspirina: zakonisht, e përdorur kundër dhimbjeve, ose temperatures së lartë (1 – 2 g, ose 2 – 4 kokrra në ditë), nuk ndikon mbi fëmijën. Por, nëqoftëse merret në doza më të larta, është helmuese për të voglin.
Ergotamina: bën pjesë në shumë ilaçe që përdoren për dhimbjen e kokës. Meqenëse mund të shkaktojë barkqitje e të vjella, si dhe çrregullime të qarkullimit të gjakut tek fëmija, prania e këtij bari në gjakun e fëmijës konsiderohet me rrezik.
Laksativët: janë disa ilaçe që përdoren mjaft shpesh nga lehonat për të luftuar kapsllëkun. Një pjesë e këtyre ilaçeve mund të thithen nga fëmija dhe të shkaktojnë tek ai dhimbje barku dhe bark. Sa here që lind nevoja e përdorimit të një ilaçi të tillë, është mirë të këshilloheni me një mjek, ose të përdorni laksativët natyralë, si kumbullat dhe bukën e zezë.
Hekuri: dhënia në venë e hekurit është pothuaj e rëndomtë në gratë pas lindjes. Hekuri mund të jetë përgjegjës për dhimbjet e barkut tek fëmija që ushqehet me gji. Pavarësisht këtij fakti, përdorimi i hekurit është shumë i rëndësishëm, prandaj edhe duhet të merret parasysh.
Antibiotikët: shumica e antibiotikëve janë të pajtueshëm me ushqyerjen me gji, sidomos Penicilina, Cefalosporinat, Aminoglukozidët etj. Ciprofloksacina, një antibiotik që po përdoret shumë këto kohët e fundit, duhet të shmanget gjatë kohës që nëna ushqen me gji fëmijën e vet.
Antitrombotikët: ndodh shpesh që pas lindjes, një grua të bëjë Flebit. Marrja në këtë rast e Heparinës është krejtësisht pa problem për të voglin.
Anestetikët: qëllon rrallë, por mund të ndodhë që nëna t`i nënshtrohet një operacioni. Atëherë, ndoshta duhet të vihet në gjumë me narkozë. Në një rast të tillë duhet të shtyhet vënia në gji e fëmijës, derisa bari të jetë eleminuar nga organizmi i gruas.
Në fund të këtij komenti do të dëshironim që të mbetej një mesazh:
Ushqyerja me gji, gjatë kohës që duhet të merren edhe ilaçet, nuk duhet të ndërpritet automatikisht (dhe pa sy kritik). Koha, kur çdo ilaç duhej të ndalohej, tashmë ka ndryshuar.