Kur të keni kontraktime të rregullta të përcjella me zvogëlimin e qafës së mitrës dhe zgjerimin e saj, më saktësisht, me hapjen e gojës së mitrës, ku e tëra kjo ndodh para përfundimit të javës së 37-të të shtatëzanisë, atëherë mendohet se ka filluar lindja e parakohshme. Nëse lindni para javës së 37-të, foshnja juaj do të konsiderohet foshnje e lindur parakohe.
Një numër i vogël i lindjeve të parakohshme janë të shkaktuara me qëllim. Kjo ndodh kur mjeku juaj do të vlerësojë që gjendja juaj (apo e foshnjes suaj) do të rrezikohet me vazhdimin e shtatëzanisë, psh. tek preeklamsitë apo tek paraqitja e komplikimeve të shkaktuara nga mospërshtatja e grupeve të gjakut të prindërve, shtatëzanitë jashtë mitrës, etj.
Megjithatë, pjesa më e madhe e lindjeve të parakohshme fillojnë spontanisht. Një nga arsyet e lindjes së parakohshme mund të jetë jokompetenca cervikale, e cila paraqet hapjen dhe shkurtimin e qafës së mitrës spontanisht, pa paraqitjen e kontraktimeve.
Sa më afër javës së 37-të të jetë lindja, parashikimi që të jetë foshnja mirë dhe pa pasoja është më i madh. Lindja pas javës së 34-të, ka mundësi të mëdha që foshnja të jetë mirë. Nëse lindni para javës së 34-të, rreziku për foshnjen rritet, sa më e vogël të jetë shtatëzania. Mjeku juaj në këtë rast do të ju udhëzojë të merrni kortikosteroide, ilaçe të cilat ndihmojnë foshnjen që të bën zhvillimin e mushkërive dhe organeve tjera sa më shpejt dhe të pregatitet për jetën jashtë mitrës.