Nganjëherë fëmija nuk reagon menjëherë me emocione të forta. Ai pranon humbjen gradualisht. Ky është mekanizmi mbrojtës, i cili e mbron fëmijën nga vërshimi i emocioneve.
Protesta dhe zemërimi
Disa fëmijë reagojnë menjëherë dhe nuk mund të qetësohen. Me zemërimin ata shprehin dhimbjen dhe pafuqinë e tyre.
Apatia
Duket sikur atyre u kanë ngrirë emocionet, sikur nuk ndiejnë gjë, sikur nuk kanë emocione. Në këtë mënyrë ata mbrojnë veten e tyre deri sa të jenë aq të fortë, sa të përballojnë humbjen.
Vazhdimi i veprimtarisë së zakonshme
Veprimtaritë e përditshme vazhdojnë: duket sikur çdo gjë është normale dhe sikur asgjë s’ka ndodhur. Sjellje të tilla ndihmojnë fëmijën që gradualisht të përgatitet, për të përballuar humbjen nëpërmjet veprimtarive të njohura dhe të afërta për të.
Reagimet e zakonshme të fëmijëve në hidhërim - Frika
Frika dhe zemërimi mund të shprehen në mënyra të ndryshme. Fëmijët më të vegjël kanë më shumë kërkesa, janë më të varur, shprehin reagimë të fuqishme, kur i largojnë nga prindi që ka mbetur gjallë. Ata nuk duan të shkojnë në shkollë dhe kanë frikë nga vdekja. Kanë shumë frikë, veçanërisht në kohën e gjumit. Kanë frikë të flenë vetëm dhe lidhen shumë me prindin që ka mbetur gjallë.
Kujtime të gjalla
Në një rrethanë krize ka një fenomen të përgjithshëm të së ashtuquajturës ‘supermemorie’. Në rast se fëmija ka qenë i pranishëm gjatë tragjedisë apo vdekjes së anëtarit të familjes, këto përfytyrime mund të shfaqen si një ‘video e brëndshme’ dhe vazhdimisht, në mënyrë të imponuar. Fëmija i përjeton këto kujtime të gjalla më shpesh në kohën e gjumit dhe fëmija mund të ketë vështirësi ta zerë gjumi, të jetë vazhdimisht i shqetësuar, duke u përpjekur të ruhet nga këto ndjenja të këqija.
Çrregullimet e gjumit
Vështirësitë në të fjetur dhe çrregullimet gjatë gjumit janë të zakonshme tek fëmijët që janë në zi. Ndodh që t’i thuhet fëmijës se “babi po flë përgjithmonë” për t’i përshkruar vdekjen e babait, por kjo e çon fëmijën drejt frikës për të fjetur. Frika mund të shtohet edhe më shumë në rast se fëmija vuan nga ëndrrat e këqija. Fëmija mund të ndihmohet duke e inkurajuar që të shprehë ndjenjat e trishtuara gjatë ditës, qoftë më anë të fjalës, lojës, vizatimit apo teknikave të tjera ekspresive. Kjo do të ulë vështirësitë në kohën e zënies së gjumit por edhe do të pakësojë çrregullimet gjatë tij.
Malli dhe trishtimi
Këto ndjenja mund të shprehen në mënyra të ndryshme - duke qarë, duke ndënjur i vetmuar, duke kërkuar shoqërinë dhe mbështetjen e më të mëdhenjve etj. Fëmijët tregojnë se ata i merr malli për ato veprimtari të cilat i zhvillonin me personin e humbur. Ata mund të shprehin trishtimin e tyre duke shtrënguar dhe mbajtur erë gjërave të njeriut të vdekur, etj.
Të marrurit me kujtimet
Ndodh që fëmijët të shohin albumet e fotografive, të lexojnë letrat e vjetra, të kujtojnë ngjarjet e kaluara së bashku me personin e vdekur, etj, dhe kjo gjë i lehtëson atyre dhimbjen. Disa fëmijë fare pa dashur dhe pa e kuptuar fillojnë të imitojnë njeriun e vdekur. Ata e ndjejnë veten më afër dhe kjo është qetësuese si për fëmijën ashtu dhe për familjen.
Zemërimi dhe shpërthimet e inatit
Kjo shfaqet si zemërim ndaj vdekjes, pafuqisë për ta ndalur atë, por edhe ndaj të rriturve që nuk i lejojnë fëmijët të marrin pjesë në ceremonitë e zisë. Ajo shfaqet edhe ndaj personit që vdiq, i cili e la vetëm ose ndaj prindit që është gjallë për të cilin mendohet së ai është përgjegjës për vdekjen e tjetrit. Zemërimi dhe shpërthimet e forta të inatit mund të shprehen në formën e protestës dhe të goditjes.
Faji dhe turpi
Këto ndjenja shprehen pas humbjes dhe bazohen në të ashtëquajturin “mendimi magjik” që është karakteristikë e zhvillimit të fëmijëvë deri shtatë vjeç (Piaget). Në këtë fazë të zhvillimit njohës fëmija mund të besojë se mendimet dhe ndjenjat që ai/ajo ka ose ka pasur, mund të jenë shkak i vdekjes. P.sh. takimi i fundit i vajzës më të atin përfundoi me një zënkë, aq sa ajo mund të ketë thënë ose shprehur dëshirën që ai të ishte i vdekur. Babai vdes pas një jave nga infarkti i miokardit. Faji dhe turpi tek kjo vajzë ishte aq i madh, saqë pavarësisht nga terapia intensive, emocionalisht ajo shqetësohet rëndë.
Vështirësitë në shkollë
Trishtimi tek fëmijët vihet re në paqëndrueshmërinë e vëmëndjes, shpërqëndrimin dhe rënia në mendime e kujtime. Trishtimi gjithashtu mund të çojë në uljen e nivelit të energjisë dhe të marrjes së nismave e vendimeve. Studimet kanë treguar se fëmijët që kanë pësuar humbje kanë vështirësi në shkollë. Këto vështirësi mund të shfaqen që pas humbjes por edhe kohë pasi ajo ka ndodhur, p.sh. pas dy vjetësh.
Ankesat psikosomatike
Këto janë të natyrave të ndryshme p.sh, dhimbje koke, dhimbje stomaku, marrje fryme, rrahje të forta ose të shpeshta të zemrës, muskuj të tendosur, etj. Këto simptoma në themel të tyre nuk kanë një origjinë të vërtetë fizike. Fëmija nuk është i sëmurë nga zemra ose ndonjë sëmundje tjetër me bazë organike. Por këtoi shqetësojnë shpesh prindërit të cilët nuk e njohin origjinën e vërtetë të problemit dhe kështu i orientojnë fëmijët drejt mjekëve të ndryshëm dhe laboratorëve të analizave për të gjetur se nga ç’sëmundje vuan fëmija i tyre. Reagime të tjera ndaj humbjes janë edhe sjellja fëmijënore, sjellja e papjekur, tërheqja nga veprimtaritë shoqërore, ndryshimet në personalitet, pesimizmi, mungesa e shpresës, pafuqia etj. Megjithatë disa fëmijë piqen më shpejt duke marrë përsipër përgjegjësitë e familjes, në vënd të prindit që ka vdekur, ndonëse emocionalisht, nga pikëpamja shoqërore dhe intelektuale, nuk janë në gjëndje ta kryejnë atë si duhet.