Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Familja si një sistem mbështetës për fëmijën

Familja si një sistem mbështetës për fëmijën

Kur streset grumbullohen dhe ndihma e nevojshme mungon, zhvillimi psikosocial i fëmijëve mund të frenohet dhe shërimi nga traumat të zgjatet ose të dëmtohet. Për ketë arsye, një jetë e gjatë në kushte të vështira është e dëmshme për shërimin e shpejtë nga përvoja traumatike dhe karakterizohet nga një ndikim i zgjatur i një numri stresuesish.

Për të dhënë ndihmën, mbështetjen e duhur dhe për të parandaluar pasojat e menjëhershme, pasojat afagjata ose të zgjatura, duhet të mbahen parasysh faktorët që kontribuojnë në aftësinë e fëmijës për t’i rezistuar stresit dhe të identifikohen faktorët mbrojtës. Më poshtë jepen disa nga faktorët mbrojtës të cilët janë karakteristike për fëmijë të cilët janë në gjendje të kapërcejnë stresin. Veçoritë personale të fëmijës; janë të rëndësishme veçanërisht temperamenti, besimi në vetvete, mënyra e të menduarit, përfytyrimi pozitiv i vetes dhe vetë-respekti. Mbështetja e dhënë nga familja; prania të paktën e një prindi, marrëdheniet emocionale të qëndrueshme me një prind dhe sjelljet konstruktive nga ana e prindit në një gjendje stresi duke dhënë një shembull të efektshëm për fëmijën. Mbështetja e dhënë nga komuniteti: shkolla, shërbimet shëndetësore, familja ushqyese, qëndra e refugjatëve dhe vendet e kultit.

Studimet tregojnë së fëmijët të shoqëruar nga prindërit, që kanë përjetuar tmerret e dhunës së organizuar e më pas jeta e refugjatit, kanë më pak vështirësi psikologjike sesa fëmijët e ndarë nga familjet dhe të dashurit e tyre. Gjithashtu është vërtetuar së nuk është e mjaftueshme vetëm prania e anëtarëve të familjes. Ndonjëherë trazirat kanë një ndikim të tillë negativ e domethënës mbi familjen, saqë ajo nuk është në gjendje të plotësojë kërkesat e fëmijës , veçanërisht kur familja përballon stresues të shumtë të grumbulluar. Në rrethana të tilla, ka një ndikim negativ në përshtatjen psikosociale të fëmijës e cila mund të theksohet progresivisht. Prindërit të cilët kanë vetë vështirësi psikologjike, jo vetëm që nuk ndihmojnë fëmijën për të përballuar streset, por ata vetë kthehen në stresues për fëmijën e tyre. Fëmijët kanë më shumë vështirësi për t’u përshtatur në rastet kur anëtarët e familjes janë të ndarë, kontaktet me anëtarët të cilët mungojnë janë të pamjaftueshme ose vetë nëna është tejet e prekur nga rrethanat e krijuara. Shpesh një fëmijë ka më shumë vështirësi për t’u përshtatur në rast se nëna është më pak e ndjeshme dhe më pak e durueshme me të.

Prindi (në shumicën e rasteve nëna) luan rol kryesor në ndihmën për fëmijën e traumatizuar, i cili ndeshet me humbje të shumta dhe është i ekspozuar ndaj stresit kronik të jetës në kushte të vështira. Megjithatë, ky nuk është i vetmi rol që ka prindi ose nëna. Role të tjera janë mbajtja e familjes e bashkuar, përgjegjësia për sigurinë fizike dhe financiare, kujdesi për problemet e shëndetit, të arsimit dhe të njohjes me normat e sjelljes brenda dhe jashtë familjes. Përvec kësaj, përgjegjësisë së prindërve u shtohet dhe cështja e traumës së vetë atyre dhe një numër vështirësish të tjera, siç janë: depresioni, çrregullimet psikomatike (dhimbje koke, dhimbje stomaku, probleme të pagjumësisë), ëndrra të frikshme, vetmi dhe apati. Sipas përvojës sonë, kjo është vetëm njëra nga arsyet përse një numër nënash refugjate nuk kanë qënë të suksesshme në rolin prindëror, gjatë kohës që kanë qenë refugjatë.

Pse është e nevojshme për ndihmësin të mbajë mend se prindi është gjithashtu i traumatizuar, se atij/asaj i mungojnë cilësitë prindërore dhe ka vështirësi të përballojë gjendjen e gjatë e të pafavorshme? Ndihmësit shpesh shprehin zemërim dhe mërzi kur kanë të bëjnë me prindër që nuk u kushtojnë vëmendje dhe abuzojnë me fëmijët e tyre. Përballë pasojavë negative të një sjelljeje të tillë nga ana e prindërve, ndihmësit kanë prirje të harrojnë origjinën e këtyre sjelljeve negative, në rrallë të parë të prindërve. Shpesh prindi ka një rol të “armikut” për ta “luftuar” nga ndihmësi, në vend që të konsiderohej si një njëri i traumatizuar , i cili nuk e përballon mirë jetën. Me fjalë të tjera, në rast se duam të ndihmojmë fëmijën të përballojë përvojat traumatizuese të luftës në mënyrë më të suksesshme, ne nuk duhet ta konsiderojme atë të veçuar nga familja. Në rast se i japim mbështetje familjes ose nënës, ne kemi shanse më të mira për t’i zbutur ose për t’i parandaluar reagimet tek fëmija dhe në këtë mënyrë për t’i dhënë atij mundësinë t’i përballojë rrethanat sfiduese dhe rritjen në mënyrë konstruktive.

Përvoja jonë me familjet refugjate ka treguar së fëmija rrezikohet, veçanërisht në rast se prindi ka emocione të tepruara vetë dhe nuk është në gjendje të kënaqë nevojat emocionale në rritje të fëmijës. Rezulton së nënat refugjate shpesh shprehin shenja depresioni, ankthi dhe problemesh të tjera shëndetësore, të cilat nganjëherë bëhen kronike.

Prindi me shqetësime dhe me vështirësi thelbësore emocionale dhe somatike, lë pas dore jo vetëm nevojat e fëmijës, por shpesh ka pak tolerancë për sjelljen e fëmijës. Ai apo ajo nxehet me lehtë dhe është i prirur për ndërshkime, për të vendosur disiplinën. Ndonjëherë prindi nënvlerëson vështirësitë e fëmijës dhe keqinterpreton sjelljet e tij. Për shembull, në rast se fëmija ha më pak ose fillon të laget përsëri në shtrat, prindi e interpreton sjelljen e tij si mosbindje ose si pakujdesi nga ana e fëmijës. Po ashtu, rezultatet e dobëta në mësime dhe vështirësitë në përqëndrim mund të quhen si përtaci e fëmijës ose si sjellje kundërshtuese e tij. Këta prindër janë, gjithashtu, me të prirur për masa ndërshkimore, në vend që të përpiqen të kuptojnë arsyet e vërteta të ndryshimit në sjelljen e fëmijës. Në rrethana të tilla, është e nevojshme të sigurohet mbështetja që pritet nga ana e prindërve. Disa prindër kanë prirjen për të qenë tepër të kujdesshëm. Në mjedise të panjohura dhe të reja nëna mund të lidhet me fëmijën dhe më shumë se më parë. Nganjëherë fëmija bëhet cështja kryesore për nënën dhe madje e vetmja arsye për të jetuar dhe për të ecur përpara në jetë. Kjo nxit në zhvillimin e varësisë të ndërsjelltë pa bazë të shëndoshë, gjë që çon në vështirësi emocionale dhe në probleme komunikimi me fëmijën. Mbrojtja e tepërt dhe kjo lidhje mund të pengojë përshtatjen, pasojat e së cilës, ndonëse të padukshme në fëmijëri, mund të cojnë në vështirësi në moshë madhore. Ndonjëherë prindërit janë të prirur për të zgjidhur problemet e tyre nëpërmjet fëmijës. Për shembull, prindi mund të insistojë në ecurinë e fëmijës në shkollë, panvarësisht nga aftësitë e fëmijës, duke e shpjeguar ketë në më të shumtën e rasteve së “rezultatet në shkollëjanë e vetmja gje e rëndësishme që ka mbetur”. Prindër të tillë përqëndrohen vetëm në një aspekt të jetës dhe të individualitetit të fëmijës dhe mund të abuzojnë lehtë emocionalisht me fëmijën, vecanërisht në rast së shpresat e prindit nuk realizohen. Prindërit, në kushte të tilla të vështira, shpesh i mposhtin problemet e tyre emocionale dhe të fëmijës. Prindi “nuk shikon” problemet që ka fëmija pas humbjes së një antari të familjes ose të shtëpisë së tyre, sepse ai nuk është në gjendje të përballojë humbjen. Mjedisi i ri mund të shihet si kërcënues dhe ky reagim mund t’i trasmetohet fëmijës. Për shembull, nëna e cila vetë ndihet e kërcënuar nga qyteti i madh, mund ta kufizoj fëmijën për të dalë jashtë nga shtëpia. Pasojat e një sjelljeje të tille të prindit mund të paraqitën si probleme të fëmijës për integrimin shoqëror, si tërheqje dhe mund të krijojë konflikt midis prindit dhe fëmijës.

Shembuj reagimesh të tilla të prindit, që janë karakteristike për njerëzit e ekspozuar ndaj stresuesve shoqërore dhe të mjedisit, janë të shumtë. Ata mund të kenë një ndikim të madh mbi fëmijët dhe mund të shprehen në këto mënyra:

Nga ana fizike: Mungesë oreksi, probleme pagjumësie, djersitje e madhe, dhimbje koke, dhimbje stomaku;

Nga ana emocionale: apati, mërzitje, vetëbesim i ulët, ndjenja e të qarit;

Nga ana e sjelljes: sjellje agresive dhe kundërshtuese, tërheqje, rezultate të dobta në mësime

Puna me prindërit: njohja me ta dhe krijimi i besimit

Para së gjithash, duhen njohur prindërit dhe duhet fituar besimi i tyre, duke hyrë në marrdhënie me ta, duke dëgjuar problemet e tyre pa i gjykuar, pa i dhënë orjentime dhe pa qënë autoritar. Është e rëndësishme të sillemi dhe t’i trajtojme si njerëz dhe jo si prindër që kanë fëmijë me probleme. Duke siguruar që nëpërmjet dëgjimit me kujdes të kuptohen përvojat e tyre, traumat dhe vështirësitë që ata mund të kenë ndeshur kohët e fundit. Njëkohësisht i duhet kushtuar vëmendje e kujdesshme mënyrës me të cilën shpjegohen problemet dhe vështirësitë dhe si paraqiten ato.

Në bisedat e para me prindërit këshillohet dëgjimi aktiv, që do të thotë vëmendje, përdorim i pyetjeve jo të drejtpërdrejta dhe ndihmëse. Pyetjet e drejtpërdrejta për çështje personale dhe delikate mund të rrisin shqetësimin e njerëzve, mund të krijojnë mosbesim dhe të pengojnë proçesin e njohjes së tyre, duke e vendosur atë në polita mbrojtëse. Dëgjimi aktiv do të thotë, gjithashtu, që vazhdimisht të kontrollohet dhe sigurohet që prindin e kemi kuptuar dhe na ka kuptuar drejt. Kjo teknikë mund të mësohet shpejt dhe të ushtrohet lehtë.

Familja si një sistem mbështetës për fëmijën - Ajdukovic D. (Ed.).


/komuniteti