Është e vërtetuar se abortet shoqërohen me pasoja psikologjike, sociale dhe shëndetsore.
javë pas jave
Aborti dhe pasojat e tij
Cilat janë reagimet psikologjike ndaj abortit?
Menjëherë pas abortit, disa gra ndjejnë lehtësim dhe u duket se kanë shpëtuar nga një barrë që sipas tyre mund të kishte pasoja në jetën familjare apo shoqërore. Pjesa tjetër e grave, paraqesin ndjenjë faji, trishtimi dhe humbje. Ky fakt, e bën të domosdoshme nevojën për konsultim me punonjësit social dhe/ose psikologun, si para abortit ashtu edhe pas tij.
Një tjetër problem psikologjik që nuk mund të kalohet pa u marrë në konsideratë, është reagimi i partnerit mashkull ndaj abortit. Meshkujt, fillimisht mund ta trajtojnë problemin me qetësi e duke e lënë zgjedhjen në dorë gruas/partneres, ashtu siç mund të ndodhë te disa të tjerë që ta kërkojnë me insistim ndërprerjen e shtatzënisë. Por me kalimin e kohës, ndjenjat edhe mund të ndryshojnë duke u shfaqur ndjenjat e vërteta. Meshkujt fillojnë të përjetojnë ndjenja të ngjashme me ato të grave si; faj, trishtim deri edhe inat e zëmërim.
Cilat mund të jenë pasojat shëndetsore pas abortit?
Pasojat shëndetsore pas abortit në organizmin e gruas, janë më të ndjeshme në sistemin riprodhues, ndonëse varen nga metoda e kryerjes së abortit. Si metoda aborti mund të përshkruhen; aborti me thithje, aborti me dilatim dhe kyretazh dhe lindja e induktuar kur fetusi ka vdekur gjatë shtatzënisë.
Aborti me thithje, kryhet deri në javën e 8-të të shtatzënisë. Në vaginë dhe pastaj në qafën e mitrës futet një instrument, që bën hapjen e qafës së mitrës. Pastaj në mitër futet një tub i lidhur me aparat thithës. Përmbajtja e brëndshme e mitrës, së bashku me embrionin dhe placentën përthithet brënda rreth 10-të minutash.
Kjo metodë është shumë efikase sepse është e sigurtë për nënën, nuk paraqet rreziqe që shoqëron anestezia e përgjithshme e domosdoshme për të kryer abortin dhe është relativisht e shpejtë dhe e thjeshtë në përdorim.
Aborti me dilatim dhe kyretazh, kryhet deri në javën e 12-të të shtatzënisë. Qafa e mitrës dilatohet/hapet, njësoj si në teknikën e abortit me thithje. Në mitër futet një kyretë/instrument për gryerje, që përdoret për të gërryer fetusin dhe lidhjen e tij me muret anësor të mitrës. Kjo është mënyra më e përdorshme e abortit, por paraqet disa disavantazhe në krahasim me metodën e thithjes sepse kërkon hospitalizim dhe anestezi të përgjithshme, sjell mundësi më të madhe të çarjes së mureve të mitrës, hemorragji dhe infeksione.
Lindja e induktuar, është metodë aborti që realizohet me injektim të kimikateve. Teknikisht, përfshihet futja e një agopunksioni (tubi të hollë), përmes barkut dhe mitrës në sakusin/qesen amniotike. Aty injektohet sulucioni natriklorat, që stimulon tkurrjen e mitrës dhe realizon lindjen vaginale të një fetusi të vdekur. Disavantazhi i kësaj metode është koha e gjatë e proçesit prej deri në 48-të orë, duke i shkaktuar nënës stres fizik dhe emocional. Gjithashtu është konkluduar se, është një metodë më e rrezikshme se dy metodat e para të abortit.
Cilat janë pasojat e aborteve?
Pasojat e mundshme të menjëhershme pas abortit janë; dhëmbjet e forta, shpim i mitrës, gjakrrjedhje e madhe, infeksione, pjesë embrionale të mbetura në mitër, gjendje shoku, kome apo dëmtim të organeve të tjera, histerektomi/heqje të mitrës, në lindjet e induktuara vdeshmëria shkon deri në 3%.
Pas abortit, mund të ndodhë mbetje e plotë e konceptimit në mitër, gjë që mund të bëjë të nevojshme ndërhyrjen kirurgjikale.
Pasojat e mundshme të mëvonshme pas abortit janë; paaftësi për të mbetur përsëri shtatzënë, aborte spontane, lindje të fëmijëve së vdekur, shtatzëni jashtë mitre, lindje parakohe, sëmundje inflamatore pelvike.
Pasojat e mundshme emocionale pas abortit janë; ndjenja e fajit, depresion/të qara, paaftësi për të falur veten, trishtim i thellë, inat, boshllëk emocional, problem seksuale, ulje e vetëvlerësimit, ëndra të këqija, dëshirë për të mbetur shtatzënë, anoreksi ose çrregullime të tjera të të ngrënit, abuzim me pijet alkoolike/cigaret/drogat, dëshira për vetëvrasje.
Çfarë kujdesi duhet të tregohet pas kryerjes së abortit?
Medikamentet që përdoren për anestezinë kanë efektet e tyre të dëmshme dhe rekomandohet që gruaja pas abortit; të shoqërohet në shtëpi me automjet duke përjashtuar ecjen në këmbë. Për të qetësuar dhimbjet, nuk duhet të përdoren analgjezikë si dhe nuk duhet të konsumohen pije alkoolike.
Gjatë 10-të ditëve të para pas abortit, kur nuk paraqitet gjakosje e qafës së mitrës, rreziku i infeksionit është shumë i mundur. Për t’u ruajtur nga kjo situatë, është e këshillueshme mos kryerja e raporte seksuale. Rekomandohet përdorimi i pecetave higjenike një përdorimshe për mbrojtje nga ambjenti i jashtëm, si dhe rekomandohet mospërdorimi i tamponave vaginal. Gjithashtu pas abortit duhen shmangur banjot, sidomos banjot në vaskë me ujë të nxehtë/ngrohtë.
Çfarë është normale pas proçesit të abortit?
Në disa raste ndodh, që të nesërmen e pas abortit të mos paraqiten gjakosje, dhimbje dhe temperatura të jetë normale. Në raste të tjera mund të paraqiten shqetësime, ku mungesa e tyre zgjat 3-4 ditë, por ditën e katërt e të pestë shfaqen gjakosje të konsiderueshme, dhimbje të mprehta të barkut dhe temperaturë rreth 38ºC. Kjo gjendje nuk duhet të zgjasë më shumë se 24 orë, përndryshe gruaja duhet të paraqitet menjëherë tek mjeku gjinekolog.
Çfarë nuk është normale pas proçesit të abortit?
Gjakosja e madhe pa koagula dhe që zgjat shumë, dhimbja e vazhdueshme e barkut që nuk ngjan me dhimbjet e menstruacioneve dhe temperatura mbi 37.8ºC që zgjat deri në 48-të orë. Gjithashtu nuk është normale, edhe paraqitja e vetëm njërës prej shenjave të mësipërme të shoqëruara me gjendje të fikti.
Çfarë duhet të bëhet nëse gruaja është e shqetësuar?
Kur pas abortit gruaja është e shqetësuar, duhet të telefonojë menjëherë klinikën ku ka kryer abortin, ose duhet të paraqitet menjëherë tek mjeku që e ka kryer atë.
Kontracepsioni dhe aborti
Pas abortit, mundësia për të mbetur shtatzënë është shumë e madhe. Prandaj është e rëndësishme, që të vendoset menjëherë përdorimi i një metode kontraceptive që është më e përshtatshme. Asnjëherë gruaja/çifti nuk duhet të vendosë dhe të përdorë metodën e kontracepsionit, pa u këshilluar më parë më mjekun gjinekolog. Pas disa analizave dhe ekzaminimeve, mjeku do të këshillojë për metodën më të përshtatshme kontraceptive.
Obst-Gyn Mimoza Keta
Tetor 2011